Kurti dhe Vuçiç në raundin e dytë të bisedimeve

18 Gusht 2022, 15:34Rajoni TEMA

Kurti dhe Vuçiç në raundin e dytë të bisedimeve

Liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë përfunduar takimet e ndara dypalëshe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Siç mëson Radio Evropa e Lirë, gjatë ditës pritet që të mbahet rundi i ri trepalësh midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Kjo do të jetë hera e parë që Kurti dhe Vuçiq do të takohen sërish brenda një dite në kuadër të bisedimeve në Bruksel.

Pak pas orës 10:30, Kurti dhe Vuçiç zhvilluan rundin e ri të bisedimeve, në prani të shefit të diplomacisë evropiane Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në ndërtesën e BE-së ku po zhvillohet dialogu po qëndron edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kujtojmë se pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Ky është takimi i tretë midis Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, pasi në qershor dhe korrik të vitit 2021, dy takimet kishin përfunduar pa ndonjë rezultat.

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës dhe Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë, në mëngjesin e ditës së enjte janë takuar ndarazi me Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Kështu të paktën ka njoftuar vetë Borrell, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Twitter.

Borrell në njoftimin e postuar në Twitter ka shkruar se nga takimi i sotshëm pret që Kurti dhe Vuçiç të gjejnë një gjuhë të përbashkët.

“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar sërish se është koha për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë. Unë pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur dhe fleksibël për të gjetur gjuhën e përbashkët”, ka shkruar Borrell.

Qasja e Josep Borell brenda takimit mund të jetë krejtësisht e njëjtë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, por e tillë nuk ishte në pozimin para kamerave kur u pa një herë me Albin Kurtin e pastaj me Aleksandër Vuçiç-in.

Borell kishte tjetër qasje në pritje të Kurtit e krejt tjetër fare kur priti Vuçiç-in.

Borrell, përveç se nuk ja ka zgjatur dorën Kurtit në fillim të takimit, siç bëri me Vuçiç-in paraprakisht, ka qenë mjaftë indiferent me qasjen ndaj të parit të ekzekutivit.

Gjersa fotoreporterët po mundoheshin të kapnin pozën e duhur, Borrell me ironi ka pyetur për takimin që Albin Kurti ka pasur me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, një ditë para takimit trelateral në Bruksel.

“Keni takuar dje sekretarin gjeneral te NATO-s?”, ka pyetur Borrell.

“Po”, i është përgjigjur Kurti, duke shtuar se “takim ka shkuar shumë mirë”.

“Janë gati të dërgojnë më shumë trupa më thanë?”, ka pyetur Borrell – Kurtit, duke dashur të konfirmojë nga dora e parë se a janë të vërteta raportimet e gazetave, se dje në takim Stoltenberg ka premtuar shtimin e trupave të KFOR-it nëse situata e sigurisë në Veri kërkon një gjë të tillë.

“Po, nëse është e nevojshme”, ja ka kthyer Kurti i buzëqeshur.

Në fund të bisedës disa sekondëshe gjersa dy liderët po fotografoheshin, Borrell disi i ftohtë ja ka zgjatur dorën Kurtit duke ja bërë të ditur se shtimi i numrit të trupave të KFOR-it nuk do të jetë i nevojshëm.

“Shpresoj edhe unë, gjithashtu”, ka shtuar Kurti.

Lini një Përgjigje