Vjen në shqip "Vdekje me kredi" nga Louis Ferdinand Celine

7 Nëntor 2025, 21:12Kulturë TEMA

Vjen në shqip "Vdekje me kredi" nga Louis Ferdinand Celine

Titull: “Vdekje me kredi”. Louis-Ferdinand Céline.
Vjen pas njëzet vitesh nga botimi shqip i kryeveprës së parë të markës Celine “Udhëtim në fund të natës” (Zenit 2006), sërish nën përkthimin e Hysen Sinanit.
Për shumëkënd, është kjo kryevepra. Gjithsesi, të dy romanet mbahen tashmë ‘klasik’ botëror.
Do të jenë në panairin e librit, stenda Zenit (kujt t’i pëlqejë ky titull, mund të blejë edhe me kredi afatgjatë, me shlyerje pas 630 faqeve, me shpresën që, edhe mbas kësi leximi, do gëzojë ende normalitet dhe aftësi për të vepruar)
Në ballinë: “Saturni pas vaktit”, tablo e Zini Veshit.
më poshtë, ese parathënie nga Krenar Zejno

NINULLA CELINE

Skandal që s’ka ndal! Proza selineane mbetet ende një rast unikal. Skandal total i mizerjes dhe së keqes pllakosur sheshit, jo thjesht si befasi e të veçantës për t’u rrëfyer dhe stilit si e shpërfaq përmbajtjen, por si kanun kushtetues i ekzistencës dhe zembereku i vetë qenies, të cilit hipokrizia e jargavitur e dekorit dhe pozës moraliste nuk mund t’i lëvizë dot as qimen. Rrjedha e kohës, realitetit dhe të ligës në të, veçse e dëshmon dhe e përligj vizionin e autorit.

Bota e Selinit është një Strehë-arkivol “që do të shëmbet vërtetë një ditë bashkë me arkitektin dhe zhurmat jashtë, si anije që shkon nga frika në frikë me pasagjerët nën plane më të trishtuara se vetë jeta”. E megjithatë, njëherit edhe e dashur gjer në nostalgji, si shtëpia kur të mungon.
Shkollat, spitalet, zyrat, dyqanet: karkasa të mizeries, simbol i një inkursioni traumatik e të pashpresë mbi tërë ngrehinën e njeriut; që zbehen dhe i dorëzohen natës teksa njerëzit turren t’i mbushin e ripopullojnë shtëpitë, ashtu ‘të hutuar, bosh, të zgërlaqur, të kënaqur, si një autobus i zbrazur që sulet drejt parkut të tij’.

Vetëm Selini mund ta shkruajë vulgaritetin e vulgut, që është veçse e zakonshmja, me një gjuhë të jashtëzakonshme dhe aspak vulgare. Ndërkohëqë, perversitetin që nuk është e zakonshmja, na e përshkruan përmes zakoneve të jetës tërësisht perverse. Perversitet i pazakontë që rrjedh prej zakoneve.

Vallja apokaliptike e vdekjes është aq vitale sa ndjehet si një organizëm i gjallë, në një natë pus, ku ritmi i shkrimit aritmik prej zemre të sëmurë ndjek krejt shkrimin dhe orienton leximin.
Njeriu, kafshët, sendet, brenda e jashtë mureve, vorbullojnë duke u zhvendosur e ndërfutur në lëkurën apo karkasën e njëri-tjetrit, për të na e përçuar empatikisht kuadrin universal të katastrofës. Dhe ata qirinjtë e vegjël hollakë, që rregëtijnë gjithë jetën në një univers të frikshëm; soba e zjarrit që nuk ngroh, në kulm të çdo shtëpie rrethuar nga ata, prej të cilëve vetëm do duhet patur frikë, njerëzit!

S’ka shumë vend për sendet dhe gjërat në prozën e Celinit. Ai nuk i ngarkon me faj - ‘sendet pa vlerë sipër oxhakut që ndonjë hallë province do t’i ketë pasur të tepërt. Gjërat që mërziten duke u vërvitur nga njëra anë e fatit në tjetrën’ - përsa ato janë krijime e sajesa të njeriut, nën të njëjtin fat me ‘fëmijët që shkelen nga të rriturit poshtë tavolinave të festave’.


Pakkush si Selini mund t’i degdisë e shakullisë personazhet e tij në kufijtë e qenies, ku dhe kur t’i teket, e pasdokohe të na i rikthejë sërish të ndryshuar papritur a të vërtitur në një spirale që nuk është as cikli i jetës, as i vdekjes. Herë të lënë në fatin e tyre, dhe herë nën kurimin e integritetit biologjik që i bën ata natyrisht (më saktë, natyralisht) mbeturinë, tepricë, kotësi. Tek kthehen në gjallesa të cilat gjallojnë, vegjetojnë, shtazërojnë; marrin e japin me njëri-tjetrin e me veten në atë farë soji që një zot do ta merrte vesh se ç’është e ç’nuk është njerëzore!

Dhe vijohet ende të quhen shpesh romane pikaresk dhe autobiografik. Sepse rasti Celine nuk duhet assesi të përgjithësojë. Aq më pak, të jetë një model. Tekefundit, u bëka fjalë për eksperienca personale rasti fëmijërie të vështirë, rinie të palumtur dhe udhëtimesh të rastit. Pra, veç përvoja vetiake nën një këndvështrim të errët e cinik të botës, jo një përvojtje e pikëllim për botën që po rrezikon zhytjen në terr e ndër të pëgërën e vet. Aq më pak, një vaj i kobshëm dhe thirrje e kuje për ndihmë dhe shpëtim.

Përshkrimi i jetës prej Selinit, nuk është jetëshkrimi i tij. Në ka cinike e groteske në këtë mes, është pikërisht ky përcaktim kritik kategorik, që ende mbahet më këmbë edhe sot.
Kudo ku ai është rrëfimtari në vetën e parë dhe personazhi shfaqet si alter-ego e tij, në fakt bëhet flijues i vetvetes përbrënda perversionit dhe na zhvendos për larg idhujtarisë; na tërheq drejt ndjenjës së humanes e jo modeleve, kah virtytit por jo doemos kah shëmbujve.

Qysh në themelet e gjinisë së romanit, Don Kishoti i shpjegon Sanços se të lashtët, Homeri e Virgjili, nuk i përshkruanin personazhet ashtu siç ishin, por siç lypsej të ishin: shembull i virtytit për brezat. Por, përmes gjenisë së Servantesit personazhet marrin guximin të shfaqen edhe ashtu si nuk duhet të ishin... por ja që ashtu janë. Jo domosdo, një shembull për t’u ndjekur.
“Realiteti që Selini na përshkruan është, siç e përmblodhi Andre Gide, haluçinacioni provokuar nga vetë realiteti”.
Ja një kërkesë me shkrim nga dora Celine, dora vetë:
“Dëgjoni vjellësira! Mos më vrisni për ca kohë, më lini të tregohem dashamirës për ndoca vjet. Do mund t’i them të gjitha. Ju siguroj që do tmerroheni si vemjet, atëhere unë do t’ju bëj zhdërvjellësisht më të poshtër e më të ndyrë aq sa, kobshëm, do të ngordhni më në fund!” Me respekt, I Juaji Louis-Ferdinand Celine
Bota e Selinit është një trajektore me sens unik nga një katastrofë në tjetrën. Vizioni i tij, katastrofik por jo krejt fatal. Dhe ai në të, që s’di si t’ia dalë. Nuk di si t’ia bëjë që ta bëjë njeriun të dalë nga humnera. Kuron të sëmurë dhe shkruan. Shkruan dhe kuron të sëmurë.
Ja si e kujtoj tani një copë realiteti përditshmërie të Selinit (siç e kam hasur në një intervistë nën dëshminë e gazetarit tek priste të fironte rradha e vizitave, për të biseduar mbi romanet e tij): “Çohu, s’është gjë hiç! Pak ftohmë ke marrë. Ca ditë pushim, pranë zjarrit... Na, i gjori ti. Pi këtë ilaç tre herë në ditë, e në do vërtet që të mos më shohësh prapë... shërohu!”

