E ardhmja e dy ikonave të Juventusit, Alesandro Del Piero dhe Xhanluixhi Bufon, është në dyshim. Presidenti Andrea Anjeli dhe trajneri Del Neri kanë lënë të kuptohet se tashmë koha e tyre ka përfunduar tek bardhezinjtë. Anjeli deklaroi se për rinovimin e kontratës së Del Pieros do të flitet vetëm pas disa muajsh, kur të shihet dhe gjëndja e tij fizike, pasi aktualisht kapiteni i bardhezinjve është 36 vjeç. Anjeli ishte i paqartë edhe në lidhje me të ardhmen e Bufonit. Trajneri Del Neri ndërkohë ishte akoma më i drejtëpërdrejtë. Ai tha Se Storari po luan shumë mirë dhe vështirë se ndonjë portier tjetër, duke përfshirë dhe Bufonin, do t’ja zërë vendin. Sipas Del Nerit, Bufon duhet ta tregojë në fushë nëse e meriton fanellën e titullarit. Kjo, edhe pse ai konsiderohet ende se numri një i portës në botë. Ndërsa Del Pieron trajneri bardhezi duket se nuk e merr në konsideratë, duke thënë se aktualisht ka në dispozicion vetëm dy sulmues, Jakuintën dhe Kualjarelën. Mesazhi i dy drejtuesve të Juventusit duket se është i qartë: tek Juventusi nuk ka më vend për Del Pieron dhe Bufonin. Largimi i këtyre të fundit do të ishte fundi i mbylljes së një kapitulli të ndritshëm në historinë e këtij klubi, pas largimit të Kamoranezit dhe Trezegesë këtë verë.