140 emra për 61 ‘frone’ lokale: Betejat më të forta të 14 majit, gara me 5 kandidatë në Tiranë

29 Mars 2023, 17:38Politika TEMA

140 emra për 61 ‘frone’ lokale: Betejat më të forta

Nga Danjela Maloku  

14 maji do të rikthejë në fushë-betejën për bashkitë opozitarët, të cilët pas 4 vitesh kërkojnë rikthim në pushtetin vendor Tirana do të ketë betejën kryesore, ndërsa në garë do të ketë të paktën 5 lojtarë.  Socialistët i besuan Erion Veliajt rikandidimin, që kryeqytetasve u kërkon një mandat të 3-të. Opozita përballë tij ka nxjerrë 4 kandidatë, nga rryma të ndryshme të saj.

Belind Këlliçi, i dalë nga procesi i primareve dhe që futet në zgjedhje nën koalicionin Berisha-Meta kërkon ta kthejë bashkinë tek opozita pas 8 vjetësh. Por e djathta përfaqësohet edhe nga një tjetër kandidat, Roland Bejko i PD zyrtare që zgjodhi një gjirokastrit për betejën e Tiranës. Në zgjedhje do të marrin pjesë edhe Lajla Përnaska, ish deputetja demokrate që futet me siglën e PDIU. Me partinë e sapo-krijuar për Tiranën kandidon edhe Arlind Qorri.

Por teksa betejën në Tiranë, pritet ta kenë të fortë e gati-gati të pamundur për ta fituar, opozitarët sytë i kanë nga Kavaja, bastionin historik të PD, të lënë në duart e socialistëve pas bojkotit të 2019. Redjan Krajli kërkon një mandat të dytë, ndërsa Fisnik Qosja i koalicionit “Berisha-Meta” kërkon tja rikthejë opozitës. Në këtë bashki, PD zyrtare nuk ka nxjerrë kandidat.

Edhe kryeqendra e Veriut, Shkodra premton garë të fortë. Socialistët i kanë besuar Benet Becit, që la mandatin e deputetit, daljen në betejën për të marrë kalanë e fundit që mbetet nën drejtimin e demokratëve. Përballë tyre foltorja do rikandidojë kryebashkiakun aktual, Bardh Spahinë. Ashtu sikurse në Shkodër, edhe në 2 bashkitë e tjera të mëdha, Durrës e Elbasan për herë të parë në histori nuk do të ketë kandidatë nën logon e Partisë Demokratike.

Përballja do jetë mes PS, që në Elbasan ka rikandiduar Gledis Llahtjan. Oferta e koalicionit Berisha-Meta është Luçiano Boçi që la parlamentin për bashkinë. Në Durrës rikandidon Emirjana Sakon, pasi kjo e fundit fitoi edhe në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, ndërsa përballë saj do të jetë Igli Cara i Foltores, ish deputet.

Në Lezhë Pjerin Ndreu kërkon mandatin e dytë me socialistët, ndërsa Berisha e Meta kanë kandiduar Pashk Gjonin për të rimarrë bashkinë pas 4 vitesh. Edhe PD zyrtare u fut në garë për bashkinë me Sandër Markun, mjekun specialist të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik Lezhë, i cili zgjodhi të tërhiqej.

Safet Gjici do të përpiqet të mbajë Kukësin rozë, ndërsa përballë ka vetëm 1 kandidat, atë të koalicionit të udhëhequr nga Ilir Meta, por të dalë nga primaret e Sali Berishës, Admir Sinamati. 

Rahim Spahiu, i cili erdhi si risi e 6 marsit te socialistët duke arritur të fitojë bashkinë e Dibrës, rikandidohet nga selia rozë. Nga opozita, Meta-Berisha kandidojnë Ismail Ukën ndërsa PD zyrtare, që në zgjedhjet e pjesshme doli forcë e tretë në këtë bashki, do të provojë me Naim Gazideden, vëllai I ish bashkëpunëtorit të Sali Berishës, Bashkim Gazidedes.

Për Korçën do të luftohet vetëm mes PS e koalicionit parti e Lirisë-Foltore. Sotiraq Filo rikandidon ndërsa përballë do të ketë një grua, Ledina Aliollin, ndër të paktat figura gra që kandidojnë për qytetarin e parë të bashkive të mëdha.  Kandidati i Enkelejd Alibeajt Gjergji Gjata u tërhoq.

Në Gjirokastër e Fier, opozita shkon e përçarë. Kjo bën që gara të jetë më komode për Flamur Golemin e PS që rikandidon për Bashkinë e Gjirokastrës, ndërsa opozita shkon me Dorjan Lanin nga Foltorja e me veterinerin Shemsho Lamaj të PD zyrtare.

Në Fier, PS sërish rikandidim. Pavarësisht se Armando Subashi ishte në krye të akuzave të opozitës ai mori bekimin e socialistëve për t’i kërkuar fierakëve një tjetër mandat. Berisha-Meta në këtë bashki kandidojnë me Evdar Kodhelin, ndërsa PD zyrtare me një grua: Eriselda Zotaj Çela, e angazhuar në Forumin e Gruas.

Në Berat, PS erdhi pa surpriza. Ervin Demo rikandidon përballë Zija Ismailit të Foltores. PD zyrtare as në këtë bashki nuk ka kandidat.

Vlora ishte surpriza më e madhe e socialistëve. PS refuzoi kryebashkiakun aktual Drital Lelin, ndër të paktët që nuk rikandidon dhe garën ia besoi një figure të re, Ermal Dredhës. Përballë tij, Berisha-Meta kandidojnë me Hysni Sharrën, ndërsa logoja zyrtare e PD edhe këtu refuzon përballjen.(Shqiptarja.com)

61 përballjet në të gjithë Shqipërinë

Lini një Përgjigje