E dinte me saktësi vendin ku ulej i ati deputet në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Madje i ishte ofruar të ulej pikërisht aty. Por ai zgjodhi një tjetër karrige, me një qëllim të qartë: “Kam nisur të ndërtoj Admir Kadelin, sigurisht pa devijuar nga morali, rruga dhe emri që ka lënë Gjovalini.”
Është Admir Kadeli, sot deputet i Partisë Socialiste. Babai i tij, Gjovalin Kadeli, ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Ai u nda nga jeta në vitin 2017, vetëm tri vite pasi familja kishte përjetuar një tjetër humbje të rëndë, ndarjen nga jeta të bashkëshortes së Gjovalinit. Kështu, katër fëmijët e tyre mbetën jetimë.
Admiri, më i madhi, u detyrua të bëhej prind për dy motrat dhe vëllain e vogël. Një rrugëtim aspak i lehtë, që do ta mësonte si përballohen sfidat më të vështira të jetës. “Kur humba nënën, mu duk se do të isha sakat përgjithmonë… kur humba babain, gjithçka u bë terr…”. Humbjet e njëpasnjëshme i shënjuan jetën, por betejat që pasuan e formësuan.
“Miqtë” e babait i njohu më mirë pasi ai u largua nga kjo jetë. Shumë pak prej tyre i qëndruan pranë në momente të vështira. Përveç kujdesit për familjen, atij iu desh të mbante në këmbë dhe të zhvillonte biznesin e të atit. Në ambientet e biznesit, Gjovalini kishte lënë edhe një zyrë të vogël elektorale, ku priste qytetarët. Ajo zyrë nuk u mbyll kurrë. Admiri vazhdoi të priste njerëzit që vinin për të ndarë hallet e tyre, duke mësuar nga afër thelbin e politikës, shërbimin ndaj qytetarëve.
Rruga e tij në politikë kishte nisur herët. Që në vitin 2005 ishte angazhuar në FRESH, ku u njoh edhe me Edi Ramën. Për të, emri dhe kontributi i të atit nuk janë një strehë, por një përgjegjësi dhe një investim moral që duhet nderuar me punë.
“Dua të jem ushtar i qytetarëve dhe jo ushtar i partisë,” shprehet ai, duke e parë politikën si një mision dhe jo si një pozicion. Ai respekton deputetët me përvojë, por beson se të rinjtë janë e ardhmja e afërt e Partisë Socialiste, një brez që duhet të sjellë energji dhe modele të reja brenda grupit parlamentar.
Në raport me kundërshtarët politikë, ai dallon mes betejës politike dhe marrëdhënieve njerëzore. Deputetët e Partisë Demokratike janë rivalë në sallë, por jashtë saj mbeten njerëz me të cilët komunikimi është i domosdoshëm. Megjithatë, ai e sheh situatën brenda opozitës si një krizë të thellë, që në mënyrë të pashmangshme kthehet në avantazh elektoral për mazhorancën.
Mes kaosit të sallës së Kuvendit, ai Admiri kërkon të ruajë dimensionin njerëzor, një element që shpesh humbet në zhurmën politike. Turi “Punët e Shqipërisë”, nuk është propagandë thotë Kadeli, duke theksuar se shifrat dhe projektet konkrete janë dëshmi e punës së bërë. Por sfida më e madhe mbetet integrimi europian. Për të, beteja për Shqipërinë në Bashkimin Europian kërkon bashkëpunim dhe një opozitë më të përgjegjshme.