Mbi 10 miliardë lekë për sigurinë kibernetike – Qeveria nis Planin e Veprimit 2025–2027

26 Tetor 2025, 19:59Sociale TEMA

Mbi 10 miliardë lekë për sigurinë kibernetike –

Qeveria shqiptare ka miratuar Planin e Veprimit 2025–2027, pjesë e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2025–2030, një dokument ambicioz që parashikon investime prej 10.29 miliardë lekësh për forcimin e mbrojtjes digjitale të vendit.

Sipas planit të parë nga Albanian Post, i cili zbatohet nga Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike (AKSK) në bashkëpunim me institucionet kryesore shtetërore, qëllimi është ndërtimi i një infrastrukture të sigurt, të qëndrueshme dhe të aftë për t’u përballur me rreziqet gjithnjë në rritje të hapësirës kibernetike.

Pjesa më e madhe e buxhetit, plot 9.63 miliardë lekë, do të përdoret për Politikën 1, që ka në fokus mbrojtjen e infrastrukturës kritike digjitale.
Kjo përfshin zbatimin e Ligjit të ri për Sigurinë Kibernetike, ngritjen e sistemeve të monitorimit në kohë reale, rritjen e kapaciteteve njerëzore përmes trajnimeve dhe ndërtimin e laboratorëve praktikë të sigurisë.


Në këtë fazë, synohet që deri në fund të vitit 2027 të funksionojë plotësisht rrjeti kombëtar i qendrave të reagimit ndaj incidenteve (CSIRT), i cili do të mbulojë sektorët publikë dhe privatë me rëndësi kombëtare.

Një tjetër shtyllë e planit, Politika 2, parashikon 242 milionë lekë për mbrojtjen online të qytetarëve dhe ngritjen e kulturës kibernetike.


Në këtë kuadër, do të zhvillohen fushata ndërgjegjësimi për sigurinë në internet, përfshirë platforma si “Red Button” për raportimin e përmbajtjeve të paligjshme, si dhe programe edukative në shkolla për të mësuar fëmijët dhe të rinjtë mbi përdorimin e sigurt të rrjeteve.

Një pjesë e këtyre fondeve do të shkojë për trajnimet e bizneseve të vogla dhe të mesme (SME-ve), të cilat shpesh janë objekt i sulmeve kibernetike për shkak të mungesës së mbrojtjes digjitale.

Në kuadër të Politikës 3, parashikohen 31 milionë lekë për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.


Kjo përfshin ushtrime të përbashkëta rajonale, trajnime me partnerët e BE-së dhe NATO-s, si dhe zhvillimin e diplomacisë kibernetike për përfshirjen e Shqipërisë në rrjete të koordinuara ndërkombëtare kundër sulmeve digjitale.

Politika 4, me një buxhet prej 90 milionë lekësh, synon nxitjen e inovacionit dhe kërkimit shkencor në këtë fushë.


Plani parashikon ngritjen e një Qendre Kombëtare të Ekselencës për Sigurinë Kibernetike, mbështetjen e start-up-eve teknologjike, organizimin e hackathon-eve kombëtare dhe krijimin e fondeve për projekte të kërkimit në inteligjencën artificiale dhe teknologjitë emergjente.

Një element i ri në këtë plan është Politika 5, e fokusuar në luftën kundër kërcënimeve hibride, që do të financohet me 295 milionë lekë.
Kjo nismë përfshin hartimin e kuadrit ligjor për dezinformimin dhe ndërhyrjet digjitale, si dhe ngritjen e një strukture të posaçme për koordinimin ndërinstitucional kundër manipulimeve online dhe ndikimeve të huaja.


Sipas dokumentit, do të përdoren edhe teknologjitë e inteligjencës artificiale (AI) për zbulimin dhe reagimin e hershëm ndaj fushatave dezinformuese.

Zbatimi i planit mbështetet kryesisht nga Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike (AKSK), e cila mban mbi 90% të barrës financiare dhe teknike të masave.
Dokumenti vlerëson se ekziston një hendek financiar prej 2.4 miliardë lekësh, i cili pritet të mbulohet përmes donatorëve ndërkombëtarë dhe projekteve të asistencës teknike.

Sipas Ministrisë së Brendshme dhe AKSK-së, ky plan përbën investimin më të madh të tre viteve të ardhshme në sigurinë kibernetike, duke synuar mbrojtjen e institucioneve publike, bizneseve dhe qytetarëve nga rreziqet digjitale.

“Siguria kibernetike nuk është më luks, por domosdoshmëri kombëtare. Çdo investim në këtë fushë është investim në mbrojtjen e shtetit dhe qytetarëve në epokën digjitale”, thuhet në relacionin shoqërues të dokumentit.

1 Komente

  1. T
    Te fala Zahos

    Shoku Edi apo me mire te themi shoku Komant i Termet Pecit qe do rrjepesh do te rrjepesh, por ule pak kuaoten e 10 miliard leke deri ne 2030 per Politiken 1, 2 , 3, 4, 5, 6 a ka me numra te tjere apo te presim kur te shkosh deri tek Politika 10. Te sugjeroj qe te lidhesh kontrate per sigurine kibernetike me Muxhahedinet e Manzes me nje te te dhjeten e asj qe ke planifkuar, ata jane nje hap perpara teje ne kete fushe. Vetem me Muxhahedinet e Manzes e zgjidh kete problem dhe ata nuk do te nderhyjne ne pislliqet e Qeverise tende, me nje gur vret dy zogj, ben "sigurine" kibernetike dhe ke ne xhep Muxhahedinet.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje