Zoti krijoi njeriun apo njeriu krijoi Zotin? Vazhdimi i bisedës imagjinare me Ben Blushin

4 Janar 2023, 11:09Kulturë TEMA

Zoti krijoi njeriun apo njeriu krijoi Zotin? Vazhdimi i bisedës imagjinare

Nga Kaon Serjani

Ben Blushi e mbajti fjalën; më mori në telefon dhe më ftoi për drekë në datën 2 janar për të vazhduar bisedën që patëm nisur para pak ditësh.

–  Mendova se të dy do të jemi më të frytshëm në diskutim direkt pas bakllavasë,- tha Blushi. Ti e di që lënda djegëse kryesore e trurit është sheqeri.

–   Ke të drejtë,- ia ktheva.

–   Do ikim në Dajt- vazhdoi ai. Pyetja që do diskutojmë është më e rëndësishmja. Na duhet ajri i pastër dhe qetësia. 

–   Edhe lartësia!- shtova unë. Që ta shohim horizontin më mirë.

Me propozimin e tij erdhi më mori me makinën e vet poshtë pallatit. S’kish si të ndodhte ndryshe. Duhej shfrytëzuar edhe koha e rrugës për diskutim. Pasi më tregoi nxitimthi përshtypjet e takimit të tij me lexuesit, u hodhëm aty ku e kishim lënë.

–   Kur u tregova disa miqve bisedën tonë, – nisi ai, më qortuan se isha treguar shumë i butë me ty. Po të paralajmëroj që në fillim se sot nuk do ta kesh aq të lehtë! 

E përcolla komentin me një buzëqeshje të lehtë duke mbajtur vështrimin te rruga e boshatisur para nesh. 

–   Më thuaj sinqerisht, – theu heshtjen Blushi përsëri, Çfarë mendon për ata si unë që nuk besojnë?

–   Ndër ata që nuk besojnë, kam respek të veçantë për ata që pyesin,- i thashë. Besoj se ju hyni te kjo kategori. Unë e besoj moton: ‘Ai që kërkon gjen’.

–   Të kuptova. Domethënë qenke nisur me mendimin se ai që po kërkon të vërtetën jam unë dhe ti je ai që po ma zbulon? 

–   Nuk po mendoja këtë. Megjithatë, nuk dua të shtirem sikur nuk kam bindje për këtë temë. Ma do mendja se të dy kemi, por uroj që të jemi të hapur të konsiderojmë argumente të reja. 

–   Nuk mendoj se është çështje argumentesh. Mjafton të shpjegojmë se si ka lindur ideja e Zotit dhe s’ka nevojë për diskutime të stërholluara.

–   Si ka lindur sipas jush?

–   E ka shpikur njeriu, – tha Blushi me një ton që shprehte siguri.  

–   Një arsye është kjo: Zoti është mënyra se si qeniet njerëzore janë rrekur të shpjegojnë gjërat që janë shumë të vështira për t’u kuptuar. 

–   Mendoj se ideja e një Zoti krijues ka qenë një fantazi ngushëlluese e bazuar në injorancë dhe e sajuar nga paraardhësit tanë përpara se shkenca të shpjegonte fenomenet natyrore. 

–   Kuptoj. Pra, le të themi që njeriu në kohët e hershme nuk e dinte se çfarë i shkaktonte eklipset, tërmetet, cunamet, stuhitë detare, vullkanet, përmbytjet dhe një sërë semundjesh e pandemish. Dhe në këtë situatë të pashpresë, për të mësuar të vërtetën rreth këtyre fenomeneve, njeriu dorëzohej dhe e kërkonte shpjegimin te veprimi i një qenieje ose disa qenieve mbinatyrore. A është kështu?

–   Absolutisht. Madje, jo vetëm kaq, por këto fenomene shpesh i presupozonte si një derdhje të zemërimit të Zotit ose zotave mbi krijesat rebele e mëkatare.

–   Nëse shpjegimi është kaq i thjeshtë, kemi një problem. 

–   Si e shpjegon atëherë se pse në ditët e sotme, që ka njohuri të mjaftueshme mbi çfarë i shkakton fenomenet natyrore, njerëzit vazhdojnë të besojnë tek Zoti? Nëse mungesa e njohurisë do të ishte arsyeja e gjenezës së besimit, atëherë pse fitimi i kësaj njohurie nuk e ka hequr nevojën e njeriut për të besuar? 

–   Nuk e ka hequr ende plotësisht, por do të mbërrijmë në atë pikë, pa merak. Për ato që nuk i ka shpjeguar ende, duhet t’i japim vetëm kohë. Do të vijë një ditë dhe shkenca do të shpjegojë gjithçka. Më duket e nxituar të fusim Zotin si shpjegim, meqë nuk kemi ende një shpjegim shkencor. Për mendimin tim është një lloj dembelizmi, ose një martesë me injorancën që e pengon zhvillimin. Me përparimin shkencor gjithmonë e më të madh do të na nevojitet të besojmë përherë e më pak. 

–   Po ne e diskutuam këtë herën e kaluar, kur iu referuam statistikës që pothuaj më shumë se gjysma e shkencëtarëve amerikanë të kohës sonë besojnë në Zot ose në fuqi të mbinatyrshmë. Kjo e kundështon pohimin që sapo bëtë. Pra, njohuritë shkencore nuk e bëjnë Zotin të panevojshëm. Madje, në shumë prej dëshmive të shkencëtarëve besimtarë mësojmë se arsyeja e besimit të tyre është kjo: arsyetimi shkencor ka limite, sepse vetëm shpjegon se si ndodh një fenomen, por jo pse ndodh ai; pra, pse një ligj vepron në një mënyre dhe jo në një tjetër. Për shumë prej këtyre shkencëtarëve zbulimi i një ligji shkencor bën thirrje për një ligjvënës. Ky është rasti i shumë prej themeluesve të Shkencës Moderne, si Njutoni, Galileo, Kepleri, Koperniku, Bejkoni, Bojli, etj.  Pra, me fjalë të tjera, qëllimi i fenomeneve fizike, kimike apo biologjike nuk mund të shpjegohet në terma shkencorë, ndaj shumë shkencëtarëve, në vend që t’iu zbehet besimi në një Krijues, iu ndodh e kundërta. 

–   Kjo është e habitshme edhe për mua, por nuk vërteton që Zoti krijoi njeriun.

–   Nuk e vërteton, por të paktën tregon se nuk është e saktë ideja që sa më shumë njohuri shkencore të ketë njeriu, aq më pak besim në Zot i mbetet. 

–   Epo disa mund ta kenë ndarë mendjen nga krenaria që të mos heqin dorë nga e tyrja, pavarësisht njohurisë. Ti, si e arsyeton përgjigjen ndaj pyetjes: A e krijoi Zoti njeriun apo njeriu Zotin? Por ma jep përgjigjen pasi të zbresim, – tha Blushi ndërsa drejtoi mjetin për në parkimin e një restoranti që kishte pamje të mjaftueshme për të soditur qytetin.

–   Për mua të dyja pyetjet kanë përgjigjen ‘po’, – i thashë kur zumë vend në restorant. 

Bashkëbiseduesi im zgurdulloi sytë.  

–   Po thua: edhe Zoti e krijoi njeriun, edhe njeriu e krijoi Zotin?

–   S’po të kuptoj, – tha Blushi. Ligji i moskontraditës nuk na e lejon një gjë të tillë. O njëra – o tjetra; nuk mund të qëndrojnë të dyja. 

–   Qëndrojnë, sepse varet se për cilin Zot e ke fjalën.

–   Tani na dole besimtar në shuma Zota? Mendova që po bisedoj me një monoteist.

–   Monoteist i krishterë, më saktësisht. 

–   Për mua Zoti i Biblës krijoi njeriun, dhe njeriu jobesimtar krijoi zotat e tjerë. Ka kuptim kështu?

–   Domethënë po thua që ka një Zot të vërtetë që ka krijuar njeriun, dhe për shkak të një indiference, ose paditurie, ose rebelimi njeriu ka shpikur disa zota të rremë. 

–   Hajde gëzuar! – i thashë, dhe ngrita gotën e verës. – Po merremi vesh! 

–   Prapë ka diçka që nuk më bën sens, – vazhdoi Blushi. Nëse Zoti ekziston dhe nuk e shpik njeriu idenë e Tij, atëherë pse nuk lindin foshnjat me mendimin e Zotit, por e mësojnë atë më vonë nga të rriturit?

–   Çfarë do të thuash?

–   Po ja, nëse një foshnjë mbahet në kushte laboratorike dhe nuk i flitet kurrë për Zotin dhe nuk i lejohet asnjë kontakt me botën që beson, derisa të rritet, ai nuk do ta ketë asnjë ditë dilemën kush më krijoi, a ka diçka atje lart, kush e krijoi shiun, qiellin, diellin dhe hënën? Të gjitha këto përgjigje do t’i marrë nga librat dhe përgjigjet do t’i konsiderojë shteruese.

–   Nuk e di nëse kjo provon që Zoti nuk ekziston,- ia ktheva aty për aty. Foshnjat kur lindin nuk kanë njohuri për tabelën e shumëzimit; e mësojnë atë më vonë, por kjo nuk do të thotë që tabela e shumëzimit nuk ekziston. Ato nuk lindin as me njohuri për ligjin e gravitetit, por kjo nuk do të thotë se ai nuk ekziston. Të mësosh se diçka ekziston ndërsa rritesh është normale. Dhe kjo nuk ka pse të jetë ndryshe me Zotin. 

–   Pika ime është gjetkë. Nuk mendoj se më ke kuptuar. 

–   Shtjelloje pak më shumë, të lutem! 

–   Nëse Zoti do donte që ne ta njihnim dhe të mos e diskutonim kurrë ekzistencën e Tij, mjafton t’i fuste në kokë njëlloj si një çip çdo foshnje emrin apo përfytyrimin e Tij. Foshnjet do dilnin të gjitha nga barku i nënës duke qeshur dhe duke parë lart. Meqë kjo nuk ndodh, më duket më e arsyeshme të besoj se idenë e Zotit e ka shpikur njeriu gjatë jetës. 

–   Unë mendoj se krijimi i njeriut me vullnet të lirë që ai të vijë në besim përmes dëgjimit apo përballjes me provat përkundrejt vendosjes së idesë së Zotit si vendosja e një çipi është një koncept më superior. Pra, a do të preferoje të ishe besimtar përmes çipit, apo me zgjedhjen tënde? Zoti është kaq i mirë, sa të lejon ty të jesh ateist, nëse do zgjidhje. Por nga ana tjëtër Ai të fton të besosh, sepse Ai do një besimtar të vullnetshëm; është i interesuar për një marrëdhënie. Gjithsesi, unë besoj se Ai ka lënë një gjurmë të Tijën, një lloj imazhi, në ndërgjegjen e njeriut, e cila na bën të kemi një kapacitet për njohje dhe ndërtim marrëdhënieje me Krijuesin, por nuk i afrohet aspak idesë së çipit. 

–   Prirem të mendoj se e anasjellta e kësaj që thua ti është e vërtetë. Nuk na ka krijuar Zoti në imazhin e Tij, por siç e tha edhe Frojdi: Njeriu krijoi Zotin në imazhin e vet. Madje, përpara Frojdit, akoma më mirë këtë e ka shprehur Fojerbahu kur tha se njeriu imagjinoi një qenie më të lartë se veten, që të kishte atribute njerëzore të pakufishme. Ndërsa te vetja shikonte aspekte negative, Zotin e mendoi me karakter të përsosur. Si të thuash, e bëri Zotin ashtu siç nuk është vetë, si një ngushëllim dhe për t’iu drejtuar Atij për ndihmë në kohë nevoje. 

–   Mendoj se këtu kemi të bëjmë me një gabim gjenetik.

–   Çfarë lidhje ka gjenetika këtu?- tha Blushi. 

–   E kam fjalën për falsitetin logjik që njihet si falsiteti (ose gabimi) gjenetik (the genetic fallacy). Ky është gabim logjik në të cilin argumentet ose informacionet hidhen poshtë, ose vërtetohen duke u bazuar vetëm në burimin e tyre të origjinës dhe jo në përmbajtjen e tyre. 

–   Në rregull, por si lidhet me argumentin tim?

–   Meqë përmende Frojdin, më lejo të lutem të të jap një shembull nga ai dhe ta analizojmë përmes falsitetit gjenetik. Përfytyro, do thoshte Frojdi, sikur dikujt t’i mungojë figura e babait në jetën e vet, dhe për këtë shkak të fillojë të besojë se duhet të ekzistojë patjetër një qenie e mbinatyrshme si një Atë i mirë dhe i dhembshur, duke përmbushur kështu një nevojë të tij emocionale dhe psikologjike. Dhe duke besuar kështu, personi në fjalë fillon dhe i lutet Zotit në imazhin e atit që i mungon. Ky është një rast, sipas Frojdit, kur Zoti është një qenie e krjuar në mendjen e besimtarit për të përmbushur një nevojë të brendshme.

–   Dhe unë mendoj se shpjegimi i Frojdit qëndron; ka plot raste të tilla,- tha Blushi.

–   Dakord, por çfarë provon kjo?

–   Provon përmes shembullit se si njeriu ka shpikur idenë e Zotit. Çfarë do më shumë? 

–   Nuk besoj se e provon këtë. 

–   Kjo mund të jetë fare mirë mënyra se si dikush fillon të besojë tek Zoti, pra tregon origjinën e besimit të tij, por kjo nuk na thotë asgjë nëse objekti i besimit të tij është ose jo i vërtetë.

–   S’ka nevojë të provojë nëse është apo jo i vërtetë Zoti; mjafton që vërtetohet se ideja e Zotit i erdhi njeriut nga një përjetim psikologjik i brendshëm i mungesës së një figure të dashur atërore. 

–   Shiko, ne mund të kemi të drejtë që të mos e pranojmë si legjitime ose si të arsyeshme pikënisjen e besimit të tij, por nuk rrjedh nga kjo se meqë besimi i tij nuk është i arsyeshëm, objekti i besimit të tij nuk ekziston. Ne na duhet të japim argumente në mënyrë të pavarur nga origjina e besimit të atij personi që Zoti nuk ekziston. Më lejo të jap një shembull tjetër për të qartësuar këtë falsitet logjik. 

–   Një lexues mund të mendojë se ti je shkrimtar shumë i mirë sepse ka parë një ëndërr që një nga shkrimtarët më të mëdhenj të këtij brezi është me origjinë nga Korça dhe ka mbiemrin Blushi. Tani, nga fakti që origjina e besimit të këtij lexuesi është e pabazuar mbi ndonjë evidencë të arsyeshme që ta përligjë besimin e tij, nuk rrjedh që ti nuk je shkrimtar i mirë. Me fjalë të tjera, të thuash që Blushi nuk është shkrimtar i mirë sepse një lexues arriti në këtë përfundim i bazuar tek një ëndërr, do të thotë të kryesh të njëjtin falsitet logjik (the genetic fallacy). E vërteta, nëse je apo jo shkrimtar shumë i mirë është e pavaruar nga mënyra se si e ka krijuar këtë bindje një individ. E vërteta mund të gjendet përmes kritereve objektive se çfarë e bën dikë të konsiderohet shkrimtar i mirë. Besoj se lidhja tani është e qartë, apo jo? 

–   Ti po thua se vërtetësia ose jo e ekzistencës së Zotit nuk konfirmohet dhe as hidhet poshtë vetëm sepse mënyra se si kanë filluar të besojnë një grup personash është e paarsyeshme duke qenë se nuk bazohet në ndonjë fakt të jashtëm, por vetëm në eksperiencën e brendshme të individit. 

–   Me sa po kuptoj, ti beson që Zoti e krijoi njeriun vetëm sepse nuk të duket e arsyeshme të besosh se njeriu e krijoi Zotin? 

–   Jo vetëm aq, por edhe duke marrë në konsiderate provat për ekzistencën e Tij. 

–   Cilat prova? A nuk e di që s’ka asnjë gjurmë të Zotit, kudo që të shkosh!? Siç tha dhe Juri Gagarini kur shkoi në hapësirë. “E kërkova Zotin gjithandej, dhe nuk e gjeta.” 

–   Epo mbase nuk kërkoi mjaftueshëm. 

–   Mbase. Por provat nuk duhet të ishin aq të veshtira për t’u gjendur nëse Zoti është aq i madh.

–   Po sikur Zoti të mos shihet dot me sy përderisa Ai nuk ekziston në dimesionin fizik!? 

Blushi e kuptoi që pyetja ime ishte retorike ndaj nuk foli. Koha kishte ikur, dhe drekës sonë po i vinte fundi. 

–   Nëse me lejon të të pyes, – nisa unë, – po të jetë njeriu ai që krijoi Zotin, dhe jo e anasjellta, si do i përgjigjemi pyetjes se kush e krijoi njeriun? 

–   Evolucioni,- tha Blushi prerë. 

–   Çfarë e vuri në lëvizje evolucionin? Domethënë, kush e bëri lëvizjen e parë? 

–   Shpërthimi i Big Bang-ut, pastaj formimi i qelizës së parë, e kështu me radhë.

–   Ku u gjend materia dhe energjia që krijoi shpërthimin Big Bang?

–   Pse duhet të ishte patjetër Zoti?

–   Po a nuk duhet të ishte diçka ose dikush që është përtej materies, energjisë, kohës dhe hapësirës që i sjell të gjitha këto në ekzistencë në shpërthimin Big Bang? Domethënë diçka përtej dimensionit fizik, i natyrës transhedentale. Ai diçka ose dikush lipset që të jetë i fuqishëm (shkencëtarët bien dakord se në shpërthim është ushtruar një fuqi jashtëzakonisht e madhe), me aftësi krijuese që të sjellë në ekzistencë diçka nga asgjëja (ex nihilo); dhe me inteligjencë (universi është i rregulluar me disa ligjësi fizike që të mos bëhet një kolaps kozmik). Kur i shton këto atribute nuk përftohet gjë tjetër veçse koncepti i një Qenieje të mbinatyrshme vetë-ekzistente, që teistët e identifikojnë me Zotin. 

–   Pse mos të themi që universi është vetë-ekzistent?

–   Por Big Bang pikërisht këtë hedh poshtë dhe sot mbahet pothuaj unanimisht nga shkencëtarët si pika 0 e fillimit të universit. 

–   Nëse ti thua që Zoti e krijoi universin dhe njeriun, atëherë e njëjta pyetje vlen edhe për Zotin: Kush e krijoi Zotin?

–   Nëse Qenien që krijoi universin e ka krijuar dikush ose diçka, atëherë ai dikush ose ajo diçka është Zoti, dhe jo qenia që krijoi universin. Pra, duke shkuar mbrapsht në kohë, implikimi logjik është se ne duhet të mbërrijmë në një Shkaktar Krijues, që nuk e merr ekzistencën nga diçka tjetër. 

–   Po i referohesh primum movens?

– Po. Lëvizësi i palëvizshëm i Aristotelit e më pas i Akuinit. 

– Që mund të ketë pasur një Lëvizës fillestar të palëvizshëm nuk do të thotë që ai është Person dhe të cilit mund t’i lutesh sikur Ai të dëgjon.

– Mendoj se është implikimi më i arsyeshëm logjik.

– Në ç’kuptim? Si e di që Lëvizësi nuk është thjesht një forcë jopersonale?

– E implikon teoria e Big Bang-ut. Ardhja në ekzistencë e universit (pra e materies, energjisë, kohës dhe hapësirës) nënkupton se është marrë një vendim. Është marrë vendim për fillimin e kohës, sa masë materieje duhet të kishte universi, sa energji, çfarë dimesionesh duhet të ketë hapësira, sa shpejt do të zgjerohet, etj. Nëse këto veçori nënkuptojnë se është marrë një vendim, nga kjo rrjedh se kemi të bëjmë me një Lëvizës që ka kapacitetin për të bërë zgjedhje. Dhe ne e dimë se zgjedhja është atribut i një Personi dhe jo i një force jopersonale. 

