Në Shqipëri, diabeti po shndërrohet jo vetëm në sfidë shëndetësore, por edhe shoqërore. Mjekët paralajmërojnë se 3 në 10 persona me diabet përballen me vështirësi në vendin e punës, shpesh duke u detyruar ta fshehin sëmundjen për të mos u përballur me paragjykime.
“Shpesh pacientët kërkojnë të mos u lëshohet raport apo recetë, sepse nuk duan që në punë të marrin vesh se janë me diabet,” – thonë mjekët, duke theksuar se stresi dhe ankthi në këto raste përkeqësojnë gjendjen shëndetësore.
Sipas specialistëve, kortizoli dhe hormonet e stresit rrisin nivelin e sheqerit në gjak, duke e bërë më të vështirë menaxhimin e sëmundjes tek personat që kanë mungesë ose prodhim të pamjaftueshëm insuline.
Në muajin e ndërgjegjësimit për diabetin, Shoqata e Personave me Diabet ngriti zërin edhe për një tjetër problem: rregullat diskriminuese për patentat.
Aktualisht, personat me diabet duhet të ripërtërijnë patentën çdo 2–3 vjet, ndonëse shumë prej tyre nuk kanë komplikacione.
Me ndryshimin e stilit të jetesës, numri i pacientëve me diabet në Shqipëri është në rritje. Rreth 10% e popullsisë së rritur vuan sot nga kjo sëmundje kronike, që shpesh mbetet e padiagnostikuar për vite me radhë.
Lini një Përgjigje