Bisedoi: Blendi Fevziu, TV Klan
Në kuadër të intervistave me aktorët që kanë dominuar në post diktaturën shqiptare, në kuadër të 20-vjetorit të ndryshimeve në Shqipëri, pak më herët në kohë, si erdhët në krye të Ministrisë së Arsimit në vitin 1987? Kush ju zgjodhi dhe ju propozoi? Ju nuk ishit pjesë e strukturave të Partisë së Punës në atë kohë, ishit anëtar partie por jo i strukturave drejtuese…
Karriera ime atëherë ka qenë e thjeshtë. Kam mbaruar në vitin 1973-in, kam bërë doktoraturën në vitet 1973-1977 në Francë, pastaj kam ardhur këtu. Pra, gjithë periudhën deri në vitin 1987, kam qenë pedagog në universitet.
Thjesht pedagog?
Thjesht pedagog.
Anëtar i Partisë së Punës?
Anëtar jam bërë në vitin 1986. Pra viti 1987, është viti i parë pasi isha bërë anëtar partie, sa ishte mbaruar stazhi. Një shenjë, që sigurisht që isha ndër emrat e lakuar, më kishin zgjedhur pa ditur në një forum në Këshillin e Frontit Demokratik, ku ishte dhe Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, pra kishte disa prurje.
Si ishte evidentuar emri juaj?
Ishte evidentuar me siguri nga fakti që shkencat e natyrës kanë qenë dhe mbeten ndër fakultetet më të spikatur në kuadër të universitetit. Atëherë ka qenë periudha kur Shqipëria pas një mbylljeje të madhe, të vetmet kualifikime që pranoheshin kishin qenë bursa që jepte shteti francez. Po në përgjithësi për kulturë franceze dhe gjuhë franceze. Në ato vite, u bë një debat i madh që shkencat ekzakte kishin mbetur mbrapa dhe rrjedhimisht atje nuk kishte dhe rrezik ideologjie dhe mund të dërgoheshin kollaj. U bë ky eksperiment në vitin 1977, ku u dërguan jashtë një për matematikë, një për fizikë dhe një për ekonomi. Ka qenë Mejdani, Plasari dhe një për inxhinieri-gjeologji dhe për inxhinieri-mekanike ose diçka të tillë. Pra në këto fusha, me logjikën e thjeshtë, se po të vazhdohet kështu, do të shkojmë edhe më mbrapa sepse kishin vajtur disa pedagogë për specializime afatshkurtra dhe erdhën me atë imazhin dhe përshtypjen, që u kishte ardhur zor të thoshin se ishin pedagogë për shkak të nivelit të prapambetur. Sidomos matematika, kishte mbetur goxha pas, ndaj dhe atëherë u bë një revolucion në matematikë që u quajt modernizimi i matematikës. Kështu që ky qe një eksperiment dhe emrat tanë, do s’do u lakuan si emra intelektualësh të specializuar.
A ka pasur dorë në atë që u quajt ngritjen e grupit që vinte nga shkencat e natyrës në politikë, bashkëshortja e Ramiz Alisë?
Sigurisht që shkenca e natyrës, duhet pranuar që kanë qenë në këtë drejtim. Kanë nxjerrë rektorë, dekanë, sepse ishte matematika, fizika dhe fizika, ka nxjerrë kuadër në përgjithësi. Është vendi ku provohet aftësia, që do të thotë se nuk shkon me mik si në shkencat sociale ku mund të çash me metoda të tjera. Pra nuk është ndonjë çudi apo e papritur. E dyta, dihet që për arsimin, sidomos në atë periudhë, ishte periudha që duhet të modernizohej, të paktën matematika kishte filluar një tentativë dhe rrjedhimisht do të preferohej një i shkencave të natyrës, madje kështu është servirur. Më pas, kështu me njohje si të thuash, për të kërkuar gjithmonë kur kërkohet, do të bëhet një emërim. Ai që ka në dorë, konsultohet për emrat, se kush janë tek shkencat të fizikës, matematikës, kimisë etj.
Mund të jenë konsultuar dhe në familjen e zotit Alia?
Nuk përjashtohet.
Zoti Gjinushi, në vitin 1987 kur ju hytë në politikë si anëtar i kabinetit qeveritar, a ishte e ndarë klasa politike shqiptare, në konservatorë dhe liberalë?
Kjo për mua ishte eksperienca e parë. Por nga ajo që filluam të ndjejmë rrugës, po.
