Disa prej investimeve që po realizohen në infrastrukturën rrugore kanë patur ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në bashkinë e Shkodrës, duke nxitur jo vetëm rritjen e numrit të turistëve, por edhe gjallërimin në sektorët e shërbimeve. Kalaja “Rozafa” bashkë me Urën e Mesit janë dy nga atraksionet më të vizituara në Shkodër.
“Pjesa më e madhe e tyre janë të interesuar për të shikuar Kalanë. Pjesa më e madhe e turistëve janë spanjollë dhe francezë që këtë vit kanë qenë më të shumtë në numër”, deklaroi Specialistja e Zyrës së Informimit, Imelda Mullini.
Për mikrofonin e RTSH, turistët kanë rrëfyer emocionet e tyre për Shkodrën.
“Është hera jonë e parë në Shqipëri dhe po e shijojmë shumë. Fjetëm pranë lumit dhe e pamë Kalanë prej aty. Kështu që, donim ta vizitonim kalanë e qytetit”, tha një prej turistëve.
“Jam nga Franca, është hera e parë në Shqipëri dhe Ballkan. Sapo kam ardhur në Shkodër dhe deri tani kam vizituar Xhaminë dhe Urën e Mesit”, deklaroi një tjetër turist.
Shkodra ka edhe një ofertë të rëndësishme kulturore ku Muzeu “Marubi”, Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, Muzeu “Oso Kuka”, Muzeu i Kalasë, ngjallin kureshtjen e turistëve./rtsh.al
po cfare tjeter te shikojne? xhamite turke?