Modele të mbrapshta

19 Nëntor 2013, 21:01Blog TEMA

Nga Arbana Xharra

 

Dy kryeministrat Hashim Thaçi dhe Edi Rama përpiqen të shfaqen në opinion sa më shpesh me flamurin e BE-së në duar dhe gjithnjë thirren në interesat e përbashkëta drejt integrimeve euroatlantike. Kur përfshihen në skandale, për të nënshtruar opinionin e përmendin aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me NATO-n, me botën perëndimore në përgjithësi.

Të dy përfaqësojnë dy shtete me imazh të keq, por të cilat kanë fat: gjenden gjeografikisht afër Evropës, ndërsa në aspekte të tjera ndodhen tepër larg standardeve evropiane. Korrupsioni, krimi, prostitucioni, droga dhe shumë krime të tjera njollosin vazhdimisht imazhin e errët që kanë Kosova dhe Shqipëria. Të dy këta kryeministria përfaqësojnë qeveritë ku grupe interesi të lidhura me shtetin kanë më shumë fuqi sesa vet pushteti e ku fuqia financiare grupet e tilla i pozicionon edhe mbi ligjin.

Edhe pse Rama rishtazi erdhi në pushtet, ai po shfaq mbështetje të madhe ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit. Dhe jo vetëm nga pozicioni i homologut, por edhe në disa raste të tjera Rama ka bërë përpjekje të sforcuar të jetë në krah të Thaçit në momente kur i është dashur këtij të fundit për interesa kryekëput personale, siç ndodhi me fushatën elektorale në Prizren.

Bile me këtë rast na u shfaq një e përbashkët që kanë Rama e Thaçi: admirimi i të dyve ndaj kryeministrit autoritar turk Rexhep Taip Erdogan. Një risi ishte kur kryeministri i Shqipërisë bashkë me Thaçin gati sa nuk iu gjunjëzuan Erdoganit me përpjekjen e tyre për t’u bërë vëllezër me të javë më parë në Prishtinë, kur u bë përurimi i aeroportit të Prishtinës. Ndërkohë që Thaçi duke spekuluar me traditën e miqësisë po tenton të fsheh adhurimin real për autoritarizmin, demokracinë e kontrolluar dhe qeverisjen në dorë të fortë.

Kurse Ramën e pamë ndryshe nga ai politikan që erdhi në pushtet me flamurin e Evropës në duar. Nënshtrimi i tij politikë karshi figurave me mangësi serioze demokratike nuk dallonte nga sjellja e Thaçit.

Mund të shtrohet pyetja se çfarë e lidhë partinë e Thaçit me partinë e Ramës. Në kongresin e fundit të PDK-së, i cili hyri në histori si kongresi i përçarjes, kjo parti u shndërrua në djathtiste – si me shkop magjik. Mjaftuan urdhrat e shefit për të ndryshuar në dokumente profilizimin e partisë brenda pak minutash.

Në fakt PDK nuk ishte e majtë asnjëherë dhe nuk do të arrijë të bëhet e djathtë dot. PDK është vetëm një ndërmarrje për menaxhim të resurseve të shtetit dhe mbajtjes së pushtetit me metoda klienteliste.

Shumë mbështetës të Thaçit gjatë luftës kanë përshëndetur dhe pozuar me grusht në stilin e Stalinit dhe të Enver Hoxhës dhe rregullisht i kanë raportuar liderit socialist të Shqipërisë Fatos Nano. Se ç’kishte të bënte Enver Hoxha me të majtën socialdemokrate dhe ç’kishte të bënte Fatos Nano i kazinove kapitaliste të Selanikut dhe Vjenës me të majtën, këtë me gjasë mund ta shpjegojë vetëm Thaçi.

Në fakt PDK nuk përfaqëson asnjë shtresë shoqërore pos zhvatësve, atyre që janë pasuruar jashtëligjshëm dhe disave që janë pjesë e krimit. PDK sot ka vështirësi të mëdha të ruajë shumicën parlamentare. Sistemi i sundimit është në nivel të pazarit dhe kjo është parë sërish këto ditë kur Thaçi vraponte në Prizren, duke tentuar ta mashtrojë Zafir Berishën me premtime të llojllojshme dhe politikisht të pamoralshme.

Me këtë mënyrë të qeverisjes Thaçi e ka dëmtuar rëndë demokracinë parlamentare, e cila sot është vetëm një dekor pa asnjë përmbajtje. Nga ky sistem politik kosovar, Edi Rama nuk ka çka të mësojë, derisa në Shqipëri ai gjendet para detyrave të mëdha për të ndrequr gabimet e qeverive paraardhëse.

E udhës është që Rama e Thaçi të mos mësonin gjë nga Erdogani dhe të mos përpiqen të kopjojnë përvojat e deritanishme politike në të dy vendet. Asnjëra palë nuk ka me çfarë të krenohet. Të arriturat e mëdha (pavarësia e Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO) nuk do të kishin ndodhur pa mbështetjen thelbësore perëndimore.

E Kosova ashtu sikurse edhe Shqipëria, për të qenë perëndimore e kanë të nevojshme të jenë demokratike.

