Vuçiq thotë se Radoiçiq duhet të përgjigjet para organeve serbe

29 Shtator 2023, 20:22Rajoni TEMA
Vuçiq thotë se Radoiçiq duhet të përgjigjet para

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në një konferencë për shtyp më 29 shtator se kishte një bisedë telefonike “të gjatë” dhe “jo të lehtë” me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Vuçiq tha gjithashtu se Blinken ka folur edhe për masat e mundshme, “nëse nuk sillemi siç duhet”.

Kjo bisedë mes Vuçiqit dhe Blinkenit vjen disa ditë pas sulmit në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës.

Kosova fajëson Serbinë për këtë ngjarje.

“Gjëja për të cilën ramë dakord është se nevojitet shtensionimi, se nevojitet një rol dukshëm më i madh i KFOR-it”, tha Vuçiq, duke shtuar se do të dëshironte që roli i KFOR-it të ishte “ekskluziv, veçanërisht në veri” të Kosovës.

Më 29 shtator, NATO njoftoi se ka vendosur të rrisë numrin e trupave në Kosovë për shkak të tensioneve të shtuara në veri të Kosovës dhe u bëri thirrje “të gjitha palëve që urgjentisht ta shtensionojnë [situatën]”.

Vuçiq po ashtu tha se ka mohuar “të pavërtetat për rritjen e gatishmërisë luftarake në shkallën më të lartë të Serbisë”, duke shtuar se ai nuk ka nënshkruar një vendim të tillë.

“Ne nuk u pajtuam për natyrën e asaj që ndodhi në Kosovë, veçanërisht për sovranitetin e Kosovës”, tha Vuçiq, duke përsëritur pretendimin e mëparshëm të zyrtarëve në Serbi se ka dëshmi se disa nga sulmuesit janë vrarë nga Policia e Kosovës pasi ishin dorëzuar.

Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje nga Policia e Kosovës për këtë pretendim.

“Nuk mund të pajtohesha se ishte një veprim i përsosur, i bërë profesionalisht [i Policisë së Kosovës]”, tha ai.

Vuçiq thotë se Radoiçiq duhet të përgjigjet para organeve serbe
Vuçiq deklaroi se Millan Radoiçiqi “do të duhet t'i përgjigjet” ftesës së organeve kompetente shtetërore.

Ky është reagimi i parë i Vuçiqit pasi Radoiçiqi mori përgjegjësi për organizimin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.

Në këtë sulm u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërkaq në përleshje me Policinë u vranë edhe tre sulmues.

“Unë jam i sigurt se autoritetet kanë arsye të bëjnë pyetje, dhe se a do ta ndjekë penalisht prokurori dhe për çfarë krimi, kjo nuk është pyetje për mua. Është pyetje për prokurorin dhe organet e tjera kompetente shtetërore”, tha Vuçiq.

“Nëse dikush mendonte se ai [Radoiçiqi] do të ikte ose do të fshihej, ai nuk do ta bëjë”, shtoi ai.

Ai gjithashtu vlerësoi se Radoiçiqi është “krenar” për rolin e tij në sulmin e armatosur dhe se “ai dhe djemtë që morën pjesë në të [sulm], e shohin atë [sulmin] në një mënyrë tjetër”.

“Nuk mendoj se dikush ka të drejtë ta vrasë dikë, do të duhet të bëhen disa pyetje, ndoshta ai nuk ka pasur rol në atë pjesë, pra prokurori do të gjejë diçka tjetër, ose nuk do të gjejë gjë, kjo është një pyetje për prokurorinë. E di që policia duhet të mbledhë informacione, pastaj vjen prokurori dhe merr vendim”, tha Vuçiqi.

Më 29 shtator, Millan Radoiçiq, që tha se po jep dorëheqje nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – përmes avokatit të tij e pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

Më herët, autoritetet në Kosovë kanë publikuar dëshmi, sikurse një video të incizuar me dron, ku shihej Radoiçiqi i armatosur dhe i veshur me uniformë në Banjskë.

Sulmi në Banjskë u dënua nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Shumë anëtarë të Bashkimit Evropian kërkojnë vendosjen e masave kundër Serbisë nëse vërtetohet lidhja e Beogradit me sulmin në Banjskë, kanë thënë burime diplomatike për Radion Evropa e Lirë.


Radoiçiq, i kërkuar në Kosovë, i vlerësuar në Serbi
Kosova, përmes një rezolute të miratuar në Kuvend, ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për Serbinë lidhur me rolin e saj në këtë sulm.

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

1 Komente

  1. B
    Berti

    Radoiqic ka bërë krime kundër Kosovës, kështu duhet të ndalohet dhe të gjykohet nga Republika e Kosovës. Serbia nga ana tjetër nuk duhet ti fryjë urreve të zjarrit se do të digjet vetë. Duhet të ndalojë aktet subversive dhe terroriste ndaj shtetit të pavarur, Kosoves. Vucic boll bërë avokatin, prokurorin dhe gjyqtarin. Këta kriminele kanë veprimtarinë e tyre brenda Kosives, kështu qe do te japin llogari deri në një. Hajt tung.

    Lini një Përgjigje