Forumi i parë ministror ndërmjet Italisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor i zhvilluar në Romë, afirmoi rolin e Shqipërisë si urë lidhëse mes kulturave, historisë dhe vlerave njerëzore në rajon. Për dy ditë në këtë forum, morrën pjesë ministrat e Turizmit të rajonit, të cilët ndanë ide dhe përvoja mbi ofertat turistike të vendeve të tyre.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cilësoi mjaft pozitiv këtë formum për krijimin e një platforme të përbashkët në fushën e turizmit, si një motor ekonomik dhe shtyllë e emancipimit social. Kumbaro vlerësoi bashkëpunimin me Italinë, si shembull i qartë i përpjekjeve për ta pozicionuar rajonin si një destinacion unik mesdhetar.
“Rajoni i Ballkanit përfaqëson një pjesë të rëndësishme të hartës turistike të Mesdheut, ku Shqipëria shfaqet si një portë hyrëse përmes Adriatikut dhe Jonit, dete që ndahen mes Shqipërisë dhe Greqisë, Italisë e Malit të Zi. Secili vend ka specifikat e veta. Këto nuk janë sfida, por mundësi për t’u zhvilluar.
Turizmi në Shqipëri është një ndër industritë më të rëndësishme, vendi ynë u promovua si një model suksesi, jo vetëm nga kolegët rajonalë, por edhe nga përfaqësues të botës së biznesit që morën pjesë në pjesën e dytë të forumit” – tha ministrja Kumbaro.
Nisma e këtij forumi erdhi nga Ministria italiane e Turizmit, si pjesë e angazhimi për të krijuar ura më të forta bashkëpunimi me vendet e Ballkanit. Shumë vizitorë kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion, ku një rritje e madhe e turistëve italianë është shënuar edhe këtë verë.
Lini një Përgjigje