Filloi të ndihej?
Patjetër që filloi të ndihej, siç ndihej në shoqëri dhe veçanërisht që ne kemi ndërmarrë një reformë në arsim që për kohën ishte e guximshme dhe thelbësore. Ishte një reformë, sepse hynte në përmbajtje në ç’ideologjizim dhe ishte hera e parë. Në atë periudhë flitej për revolucionarizim të shkollës. Ndërsa reforma nuk quhej reformë, sepse ishte e ndaluar. Është përdorur për modernizimin e shkollës, në një kohë kur fjala moderne nuk lejohej as për pantallonat apo tek flokët. domethënë tek gjërat dytësore e jo më atje ku ishte.
Çfarë kishte ai regjim me modernen dhe reformën në përgjithësi?
Ne vlerësojmë se këtu është kontributi ynë i parë, që u imponua pikërisht kjo dhe atje kemi pasur rastin në kolegjium që të shohim njerëz që kapeshin edhe tek fjala moderne. Pse themi modernizim. Modernia është dekadente. Këto i ndjeje deri lart dhe sigurisht që kjo reformë e arsimit nuk eci fjollë. Që në fillim ishte frika që ishin futur njerëz në burg vetëm sepse kishin tentuar nga tetë-vjeçari i detyrueshëm të kalojnë, në dhjetë vjeçar i detyrueshëm dhe jo më për një reformim të arsimit. Madje kur e kemi hedhur në atë formë për herë të parë dhe brenda ministrisë, Luan Memushi ka qenë një nga drejtorët që ka ardhur miqësisht dhe më ka thënë, a është konsultuar më lart, se kjo ka ngrënë koka?. Më tej pastaj edhe kur është krijuar komisioni që do të miratonte kalimin në Plenium të reformës, sepse në fund të miratohej politikisht nga forumet e partisë, aty pastaj ka pasur kontestime të hapura. Deri edhe tek pyetjet provokative.
Që vinin kryesisht nga?
Që vinin nga pjesa më konservatore.
Cila ishte pjesa më konservatore brenda Partisë së Punës?
Në atë kohë flitej gjithmonë që Ramiz Alia pengohej nga Nexhmije Hoxha. Pastaj, se sa ishte ndarja reale brenda, kuptohet që puna në byro ka qenë gjithnjë e mbyllur. Në kuptimin, nuk ka qenë as qeveria në dijeni në aspektin politik dhe se si ishin rrymat reale. Por bindja ime ka qenë që në çdo rast, Ramizi mund ta kontrollonte më me kurajë.
Ju keni pasur kontakte me Ramiz Alinë në vitet 1987-1989?
Kontakti i parë ka qenë në emërim, kur ai ratifikoi dhe kaloi qeverinë në Kuvend. Ka qenë një kontakt 5-10 minuta, më shumë urimi dhe pastaj kur ishin pjekur gjërat dhe ne kishim krijuar tashmë një përfytyrim për reformën, shfrytëzuam një rast takimi spontan dhe i thashë që është koha që të bëjmë një bisedë serioze se çdo të bëhet në arsim. Atëherë kemi bërë një takim rreth një orë e ca, ku i kam shpjeguar se ku synon reforma. Në fund reagimi qe ky: Tek e fundit ne kemi presion reformash dhe është mirë që të fillojmë me arsimin!. Pra kjo ishte ndoshta arsyeja se pse ajo reformë arriti të çajë në kuptimin që ndihej tashmë dhe presioni i ndryshimeve. Sigurisht kjo ishte hapësira që u shfrytëzua nga ne, për të bërë këtë reformë që vite më parë fuste njerëz në burg.
Kur e kuptuat ju që sistemi komunist po binte?
Ajo është kuptuar avash, avash. Në qeveri, ne sigurisht që kishim ato kritika, pakënaqësira, veçanërisht për sa i takon luftës së klasave që kishte vajtur në absurd dhe kishte prekur të gjitha familjet. Madje në fund, më shumë bëhej brenda llojit se sa me palën kundërshtare. Pastaj, në mënyrë të veçantë nga specializimi në Francë dhe ardhja këtu, shihej që ekonomia ishte absurdi i dytë. Këtë pastaj e kam ndjerë më shumë me hyrjen në qeveri. Me hyrjen në qeveri, sigurisht. Pasi deri sa isha pedagog, nuk i dija të tëra, për sa i takon parametrave ekonomikë, ku është ecuria, si ka qenë e si po shkon. Ndërsa në qeveri, vijoi të ndihej kriza çdo ditë dhe më shumë. Vitet 1987-1990, kanë qenë vitet tashmë ku mbyllja po kalonte në absurd, lindja po shkonte drejt hapjes. Më pas edhe me kontaktet me Ismail Ahmetin me Faraudin Hoxhën, të cilët kishin edhe më përvojë nga ekonomia, flitej qartazi se pa ndryshime kjo punë nuk mban më.
Çfarë kuptonit ju me ndryshime në atë kohë?
Hapjen. Ishte e qartë që Shqipëria duhet të përshtatej tashmë.
Duke e ruajtur Partinë e Punës?
Jo. Deri në atë kohë, ne nuk kishim krijuar ndonjë grup që të flisnim tamam. Nuk na kishte lënë njeri që të flisnim se çfarë ndryshimesh duheshin bërë. Kishte zëra që vinin, se dihej deri te Ramizi në fakt, kur u zgjodh Ramiz Alia, të tërë besonin se do të kishte ndryshime. Kishte një shpresë. Ishte opinion i tërë.
U zhgënjye si shpresë?
Në një masë po. Pikërisht në çfarë duhej ndryshuar dhe me çfarë shpejtësie duhet të ishte ndryshuar. Në këtë aspekt, nuk ka diferenca.
Përse nuk arriti të ndryshonte me ritmin e duhur, sidomos kur u pa se lindja po rrënohej dhe kur u pa që komunizmi në Shqipëri do të ishte derivat i saj?
Ka pasur kufizimet e veta. Ai i ka mbetur besnik apo rob atij modeli dhe kërkonte që ti gjente zgjidhjet brenda sistemit.
Ju mendonit se ishin të pamundura zgjidhjet brenda?
Absolutisht. Madje atëherë ka qenë një gazetar i “Le Monde” që ka ardhur dhe ka bërë këtë pyetje, nga viti 1989. Ai kishte të dhëna, sigurisht për diferencat që kishte brenda qeverisë dhe bëri edhe pyetjen, që a bashkoheni përfundimisht që socializmi është faza e fundit e kapitalizmit? E thënë kështu me pak sarkazëm. Unë i thashë, që pa hyrë në filozofira, kemi një Shqipëri e cila duhet të integrohet në Evropë, të ecë bashkë me Evropën. Tani, ose Evropa do ti përshtatet Shqipërisë, ose Shqipëria Evropës. Pra Shqipëria absolutisht duhet ti përshtatej, në sistem ekonomik dhe politik pjesës tjetër. Ishte zgjidhje e detyruar.
A keni pasur ju biseda të drejtpërdrejta me Ramiz Alinë në vitet 1990?
Për këto gjëra, jo. Unë vetë nuk kam pasur. Të vetmet sinjale që vinin, që gjasme ai donte të ndryshonte, por masa nuk dihej, ishin nëpërmjet Ismail Ahmetit apo Fareudinit të cilët komunikonin me Enver Halilin. Enver Halili, ishte një i afërt i Ramizit dhe masnin pulset dhe pyesnin. Madje atëherë, di që Farudini ka bërë një kërkesë për ekonominë dhe aty është konkluduar, që të paktën do të fillojë të marrë kredi, të hapet. U bënë aty pastaj edhe ndryshimet në kushtetutë, për hapjen ekonomike.
Kur e keni pasur bisedën e parë të drejtpërdrejtë për zhvillimet politike me Ramiz Alinë?
Asnjëherë drejtpërdrejt. Kjo ka qenë arsyeja që unë më pas, opinionet e mia dhe jo vetëm të miat, që pikërisht ne po vonoheshim në ndryshime, që me hapjen e ambasadave dhe më parë, tashmë me ndryshimet në lindje dhe që pluralizmi duhet të sanksionohej, i kam shprehur në Kuvendin e Shqipërisë.
Para Kuvendit kanë ndodhur ngjarjet e ambasadave, ku në mbyllje të tyre ju keni marrë pjesë në një miting. Për se morët pjesë atje?
Të pyesësh sot pse merr pjesë në mitingje?? Aty ka marrë pjesë tërë Tirana. Unë isha ministër, më thanë ka një miting dhe do të shkoj në miting. Ai mund të them që ishte mitingu më zhgënjyes në përmbajtje.
Kush e mori vendimin për ta zhvilluar këtë miting?
Komiteti i Partisë së Tiranës me siguri, për të rritur kurajën gjoja nga depresioni që pësuan nga ikja e ambasadave. Ishte një reagim mjeran dhe veçanërisht më pas dhe prononcimet, disa prononcime ku anatemuan këtë pjesën e ikur, e cila u quajt huliganë. Realisht një nga shtyllat e diskutimit tim në Kuvend, pastaj është pikërisht kritika ndaj kësaj. Po të shohësh, pjesa që ka bërë më jehonë në atë kohë, është se pse kam folur për emigracion ekonomik dhe kam thënë pikërisht largimet janë edhe politike dhe ekonomike, por mbi të gjitha janë ekonomike. Mbi të gjitha, se nuk është fjala për të thënë huliganë apo jo, por shteti shqiptar, shoqëria kishte detyrimin që ta lejonte, ta legalizonte që të bëhej sa më human.
Zyrtarisht ishte legalizuar që në maj, por praktikisht pasaportat nuk po jepeshin…
Filluan që të jepeshin pasaportat, por jo që të lejohej emigracioni. Kjo ishte ideja, që të pranohej që Shqipëria kishte nevojë për emigracion. Qytetarët ishin të detyruar. E dyta, që të përpiqej të bëhej edhe organizuar edhe pastaj lëvizja e lirë, që nuk është bërë. Kjo është kërkuar pastaj nga unë.
Si e gjykoni sot ngjarjen e ambasadave dhe ikjen e pothuajse 5000 vetave?
Ngjarja e ambasadave është fillimisht shprehje e pakënaqësisë, rritje e kurajës që kishin filluar disa protesta të heshtura, kishte filluar si të thuash të lëvizte edhe populli në reagimet e veta, jo vetëm në qarqe intelektuale apo pjesë të qeverisë dhe sigurisht në këtë frymë modeli ishte. Se ishte edhe modeli. Historia e hapjes së Gjermanisë Lindore, që u përdor në vendet pararendëse të këtyre ndryshimeve. Kështu që ky model, funksionoi edhe në Shqipëri. Madje kjo filloi me dy tre vetë, filloi që me familjen Popa dhe ajo dha një kurajë. Në kuptimin, që nuk u ndoq më rruga e parë që po të kaloje kufirin…. Pra ishte gjithë klima e përgjithshme që do të çonte drejt kësaj, është çarja e parë, disidenca e parë.
A keni marrë pjesë ju në takimin me intelektualët në vitin 1990?
Ai ishte një shenjë që nuk na ka pëlqyer. Nuk na thirrën.
Mendoj që nuk na thirrën sepse kanë pasur merak nga prononcimi im. Se për vete, njeriu flet më me vështirësi. Po Ismail Ahmeti e të tjerë, shpreheshin hapur tashmë për nevojën e ndryshimit. Ne flisnim tashmë kështu. Nuk e kam kuptuar mos pjesëmarrjen tonë në atë takim. Asnjëherë nuk e kam kuptuar se nëse këtë takim e donte Ramizi për alibi, që e bëri për të thënë që edhe intelektualët nuk janë ende gati për të kuptuar pluralizmin, për pasojë edhe shoqëria??!!. Gjë që e ka shprehur edhe Saliu atje, që ka thënë se masa e kohëve të fundit janë më e avancuar apo vërtetë intelektualët nuk e patën kurajën.
A pati tentativa për dorëheqje nga qeveria në vjeshtën e vitit 1990?
Jo, në vjeshtë jo. Ne e kemi dhënë dorëheqjen në janar. Ndërsa prononcimi i im i parë që lidhet me politikën, veç pjesës si Ministër Arsimi, është në nëntor në Kuvend. Është zyrtar, prononcim për pluralizmin politik që është kërkuar atje dhe është thënë qartë ideja që çdo vonesë vetëm rrit dhunën, po të shohim përvojën e lindjes. Ky do të bëhet realitet sepse është një domosdoshmëri, por diferenca është vetëm tek dhuna. Dhuna është më prezente në qoftë se përpiqesh ta bllokosh artificialisht. Kjo ka qenë. Më pas në dhjetor patëm një përplasje sepse i kërkuam një takim Ramiz Alisë, pasi u njoh pluralizmi. Ndërkohë që unë jam takuar gjatë periudhës së negocimeve. Atëherë i kërkuam një takim, vajtëm gjysma e qeverisë, gjysma e re e qeverisë..
Dhe i keni kërkuar…
Donim të dinim se çfarë bëhej. Në fund të fundit qeveria nuk pyetej, pluralizmi në letër bëhet kollaj, por në terren nuk është kaq kollaj dhe veçanërisht kush do të ishte qëndrimi. Partia e Punës do të shpërndahej, do rindërtohej apo do të rezistonte? Ku do të mbështetej në fund të fundit? Ishte një ditë e vështirë. Ishte dita kur ndodhën përplasjet në Shkodër, një rebelim që se kemi kuptuar sepse Shkodra duhet të ishte në festë pas njohjes së pluralizmit. Megjithatë nuk u morëm vesh.
Cili ishte qëndrimi i Ramiz Alisë?
Na tha jeni naivë, si kuptoni mirë gjërat.
A kuptonte realisht vetë Ramiz Alia se çfarë po ndodhte?
Aty unë kuptoja këtë: që ai patjetër e kuptonte fare mirë se çfarë po ndodhte, por ishte ajo frika e lëshimit. Kush do të jetë reagimi i palës që vjen?
E keni ndjerë këtë frikë gjatë vitit 1991 tek Alia?
Atje e kemi ndjerë. Madje edhe ne, se është diskutuar tashmë se pluralizmi do të vinte nga poshtë dhe nga lart. Pozitivja është se kur vjen nga lart, vjen me më pak tension. Pozitivja tjetër, është që në Shqipëri erdhi kështu nga studentë dhe intelektualë që është pjesa që nuk i takon, as pjesës së përmbysur, pra as pjesës së shtypur, por është pjesë e intelektualëve që duan të renë. Që nuk duan më luftë klasash, që nuk duan që ti luftosh më për biografi dhe që duan Shqipërinë si Evropa, që shprehej fare thjeshtë. E vërteta është që partitë e para, u krijuan të gjitha me pedagogë. Po të marrësh kryesinë e PS-së, kryesinë e PD-së, kryesinë e PSD-së, nuk e di se kush janë dallimet. Kjo bën, jo siç ndodhi fatkeqësisht më mbrapa, që pluralizmi të vinte dhe natyrshëm dhe real dhe me mend dhe pa tensionime apo përplasje që mund të priteshin. Jo si ndodhi më vonë.
Natën e 8 dhjetorit në Qytetin Studenti filluan protestat e para rreth orës 21:00 të mbrëmjes..
Nisën që në drekë
Që në drekë me një takim të Adil Çarçanit me studentët. Ju keni qenë në këtë takim?
Çfarë ndodhi atje?
Isha në zyrë kur më thanë se shoku Adil do të shkojë të takojë studentët. I kishin bërë një letër nja 20 studentë të mekanikes, që kërkonin përgjigje. Kryesisht ishte për kushtet në konvikte. Atëherë po bëheshin disa investime, mbaj mend që u bënë disa konvikte të reja dhe sistemi i ngrohjes ishte gjithnjë gangrenë dhe iku për të parë këto. Ne vajtëm për çerek ore atje.
Për se vendosi të shkonte atje pa planifikuar?
Me sa duket kishin të gjithë informacionin, që studentët po lëviznin dhe deshën të ulnin pakënaqësitë.
Cila ishte pritja që i bënë?
Pritja fillimisht ishte normale, pastaj filluan mbi 500 veta dhe u futën në një sallë midis dy godinave dhe filluan të flisnin për kushtet. Madje njëri foli me shumë sarkazëm, se si çohej në mëngjes me ujë të ftohtë e të tjera, po nuk u hap tema politike. Këtë temë e hapi vetëm një vajzë në fund.
Ishte e ftohtë pritja e Adil Çarçanit?
E tensionuar, ironike. Një djalë foli edhe me shpoti. Pavarësisht që hyrja ishte gjithnjë që: ne ju respektojmë, pasi bëheshin këto adetet akoma. Politikën e hapi një vajzë që tha se Foto Çami, ka thënë që edhe ndryshimet që po i bëjmë, po i bëjmë vetëm për sy të botës. Që në fakt nuk e kishte thënë Foto Çami, të paktën në dijen time e kishte thënë një tjetër. Ajo krijoi një situatë, si suspencë. Unë i thashë, që leri çfarë kanë thënë të tjerët, këtu je me kryeministrin, pyet kryeministrin në lidhje me ndryshimet. Unë di që nuk e ka thënë, po edhe po e ka thënë ka bërë gabim, ti ku e ke hallin i tha? Ajo e mbylli nuk e vazhdoi më muhabetin. Por kjo ishte një shenjë që donin ta hapnin debatin politik për ndryshimet, por nuk u hap. Kur kemi dalë, më pas një grup studentësh që unë i njihja më thanë, shiko mirë do të ishte të vinit edhe një herë vetëm dhe mblidhemi tek godina 23.
