Kanceri përgjatë historisë

4 Maj 2024, 22:00Shëndeti TEMA
Kanceri përgjatë historisë

Nga Konstantine Panegyres*

Një nga përshkrimet më të hershme të një njeriu që vuante nga kanceri vjen nga shekulli i katërt para Krishtit. Satyrus, tiran i qytetit të Heracleia-s në Detin e Zi, kishte një tumor midis ijeve dhe skrotumit. Ndërsa kanceri përhapej, dhimbjet e Satyrus sa vinin e shtoheshin. Ai nuk mund të flinte dhe kishte konvulsione.

Kanceret e avancuara në atë pjesë të trupit konsideroheshin si të paoperueshëm dhe nuk kishte ilaçe mjaftueshëm të forta për t’i lehtësuar agoninë. Kështu që mjekët nuk mund të bënin asgjë. Përfundimisht, kanceri i mori jetën Satyrusit në moshën 65-vjeçare.

Kanceri njihej në këtë periudhë. Një tekst i shkruar në fund të shekullit të pestë ose në fillim të shekullit të katërt para Krishtit, i quajtur “Sëmundjet e Grave”, përshkruante se si zhvillohet kanceri i gjirit:

…formohen gunga të forta […] prej tyre zhvillohen kancere të fshehura […] dhimbjet shkojnë nga gjinjtë e pacienteve në fyt dhe rreth anës të shpatullave […] pacientë të tillë dobësohen në të gjithë trupin […] frymëmarrja zvogëlohet, ndjenja e nuhatjes humbet […]

Punime të tjera mjekësore të kësaj periudhe përshkruajnë lloje të ndryshme kanceresh. Një grua nga qyteti grek Abdera vdiq nga një kancer në gjoks; një burrë me kancer në fyt mbijetoi pasi mjeku ia dogji tumorin.

Nga vjen fjala 'kancer'?

Fjala kancer vjen nga e njëjta epokë. Në fund të shekullit të pestë dhe në fillim të shekullit të katërt para Krishtit, mjekët përdornin fjalën karkinos – fjalë e greqishtes së lashtë për gaforre - për të përshkruar tumoret malinje. Më vonë, kur mjekët latinishtfolës përshkruan të njëjtën sëmundje, ata përdorën fjalën latine për gaforre: kancer. Pra, emri kishte mbetur.

Edhe në kohët e lashta, njerëzit pyesnin veten pse mjekët i vunë kësaj sëmundjeje emrin e një kafshe. Një shpjegim ishte se gaforrja është një kafshë agresive, ashtu si kanceri mund të jetë një sëmundje agresive; Një shpjegim tjetër ishte se gaforrja mund të mbërthejë një pjesë të trupit të një personi me kthetrat e saj dhe të jetë e vështirë për t'u hequr, ashtu si kanceri mund të jetë i vështirë për t'u hequr pasi të zhvillohet. Të tjerë menduan se ishte për shkak të pamjes që ka tumori.

Mjeku Galen (129-216 pas Krishtit) e përshkroi kancerin e gjirit në veprën e tij « A Method of Medicine to Glaucon », dhe e krahasoi formën e tumorit me formën e një gaforreje:

Ne kemi parë shpesh në gjoks një tumor që i ngjan një gaforreje. Ashtu si gaforrja që ka këmbë në të dyja anët e trupit, edhe në këtë sëmundje damarët e ënjtjes së panatyrshme shtrihen në të dyja anët, duke krijuar një formë të ngjashme me një gaforre.
Shkaku i kancerit

Në periudhën greko-romake kishte mendime të ndryshme për shkakun e kancerit.

Sipas një teorie të përhapur të lashtë mjekësore, trupi ka katër lëngje: gjak, vrer i verdhë, gëlbazë dhe vrer i zi. Këto katër lëngje duhet të mbahen në gjendje ekuilibri, përndryshe njeriu sëmuret. Nëse një person kishte me tepricë vrer të zi, mendohej se kjo përfundimisht do të çonte në kancer.