7 komente në “Modele të mbrapshta”

  1. korcari says:

    Moj zonja Arbana, Edi Rama eshte kryeminister i Shqiperise dhe do kete miqesi dhe bashkepunim me cdo kryeminster te Kosoves, kushdo qoft ai sepse jane marrdhenje ndershqiptare.Se si i keni punet me kryeministrin tuaj ju atje ne Kosove eshte puna juaj dhe jo ne Edi Rames.Ne se je tamam gazetare duhet ti dish keto gjera te thjeshta.

  2. Plisi says:

    Kjo arbana esht nje gazetare analfabete nuk e di si ka mundesi te publikohen thashethemet e saj kjo nuk dine te artikuloje nje qendrim apo mendim kjo thjeshte meret me thashetheme dhe ne ket ketekste krijon nje opinjone mes rreshtave nga thashethemt qe degjon neper kafenet e prishtines

  3. Eri says:

    Arsyeja e mbeshtetjes se Edit per Hashimin eshte e thjesht: vetem ky e pret ne Kosove, te tjeret duke filluar nga Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti nuk tregojne respektin e duhur ndaj kryeministrit te Shqiperise. Pacolli eshte pazarexhi i rendomte qe te prish imazhin.
    Pse bazohen tek Erdogan dhe shprehin kaq dashuri per te? Shpresojne te dy qe Turqia te zgjidh qesen e te ndihmoje ekonomikisht vendet tona. Eshte thjesht interes.
    Analize e dobet e artikullshkrueses.

  4. Nemecek says:

    Qe qeveria e Kosoves me kryeminister Hashim Thacin ka probleme, kjo nuk do as analize te holle e as shume mend e dije per t’a kuptuar. Por qe te heqesh paralele mes dy lider-ave dhe mes ketyre te fundit dhe Erdoganit, kjo me duket shume e guximshme dhe aspak e sakte ne menyren sesi jane parashtruar keto paralele te hequra. Ju Znj.Xharra me shume gjasa keni njohuri teper te cunguara historike dhe me keqardhje evidentoj’ se keni dhe nje memorie te shkurter dhe aspak te qarte ne lidhje me levizjet politike te ketyre 20 viteve te fundit ne politiken shqiptare dhe ne ate kosovare, para dhe pas pavaresise se shtetit te Kosoves. Nuk ju bej me faj persa me siper shkrova, por ajo qe iu fajeson ne kete rast eshte vete ”logjika” dhe ”analiza” qe parashtroni ne shkrimin tuaj. Kryeministri i Shqiperise perpos detyres se tij ndaj shtetasve te vendit qe drejton ka edhe detyrime ndaj shtetit te Kosoves qe eshte po aq shqiperi sa edhe territori i 28.000 Km2 qe kufizojne Republiken e shqiperise qysh prej 1913. Andaj eshte mese normale qe te ekzistoje mes ketyre dy republikave si-motra miqesi dhe ndihme reciproke, mbeshtetje etj, jo vetem si obligim politik por edhe si detyrim vllazeror. Deri ketu nuk shoh asgje per t’u dyshuar dhe aq me teper per t’u ngarkuar me nenkuptime e dyshime, ashtu sikunder ju beni ne shkrimin tuaj. Persa i perket ” gjunjezimit” te dy lider-ave ndaj kryeministrit te turqise, qe ju e quani figure autoritare, kjo me duket qesharake… Te kuptohemi, Erdogan mund te jete figure autoritare por mos harro qe eshte kryeministri i te vetmit vend mik te Shqiperise dhe Kosoves, ne kete pike nuk kemi pse kompleksohemi per te shkuaren historike me kete popull. Per aq kohe sa e tashmja n’a defton nje tjeter faqe, teresisht tjeter dhe shume me miqesore te ketij shteti (Turqise) ndaj nesh. Andaj vajze, hidhi edhe nje sy me kritik ketij shkrimi qe keni bere dhe qartesohu me shume ne lidhje me te shkuaren-te tashmen dhe nese do mundesh, bej nje parashtrim me objektiv per te ardhmen. Mos i perziej’ emocionet e peshtjellimet ne analize qe te mund te krijosh edhe Ti, nje vend te merituar ne opinionin publik. Me respekt M…

  5. dashamir says:

    Me shum mesova nga komentet se nga shkrimi i Arbanes.
    Respekt per komentuesit!

  6. Dom Gert Gjoni says:

    Beduin Harami edhe Hashash Thaçi jane te fundit trashigimtare te polli-tikes marksiste-leniniste e diktatoriale ne tokat e banueme prej shqyptareve ne Ballkan. Urime per mendimin e kthjellte edhe fjalet e sakta!

  7. Leonora says:

    E Nderuar Arbana,
    Shkrimet tuaj janë sa profesionalë edhe të këndshem për tu lexuar. Mos ua vini veshin përçartjeve të komentuesve që bëjnë “bla-bla” për të kaluar kohën. Do të ishte mirë që moderatorët t’i përzgjidhnin si duhet komentet që afishojnë,ashtu siç veprohet atje ku ka shtyp cilësor. Mirëpo si në xhunglën politike shqiptare edhe në atë kosovare, edhe shtypi mbetet produkt xhungle. Ju uroj shëndet e mbarësi në punë!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje