Fillimet dhe kalimi tek Arsenal e Barcelona, Silvinjo kujton ish-trajnerët: Do i ftoj në Tiranë

4 Tetor 2025, 17:23Sport TEMA
Fillimet dhe kalimi tek Arsenal e Barcelona, Silvinjo kujton ish-trajnerët:

Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, ka dhënë një rrëfim ekskluziv për Klan News, me gazetaren Viola Spiro.

Tekniku kuqezi, ka kujtuar fillimet e tij në futboll si një fëmijë, por edhe nënshkrimin e kontratës së parë si profesionist.


Sipas Silvinjos, futbolli nuk është vetëm një sport, por një derë drejt mundësive në jetë.

“Duhet të kthehem shumë kohë pas. Në moshën 7-8 vjeçare, në rrugët e San Paolos luhej vetëm futboll. Shkoja në shkollë në mëngjes dhe pasdite luaja futboll. Mezi i prisja fundjavat, për të shkuar me babain të luaja. Shumë shpejt u bëra pjesë e një ekipi të rinjsh dhe mezi prisja të nënshkruaja kontratën e parë profesionale. Ajo erdhi rreth moshës 18-19 vjeç.

Në moshën 20-vjeçare isha futbollist profesionist. Në atë moment kuptova që futbolli nuk ishte vetëm një sport, por një derë që hapej drejt mundësive në jetë. Sporti të jep disiplinë. Futbolli më vuri në vijë dhe më mësoi të punoja me seriozitet”, tha ai.

Silvinjo, në rrëfimin e tij, kujtoi edhe kalimin tek Arsenali e Barcelona, ku u bë i njohur në Europë. Ai e konsideroi veten me fat, pasi si lojtar është drejtuar nga Rijkaard, Guardiola dhe Wenger, ndërsa në hapat e parë si trajner, ishte ndihmës i emrave të njohur si Mancini dhe Tite. Silvinjo premtoi se do i ftojë në Tiranë, por shtoi se do të jetë e vështirë për tu realizuar, për shkak të angazhimeve që ata kanë.

“Për fat të mirë kam qenë gjithmonë i disiplinuar. Ishin një brez i ashpër, por edhe i dashur. Isha me fat, sepse Arsenali ishte dera e parë në Europë. Një përgjegjësi e madhe.

Te Barcelona ishte një periudhë e mrekullueshme. Erdhi kur isha 30 vjeç, me shumë eksperiencë. Ishte një dhomë zhveshje e mbushur me uri për fitore, kishte respekt të madh mes lojtarëve. Të gjithë donin të luanin, por kishte edhe respekt. Secili jepte maksimumin kur futej në fushë. Me kalimin e viteve, disa kontakte ftohen, për shkak të lëvizjeve. Ajo që të çon drejt suksesit, është uria dhe respekti ndaj njëri-tjetrit.

Kam qenë me fat. Si lojtar kam punuar me Guardiolën, Rijkaard dhe Wenger. Si trajner kam punuar me Mancinin dhe Tite. Jam shumë mirënjohës, sepse të gjithë më kanë mësuar. Unë premtoj se do i ftoj në Tiranë, por është e vështirë për të gjetur kohë, për shkak të angazhimeve që kanë”, u shpreh Silvinjo.

Lini një Përgjigje