Mjeku Erasistratus, i cili jetoi rreth vitit 315 deri në 240 para Krishtit, nuk binte dakord me këtë shpjegim. Megjithatë, me sa dimë, ai nuk ka ofruar një shpjegim alternativ.

Si trajtohej kanceri?

Kanceri trajtohej në mënyra të ndryshme. Mendohej se kanceret në fazat e tyre të hershme mund të kuroheshin duke përdorur medikamente.

Këto përfshinin ilaçe të nxjerra nga bimët (të tilla si kastraveci, sythi i narcisit, fasulja e kastorit, kërpudha e hidhur, lakra); kafshë (të tilla si gaforret); dhe metale (si arseniku).

Galeni pohoi se duke përdorur këtë lloj mjekimi dhe duke pastruar vazhdimisht pacientët e tij me ilaçe që nxisnin të vjellat ose klizma, ai ndonjëherë ishte i suksesshëm në zhdukjen e kancereve në zhvillim. Galen thoshte se i njëjti trajtim ndonjëherë parandalonte që kanceret më të avancuara të vazhdonin të rriteshin. Megjithatë, ai thoshte edhe se operacioni ishte i nevojshëm nëse këto medikamente nuk funksiononin.

Kirurgjia zakonisht shmangej pasi pacientët prireshin të vdisnin nga humbja e gjakut. Operacionet më të suksesshme ishin për kancerin e thithkës së gjirit. Leonidas, një mjek që jetoi në shekullin e dytë dhe të tretë pas Krishtit, e përshkruan kështu metodën e tij, e cila përfshinte djegien:

Unë zakonisht operoj në rastet kur tumoret nuk janë në kraharor […] Kur pacientja është shtrirë në shpinë, unë pres zonën e shëndetshme të gjirit sipër tumorit dhe më pas e djeg prerjen derisa të krijohen kore dhe gjakderdhja të ndalet. 

Më pas bëj përsëri prerje, duke shënuar zonën ndërsa pres thellë në gji dhe përsëri bëj djegien. Unë e bëj këtë [prerjen dhe djegien] mjaft shpesh […] Në këtë mënyrë gjakderdhja nuk është e rrezikshme. Pas përfundimit të ndërhyrjes, unë përsëri djeg të gjithë zonën derisa të thahet.

Kanceri në përgjithësi konsiderohej si një sëmundje e pashërueshme, dhe për këtë ngjallte frikë. Disa njerëz me kancer, si poeti Silius Italicus (26-102 pas Krishtit), u vetëvranë për t'i dhënë fund mundimit.

Pacientët gjithashtu do t'u luteshin perëndive për shpresën e një shërimi. Një shembull i kësaj është Innocentia, një zonjë aristokrate që jetoi në Kartagjenë (në Tunizinë e sotme) në shekullin e pestë pas Krishtit. Ajo i tha mjekut të saj se një ndërhyrje hyjnore ia kishte shëruar kancerin e gjirit, por doktori i saj nuk e besoi.

Nga e kaluara në të ardhmen

Në hyrje të këtij shkrimi folëm me Satirin, një tiran në shekullin e katërt para Krishtit. Rreth 2400 vjet që nga ajo kohë, shumëçka ka ndryshuar në njohuritë tona lidhur me atë se çfarë e shkakton kancerin, si ta parandalojmë dhe si ta trajtojmë atë. Ne gjithashtu e dimë se ka më shumë se 200 lloje të ndryshme kanceri. Kanceri i disa njerëzve menaxhohet me kaq sukses, saqë ata vazhdojnë të jetojnë gjatë.

Por ende nuk ka një "shërim total për kancerin", një sëmundje që rreth një në pesë njerëz e zhvillon gjatë jetës. Vetëm në vitin 2022, pati rreth 20 milionë raste të reja me kancer dhe 9.7 milionë vdekje nga kanceri në mbarë botën. Është e qartë se kemi një rrugë të gjatë për të bërë.

*Studiues postdoktoral, Studime Historike dhe Filozofike, Universiteti i Melburnit

The Conversation

Lini një Përgjigje