Udhëtimi në fund të natës dhe Vdekja me kredi, dy librat e tij të parë, u shkruan mes dy luftave botërore. Në të dy romanet, proza shtrihet si një thurrje në tre shtresëzime.

Shtresa e parë më në dukje e teksturës, është baza për të hedhur dy të tjerat. Shtresa e dytë do të qëndiset përmes stili sintetik dhe një implikimi metaforik të parreshtur, duke ngarkuar me peshë simboli edhe aktet që rrjedhin prej veseve të shndërruara në natyrë njerëzore, pothuaj të pavetëdijshme, të paevitueshme, reaktive. Ndaj edhe të shoqëruara me gromësima, teshtima, vjellje, përmjerje, masturbime, prishje, shprishje, e shkarkime fiziologjike gjithësojshe. Ndërkaq, e treta është ajo transhendentale. E përmes saj qesëndiset përqiellja e tokës, dhe e ardhmja që gris të tashmen.

“Katastrofat kanë mënyrat e tyre për të rregulluar gjërat” pat lënë si ngushëllim e shpresë shkrimtari i kombit të tij, Hygo.

Rrëfimi Celinian, më tej se një vepër rrënqethëse, është një uragan i pandërprerë që qeth nga rrënjët.

Rrallë, zhargoni dhe format idiomatike në brumin gjuhësor, e mahisin sa në letërsinë selineane, atmosferën e disfatës egzistenciale në tentativë për t’i shpëtuar skematizimit të mendimit, duke shfaqur në pah non-sensin e gjithë çka egziston. Shumë rrallë, teknikat e shkrimit mund t’ia mbërrijnë të prodhojnë një aritmi të tillë të thekshme brënda ritmit tensionues, sa t’i japin narracionit kaq spazma trallisëse. Plazmimi stilistik unikal, vjen drejtpërdrejt si me goditje akute, i çartikuluar por solid, me dy forca ngarkesash emocionale: ndjenjën e tragjikes dhe ndjesinë e groteskut, me një temporitëm që ruan të njëjtin tonus, përgjatë gjithë rrëfimit. E si për çudi dhe paradoks, nën mrekullinë e një lirizmi metrike e prozodie poetike.

Shumë-shumë rrallë, faqet e mureve prefabrikat që gatit betonierja e teorizmave letrare janë trandur e krisur, gërmuar e gërmëzuar, sa nga matrapiku i sintaksës së markës “Celine”.
Stili Celine! I përsosur, i papërsëritshëm! As nuk e kemi atë aftësi për ta përshkruar në një ftesë leximi. Aq më tepër që për stilin e tij, nuk është se mungojnë referatet. Kështu, pikërisht, fashitet thelbi i asaj çka ai na shpall, për t’i mëshuar gjatë vetëmse risisë së formës.

Por pjella krijim përbindësh e Selinit, nuk mund të fshihet duke u marrë vetëm se me ç’lloj stili të mbarrsjes është kryer akti i ngjizjes së kësi pjelle unikale. Sepse do të ishte sikur, me të kuptuar diç nga kjo botë, të na varnin në qafë shpalljen funerale:

MOS E VRISNI MENDJEN PËR KU PO SHKON
ME QEFININ NDËN SQETULL I PAUDHI SELIN
SHIJOJENI, PO VEÇ NËN ÇUDINË PËR STILIN
SE SI THURR KRIMBI I MENDAFSHIT ENDJEN
E AFSHIT, E JO SI E SHTRIN PËLHURË QEFIN!


Krenar Zejno

 

 

Lini një Përgjigje