Homazh dhe rrëfim për Fatosin, fqinjin tim të varfër që vari veten në një lis...

20 Gusht 2022, 10:13Sociale TEMA

Homazh dhe rrëfim për Fatosin, fqinjin tim të varfër që

Nga Ahmet Ҫollaku

Në fshatin Rrajcë te Përrenjasit, Fatos Ҫollaku, 48 vjeç vari veten nga varfëria. Ky është çuni i Musa Ҫollakut, që ka dhjetë vite që ka vdekur, nip i Merko Ҫollakut, që në vitet pesëdhetë, u arratis në Jugosllavi. Rrajcarët ia dinë shtigjet Krastës si venat e gjakut në trupin e tyre. Merkos nuk dihet si i shkoi puna, sepse asnjëherë nuk u bë më i gjallë.

Po le të vazhdojmë me Fatosin, këtë të “kohës së demokracisë”, që po e ndërtojmë kaq bukur me ndihmën e supervizorëve të huaj.

Lajmi në media thotë se Fatosin e gjeti të vdekur në pyllin e Krastës, një bari nga fshati, në anën e majtë kur shkon për në Qafë Thanë. Kishte varur veten në një lis.

Ai jetonte me të motrën, me një  ndihmë sociale vetëm 30.000 lekë të vjetra në muaj. Sa një gjysëm puro e zakonshme për të zgjedhurit e Gjirit të Lalzit. Kaq kushton jeta në Rrajcë, por jo të gjithë duan të dinë nëse ka Shqiperi edhe përtej Gjirit të Lalëzit.

Unë kam lindur në Rrajcë pranë shtëpisë të Fatosit. Edhe shtëpia ime e lindjes është afër atyre gurëve të mëdhenj që rëndojnë me shekuj. Në ta mbijnë lule, trendëlinë, lule qyqeje, lule shqerra, manushaqe, çaj mali, rigon. Këtë vend, ku ndihet era e plehut të bagëtive, e fermentimit te kumbullave, e manave, e rrushit nëpër fuçi, nuk do ta ndërroja me asnjë vend tjetër në botë, as me Majamin, Washingtonin, apo Parisin.

Në të dy krahët e Krastës gjen akoma istikame të luftrave të të huajve, gjen bomba, fishekë, armë. Tani në Rrajcë po ndodh diçka e tmerrshme: atë që serbët nuk e bënë dot  me armë, po e bëjnë  qeveritarët tanë 30-vjeçarë.

Shtëpia e Fatosit është në krye të një rripe, që aty kufiri nuk mban më shumë se tridhjetë minuta. Ka disa rrugë që të çojnë në kufi, deri tek Krasta. Rruga më e shkurtër është t’u ngjitesh më këmbë atyre parcelave të vogla mbi shtëpinë e Fatosit, pastaj të arrish në Spile. Spileja është parcelë e familjes time, e bukur që zgjatet në veri deri te Guri i Trëndelinës. Nga fundi i Spilesë ishte një burim, pranë të cilit ne kishim stanin e bagëtive… Që nga ai vend, shikon Rajcën dhe  fshatrat përrreth. Kufiri mban vetëm dhjetë minuta.

Por Fatosi as një here nuk kishte  menduar të largohej nga parcela e tij ku ia kishte caktuar fatin Zoti, ai mund të largohej natën ose ditën, me pasaporte apo pa pasaportë,  si demokrat, apo si socialist, si komunist apo si amerikan… Këtë arrati e bëri shumë vite më pare Merkua, një “herkul” që nuk donte t’ia dinte për asnjë.

Në vitet ’90 të shekullit kaluar, në fillim të demokracisë, Krasta u bë Teatri i Shekspirit, aty u vranë me dhjetëra fshatarë dhe të huaj, aty kaluan pa doganë tufa të tëra lopësh dhe bagëtish, viça me hormone, viça me koqe dhe pa koqe. Ato ditë armët kërcisnin pa pushim.

Sfondi rreth shtëpisë së Fatosit është me shumë gurë dhe pemë, dikur aty rriteshin gjithë pemët e parajsës, arrat, rrushi, kumbullat, mollët, dardhat, qershitë, lulet… I kujtoj të gjithë këto dhe bie në mendime, kujtoj gjyshin e Fatosit, rritur në atë shtëpi si postbllok në krye të asaj  rripe, ku edhe unë jam rrëzuar qindra herë…

Shkoja shpesh në shtëpinë e tyre. Vërtetë ata nuk ishin të pasur, por kurrë nuk mund të mendoje se do të vinte një ditë dhe nipi i Markos në kohën demokratike do të varte veten në trupin e një lisi. Më tronditi kjo ngjarje e dhimbshme se më kujton fshatin, bashkë fshatarët e mi dhe pa dyshim fëmijërinë time.

Fatosin e çoi në vetëvrasje gjendja ekonomike, sistemi ynë shoqëror dhe social, kjo varfëri ekstreme, ky boshllëk motivesh dhe shembujsh të denjë. Ishin motër dhe vëlla, Fatosi  punonte në fshat, po hera herës kërcente për punë nga Vlora. Ndihma nga pushteti  vendor ishte e paperfillshme, me aksione, në prag zgjedhjesh dhe festash. Ndihma që merrnin ishte një kafe alla qeveritare. Njerëzit e afërm  ishin larguar. Ujin, dritat, ua ndërprisnin se nuk paguanin faturat. Aty ua leshonin, por po aty ua nderprisnin, luanin me varfërinë.

Ne na mbron NATO, po Fatosin ajo s’kish si ta ndihmonte! Qeveritarët dhe disa vendas i merrnin nëpër këmbë këta të varfër, i përçmojnë, i përbuzin, po votat ua duan.

Ah Rrajcë, vendlindja ime, parajsa ime në këtë dhe në atë botë!

2 Komente

  1. A
    Arben

    Gjynah I madh per Fatosin dhe per mijra fukarenje ne Shqiperi. U prehte ne paqe! Kete shkrim duket se e ke bere per vete se shume I perdor fjalet "une" dhe "mua". Nuk e di nese je gazetar apo shkrimtar, por nuk dini te beni shkrime pa perdorur fjale per vete? Perdorni me shume veten e trete o Shqiptare!!

    1. A
      Arben

      Gjynah I madh per Fatosin dhe per mijra fukarenje ne Shqiperi. U prehte ne paqe! Kete shkrim duket se e ke bere per vete se shume I perdor fjalet "une" dhe "mua". Nuk e di nese je gazetar apo shkrimtar, por nuk dini te beni shkrime pa perdorur fjale per vete? Perdorni me shume veten e trete o Shqiptare!!

      Lini një Përgjigje