–   Nuk më duket pa kuptim, – tha Blushi, por është vetëm një argument. 

–   Po të kishim kohë mund të flisnim për argumente të tjerë. Nëse koncepti i Zotit është krijuar nga njeriu, ka plot pyetje të mëdha që lidhen me kompleksitetin dhe dizajnin e dukshëm të natyrës të cilat mbesin pa përgjigje të kënaqshme. Për shembull, një shpjegim shterues për origjinën e jetës nuk gjendet tek teoria e evolucionit. Ndërtimi i ADN-së është aq i ndërlikuar, saqë nuk mund të shpjegohet përmes seleksionimit natyror dhe mutacioneve të rastësishme. Po ashtu mirë-sinkronizimi i universit shpjegohet më mirë nga një Projektues Inteligjent që përputhet me idenë e Zotit. Largimi i Zotit nga sfera e shpjegimeve të mundshme do të linte shumë pyetje pa përgjigje. Gjithashtu, lë pas edhe një vakum moral që nuk e mbush dot asgjë tjetër. 

–   Kjo që sapo the do një drekë më vete, – tha Blushi, – nuk e diskutojmë dot sot. 

–   Padyshim,- afirmova unë. Mesa po shoh na duhet të takohemi edhe për një takim final.

–   E treta e vërteta?- pyeti Blushi  

–   Pse jo? Madje po mendoja sikur të ftonim një të tretë,- sugjerova unë.

–   Profet? Po dihet se në cilën anë do të jetë.

–   E kam fjalën për një profet të ateizmit. 

–   Nuk kisha dëgjuar që ateizmi është themeluar nga një profet. 

–   Nuk e ka themeluar ai ateizmin, por ai gjithsesi është një profet për të.  

–   Personazhi i Niçes?

–   Nëse nuk ke kundërshtim.

–   Do të më pëlqente, por e dimë që ai do jetë në anën time. Ai e shpalli Zotin të vdekur. Do jemi dy me një në mendime. 

–   Kam përshtypjen se unë do jem dakord me të më shumë se ti, nëse Zoti nuk ekziston. Kam një ndjesi se ti vetë do të dëshirosh ta ngjallësh atë që Zarathustra e shpalli të vdekur.

–   Nuk po më pritet ta dëgjoj këndvështrimin tënd atëherë. 

Blushi këmbënguli të paguajë drekën dhe unë nuk refuzova. Po shitet mirë libri im i fundit,- tha, – mos u ndje keq. 

Trokitëm për herë të fundit gotat e verës duke i uruar njëri-tjetrit një vit të mbarë. 

– Zoti të ndihmoftë!,- më ngacmoi Blushi. 

– Edhe ty!, ia ktheva, – do të kesh nevojë për ndihmën e Tij për bisedën tonë finale. 

Rrugës për në Tiranë folëm për libra.

16 Komente

  1. B
    Beri Pula - Vezen apo Veza -Pulen_ mo !

    beri Pula Koqe _Ve kush e hengri _a e pe ?!

    1. s
      spata

      Mos degjoni fillostrofin Blushi se cnxerre nga goja per neriun dhe Zotin.Cdokush qe ka pare filmat serjal te Krishtit kupton thelbin e egzistences se Zotit dhe raportet menjeriun . Blushi eshte i ngopur dhe kur njeru ngopet fillon e fillozofon . Kete e shikojme si semundje psiqike tek shume shqiptare qe u pasuruan jo me frymen e Zotit por te shejtanit . Blushi do te bbente mire te shpjegoje kete te dyten . Kush eshte i pari ,ne mes shqiptarve ,njeru apo shejtani.

      1. x
        xha Beqo

        Kaon mavria qe ben muhabet me veten.... e s'ndalon as kur nuk i then pergjigjie njeri

        1. K
          Klimax

          Ndonjë "muhabet" tjetër nuk keni? Më jeni bërë më keq se kërkuesit e UFO-ve, të fantazmave apo të atyre që besojnë akoma se Hitleri është gjallë!!!!

          1. N
            Njeriu vdes pet perralla,po ato gjithmone kane log

            Kush e krijoi boten...zoti apo shejtani? Zoti s ka fuqi mbi shejtanin pra jane te barasfuqishem.Egziston Ferri dhe Parajsa.Zoti eshte ne parajse por ne Fer eshte i pafuqishem.Kontrollin e ka shejtani.Pra gjysma e universit eshte jashte ndikimit te zotitPrej ketej lind pyetja....kush I krijoi keto dy krijesa apo fuqi pertej dimensioneve fizike qe njeriu percepton? Eshte e qarte qe njeriu ndertoi boten virtuale te miren e te keqen,luften e paqen,zotin dhe shejtanin.Kuptohet duke kerkuar te miren dhe paqen ne nje bote lufte ai glorifikoi zotin dhe injoroi shejtanin .Po te shohesh shoqerine njerezore e kupton qe shumica shkon ne ferr...Nje prind qe rreh femijen ,kryen krim.Ai I takon ferrit.Nje punedhenes qe ben jete luksoze nderkohe qe punetoret mezi kane buke te hane I taken ferrit.Ata qe vrasin po e po...Kush mbetet I mire? Prifterinjte qe perdhunojne femije? Jezusi...tha kush s ka mekatuar le ti gjuaje me gure...dhe askush sguxoi qe te gjuante....pra jemi ne nje bote mekataresh.Ne thelb shkojme ne ferr.I Perkasie shejtanit dhe zoti shfaqet si shpetimtari qe na heq nga kthetrat e tij. Pra mbetet pyetja kush krijoi kete bote te mire e te keqe me zot e shejtan?

            1. Z
              Zoti e Krijoi _Shejtani e Zoteroj

              ______________...... Shjetani KOmandon Bten qysh pej Lindjes se saj .E Filloj me Ndertimin e Shtepive te Zotit , me kap Pushtetin mbi Njerzimit deri ne momentin kur Satani i mori Pushtetin Shejtanit me Kostumin e Priftit dhe Hoxhes _vesh me Kostumin e Politikanit . he na rruaci Besoni o budallenj , se ne gop te s'emes pe e con Boten

            2. x
              xzy

              Ekzistenca e universit, roli i Zotit, lindja e jetes, jeta " e pertejme" etj etj jane çeshtje dhe tema fillozofike qe jane trajtuar per shekujsh dhe do te trajtohen edhe shekujt e ardhshem pa marre kurre nje pergjigje shterruese. Une kam degjuar shume shkencetare, qofte edhe astrofizikante, qe jane ne dyshim per ekzistencen apo jo te nje qenieje siperore qe ka krijuar Gjithesine. Keta njerez nuk besojne te librat "e shenjte", Torah, Ungjilli apo Kurani, por megjithate nuk jane ne gjendje tu japin pergjigje shume pyetjeve ekzistenciale. Kam lexuar nje liber te shkruajtur nga Pascal Picq, i cili i kundervihej me fakte dhe llogjike dogmave fetare per krijimin e universit. Pasi kishte spjeguar gjere e gjate kete çeshtje, ne faqen e fundit ai kishte vene rreshtat e fundit te Zanafilles, ku tregohej se si ishte formuar bota dhe gjithesia. Por çudia me e madhe ishte se gjithe libri dhe konkluzionet antifetare te autorit, ai i kishte hedhur vete dhe me qellim poshte, kur krahasonte menyren e njellojte te krijimit te botes dhe universit te pershkruar si nga shkenca ashtu edhe nga Bibla! Edhe Riçard Daukins ne librin e tij ateist "The God delusion" i shitur ne 2 milione kopje dhe i perkthyer ne mbi 30 gjuhe, ne fund te librit te tij le te kuptohet se mundesia e ekzistences se nje qenie supreme nuk mund te hidhet poshte 100 per qind. Njelloj si dhe Anshtajni dhe filozofe te tjere. Diçka tjeter qe me ka çuditur eshte pohimi ne Bibel se nje dite edhe Toka do te zhduket ne nje zjarr te madh! Fakt qe eshte pohuar tani se fundmi edhe nga shkenca, kur Toka do te jete thithur nga Dielli. Nje gje eshte e sigurt se askush nuk di gje. Askush nuk mund t'i jape pergjigje misterit te ekzistences se universit dhe te krijimit te jetes.

              1. e
                emigranti

                Keshtu ndodh kur i pergjigjesh vete pyetjeve tuaja. Edhe me statistika te manipuluara vetem 33% e shkencetareve besojne ne Zot, ndersa persa i perket mosegzistences se Zotit eshte vertetuar nga ideatori I teorise se Bing Bengut, shkencetari i famshem Stiven Hopkins. Perderisa edhe sot shume fenomene nuk shpjegohen dot nga shkenca, shpejtojne sharlatanet hipokrite ta spjegojne me nje " deux ex machina " ,duke quajtur rastesine si zot. Ne nje studim krahasues te 400 shkencetareve me te medhenj dalin keto shifra persa i perket besimit ne Zot : 27.7% e tyre besojne ne 1914, 15% ne 1933 dhe vetem 7% ne 1998.

                1. N
                  Njeri

                  Po ti ,Emigrant,a je 100% I sigurt se nuk ka Zot?

                  1. B
                    Baliu

                    Bisede imagjinare me Zotin rreth Ben Blushit!!! Kesaj pune i thojne luaje deren mos paq pune tjeter. Nje gje eshte e sigurt qysh moti, se disa tipa qe gjoja kan pasur vizione ne ndonje shpelle se ata jan gjoja nje medium permes te cilit flet Zoti, apo disa tjere qe gjoja jan perfaqesues te Zotit mbi toke etj., thjesht jan biznismena te llojit te vet. Madje edhe shkencetaret qe here mbas here zbulojne ligje te natyres, nuk mund ta quajne veten "medium" i Zotit. Nuk eshte normale te besosh ne diqka qe nuk e kupton, por edhe gjerat qe duken te kuptueshme nese studiohen me thelle dalin te pakuptueshme. Pra mbetet qe njerezit te punojne per te miren e njerzimit, perndryshe sdo te ket me kush te merret me Zotin.

                    1. A
                      Andi

                      I gjithe muhabeti vertitet tek besimi. Besimi nuk verteton ekzistencen e zotit. As librat e shkruar nga njerezit, dhe sidomos ata analfabete qe pretendojne se e i shkruan me ndihmen e zotit. Ky zoti qe do njerezit dhe di gjithshka, pse nuk del njehere dhe te mbyllen keto diskutimet.

                      1. X
                        Xhoni

                        Cjane kto budallalleqe! Ka ikur per lesh.

                        1. G
                          Garda Pretoriane (ajo e Skenderbeut)

                          Beni ka te drejte.

                          1. A
                            A

                            EKLISIASTIU 3:11 thote- Perendia e ka bere cdo gje te bukur ne kohen e vet, madje ka vene edhe perjetesine ne zemrat e njerezve. Prapeseprape,ata nuk do ta zbulojne dot kurre nga fillimi deri ne fund punen qe ka bere Perendia I vertete. Vargu 14 thote: - Cdo gje qe ben Perendia I vertete, do te qendroje perjete. S'ke cfare t'i shtosh, as cfare t'i heqesh. Perendia I vertete e ka bere cdo gje ne kete menyre,qe njerezit te kene nderim te thelle per te

                            1. M
                              Mendimi im

                              Çfare eshte Zoti, materie, ndergjegje , apo materie dhe ndergjegje? Zotin kush e krijoi ?! Zoti nuk egziston, egziston padija qe eshte e pafundme si gjithesia. Do vazhdoje njerezimi te zbuloje pambarimisht.

                              1. I
                                Iluzionist , UFO Diplome

                                Mendimi yt ,asht m'rregull . E vetmja gja qi asht zbulue deri m'sot , ja Koqet e Zotit qe i shef kudo shtepive te zotit . Per te gjatin ,as qi bahet llaf .

                              Lini një Përgjigje