Tabaku dhe Bylykbashi takojnë gazetarë europianë: Integrimi kërkon reforma reale dhe sundim të ligjit

9 Qershor 2026, 17:50Politika TEMA
Tabaku dhe Bylykbashi takojnë gazetarë europianë: Integrimi

Deputetja e PD dhe kryetarja e Komisionit për Mediat dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, dhe nënkryetari i PD-së Oerd Bylykbashi zhvilluan një takim me gazetarë nga vende të Bashkimit Europian, ku u diskutua procesi i integrimit të Shqipërisë dhe situata politike në vend, përfshirë protestat e fundit qytetare.

Tabaku u shpreh se Shqipëria mbetet e angazhuar në procesin e integrimit europian, por theksoi se sfida kryesore është transformimi real institucional dhe jo vetëm afatet politike.

Sipas saj, debati mbi integrimin nuk duhet të kufizohet tek “data e anëtarësimit”, por tek përmbushja e standardeve dhe vullneti politik për reforma të thella. Ajo shtoi se opozita mbështet çdo nismë ligjore që i shërben procesit të integrimit.

Duke folur për sistemin politik dhe ekonomik në vend, Tabaku deklaroi se Shqipëria nuk funksionon plotësisht mbi parimin e sundimit të ligjit, por përballet me një model ku institucionet ndikohen nga interesa të ngushta, duke prodhuar pabarazi dhe mungesë besimi publik.

Në këtë kontekst, ajo e lidhi pakënaqësinë qytetare dhe protestat me, siç u shpreh, “efektet e një sistemi të kapur”, që ka ndikuar në rritjen e pabarazive ekonomike dhe sociale.

E pyetur nga gazetarët italianë mbi protestat dhe diversitetin e grupeve pjesëmarrëse, Tabaku tha se jo të gjithë protestuesit ndajnë të njëjtat qëndrime politike, por i bashkon kundërshtimi ndaj qeverisë dhe kryeministrit.

Sipas saj, protestat përbëjnë një zhvillim normal demokratik dhe nuk janë të drejtuara politikisht ndaj opozitës, por ndaj problematikave qeverisëse.

Tabaku përmendi gjithashtu çështje të debatit mbi investimet strategjike dhe zonat e mbrojtura, duke kujtuar qëndrimet dhe nismat e opozitës në Parlament dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile.

Në aspektin ekonomik, ajo deklaroi se një pjesë e konsiderueshme e prokurimeve publike përqendrohet në një numër të kufizuar kompanish, ndërsa të ardhurat dhe pensionet në Shqipëri mbeten ndjeshëm nën mesataren e Bashkimit Europian.

Në përfundim, Tabaku tha se protestat reflektojnë një sinjal të rëndësishëm shoqëror dhe tregojnë nevojën për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe funksionim të plotë të shtetit të së drejtës.

1 Komente

  1. A
    Arberia = 0.000 neo-naziste

    Njeri nga Izmiri tjetra nga Atalya flasin per Shqiperine, nuk e di te qash a po te qeshesh

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje