Butikofer: Gënjeshtrat e Vuçiçit po krijojnë mjedis të favorshëm për agresion kriminal kundër Kosovës

25 Shtator 2023, 17:10Rajoni TEMA

Butikofer: Gënjeshtrat e Vuçiçit po krijojnë mjedis

Eurodeputeti gjerman nga radhët e “Të Gjelbërve”, Reinhard Butikofer, reagoi ashpër kundër propagandës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili, një ditë pas sulmit terrorist në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – akuzoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se po kryen “spastrim etnik” me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Butikofer, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij zyrtare në platformën “X”, dënoi gjuhën luftënxitëse të presidentit serb në një takim me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandër Botsan-Kharchenko, paraditen e së hënës, ku ndër të tjera shprehu “mirënjohjen” e tij për ambasadorin rus që “dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe” rreth situatës në Kosovë.

“Vuçiçi gënjen me paturpësi: në Kosovë nuk ka spastrim etnik. Gënjeshtrat serbe po krijojnë një mjedis të favorshëm për agresion kriminal kundër Kosovës. Narrativa e Vuçiçit i jep justifikim ekstremizmit serb”, shkroi eurodeputeti gjerman, derisa pyeti: A do t’i vendosë Bashkimi Evropian (BE) sanksione Serbisë për këtë sjellje?

Dita e hënë (25 shtator) do të jetë ditë zie kombëtare në nderim të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, tashmë i nderuar me titullin ‘Hero i Kosovës’, i cili u vra në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë pas një sulmi të organizuar nga një grup kriminal ende i paidentifikuar saktë për organet e rendit dhe drejtësisë.

 

2 Komente

  1. S
    Sllobodanka

    Vucic do ta fitoje Veriun e Kosovos me "Operacionin Special" te huazuar nga legjendari Putin.

    1. R
      Raimond Vlonjati

      Vucic thote genjehstra, por sherbetori i Vucicit ne Tirane, Rama hajduti nuk thote gjysem fjale kunder genjeshtrave te serbit Vucic, por vetem perkrah Vucicin dhe politken serbe ne Ballkan, sa her ei jepet mundesia

    Lini një Përgjigje