
Tirana përfiton maksimalisht nga hapi fals i Partizanit dhe merr tre pikët ndaj Bylisit, duke u shkëputur të vetëm në krye të renditjes së Superiores me 31 pikë, dy më tepër se të kuqtë, që pas barazimit me Kastriotin, shkojnë në kuotën e 29 pikëve.
Të karikuar nga “ngecja” e Partizanit, bardheblutë e nisën shumë vrullshëm ndaj Bylisit dhe shënuan golin e parë me anë të Hasanit në minutën e 10’, ndërsa në minutat 28’ dhe 32’ ishte sulmuesi Patrick që dërgoi dy herë topin në rrjetë, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me shifrat 3-0.
Pjesa e dytë ishte një formalitet, me ballshiotët që provuan të reagojnë me golin e Souzës në të 60-ën, por 10 minuta më vonë ishte sërish Patrick që shënoi golin e katërt për Tiranën e të tretin personal, duke marrë në shtëpi edhe topin e ndeshjes.
Bën detyrën edhe Vllaznia, që në ditën e debutimit të Bekim Balajt, ia doli të mposhtë Laçin me rezultatin 4-1, duke u ngjitur kështu në vendin e tretë me 28 pikë, vetëm 3 larg Tiranës kryesuese.
Sulmuesi 32-vjeçar i Kombëtares Shqiptare iu bashkua shkodranëve një javë më parë dhe ishte në pankinë në sfidën ndaj kurbinasve, teksa në pjesën e parë pa kolegun e repartit, Ardit Hoxhajn që të shënonte dy herë.
Laçi i Mezanit rihapi ndeshjen në të 66-ën me anë të Vasil Shkurtajt, megjithatë në kampin kuqeblu ishte qendërmbrojtësi kroat Juriç ai që riktheu qetësinë, duke shënuar golin e tretë në të 73-tën dhe në shtesë, njeriu i momentit, Fjoart Jonuzi vulosi rezultatin 4-1..
Bekim Balaj u aktivizua në minutën e 58’ në vendin e brazilianit Kaina dhe mori duartrokitjet e tifozëve të klubit ku u formua si futbollist, por nuk arriti të lërë gjurmë në ndeshjen e tij të parë me fanellën kuqeblu, pas 12 vitesh e gjysmë.
Lini një Përgjigje