Në Tiranë po zhvillohet Konferenca e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike, ku janë mbledhur gjeneralë, komandantë, drejtues të Aleancës dhe ekspertë të fushës, për të diskutuar sfidat e reja të sigurisë në hapësirën digjitale.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në një postim zyrtar, thekson rëndësinë e këtij takimi dhe rolin e Shqipërisë si një partner i besueshëm i NATO-s në këtë fushë.
“Teksa realiteti aktual na ballafaqon me sfida dhe fronte të reja për mbrojtjen kolektive, vendet e Aleancës kërkojnë të shtojnë kapacitetet, bashkëpunimin dhe koordinimin në fushën e mbrojtjes kibernetike dhe sistemeve të sigurta dhe të ndërlidhjes”, shkruan Vengu.
Ai nënvizon se Shqipëria ka dëshmuar një rol të shtuar përmes formimit të Komandës Kibernetike, rritjes së kapaciteteve dhe koordinimit më të ngushtë me NATO-n, duke theksuar se vendi do të vazhdojë të rrisë investimet dhe vëmendjen në këtë sektor jetik për sigurinë kombëtare.
Kujtojmë se ky forum nisi dje, 9 tetor, ndërsa pritet të përfundojë këtë të premte, në orën 15:00.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dërgoi një mesazh nga kjo konferencë duke theksuar se Aleanca është më e vendosur se kurrë për të forcuar kapacitetet e saj në hapësirën kibernetike dhe për të përballuar çdo kërcënim që sfidon sigurinë kolektive.
Lini një Përgjigje