Kishin edhe kërkesa politike?
Po. Dhe ata thanë, duam që të vish në një nga këto ditë. Dhe e lamë që do të shkoja ti takoja.
Dhe ju u kthyet mbrapsht në ministri?
Po, atë ditë ika. Në mbrëmje unë kam qenë diku, kërkoja rektorin për një punë tonën, kur më thonë se janë ngritur studentët.
Pra e morët informacionin krejt të rastësishëm?
Krejt të rastësishëm.
Jo të lajmëruar nga strukturat?
Jo, se isha në një sebep familjar dhe kur kërkoj rektorin më thonë se është tek konvikti lart dhe aty del Piro Kondi në telefon dhe më thotë se ku je, se këtu janë ngritur studentët.
Ju nuk prisnit asgjë të tillë, ishte e befasishme?
Absolutisht. Atë ditë jo. E dija që kishte lëvizje. Kam ikur me makinën e rektorit dhe dola tek godina ku ishin mbledhur, ku ishte edhe Azemi. Ikëm tek studentët.
Ku ishin ata, rreth çfarë ore?
Ata ishin aty nga ora 9 e ca. Ishin rreth 500 dhe rinin aty, u shqetësuan kur vajtën dritat e makinës. Kur panë, thanë ministri, ministri.
Cilat ishin kërkesat e para?
Aty filluan që të flisnin. Jo po ne e mbrojmë Ramiz Alinë, jemi kundër merimangës.
Për Nexhmije Hoxhën?
Po, dhe shkojmë tek sheshi. Unë i thashë, që më mirë të rimë tek sheshi këtu, se sa te sheshi Skënderbej poshtë.
Cilët njohët ju nga studentët me të cilët negociuat?
Ai që ka kontaktuar, përveç dy të matematikës që i njihja, një vajze dhe një tjetër, ishte Azemi me megafon.
Ju nuk e njihnit Azemin?
Aty jam prezantuar dhe kam pasur kontaktin e parë. Madje më tha, folu se ty të dëgjojnë. I thashë që unë nuk do të japë shfaqje këtu, por po qe ashtu mblidhemi tek sheshi juaj dhe diskutojmë se çfarë keni. Dhe nisëm të ecin. Më thanë duam të shkojmë tek Sheshi Skënderbej. E po mirë i thashë. Këndonin këngën “O e mjera Shqipëri”. Unë ecja kryesisht me këta që i kisha në vitin e matematikës. Edhe Nazarko ka qenë ndër to.
Po ju pse po zbrisnit bashkë me ta?
Kryesorja ishte kjo, që aty kuptova se kërkesa po shkonte drejt politikës, ndihej. Këta kryesorët, Azemi ndoshta, thanë që ne mbështesim këtë, jo atë.. Jemi me ju. Unë do rija se të shihja se çfarë do të ndodhte, se studentë në mes të natës? Aty pastaj tek Ambasada Italiane, kishte dalë një kordon policie. Ata kërkuan menjëherë takim me Ramiz Alinë dhe kontaktuan vetë.
Ju deri në atë kohë nuk kishit komunikuar me asnjë nga drejtuesit?
Jo. Më pas kur ikën këta dhjetë vetë, që i pret Ramiz Alia, që i tha se i pret, atje pastaj më tha dikush, ik pse ri më çdo bësh. U ngjita unë pastaj tek drejtoria e konviktit. Atje ndoqëm takimin dhe kur u kthyen studentët, menduam që e takuan Presidentit.
Nuk kishte asnjë rakordim mes jush dhe Ramiz Alisë?
Deri këtu jo. U lidhën me Hekuranin. Befasia ishte që kur u kthyen që pritej shpërndarja, pas pesë minutash u tha u goditën se u vodh një pistoletë.
Kush e dha urdhrin për të goditur studentët?
Po, kush ka qenë atje. Ajo ishte çudia jonë, që hyn tek ato enigmat e vogla, marifetet. Pas takimit u la takim tjetër, pritej qetësim i situatës. Dhuna u bë për një pistoletë. Se çfarë lidhje ka humbja e pistoletës me dhunën, se kuptoj.
Më pas u tërhoqën studentët?
Më pas ikën. Atë natë u mor Saliu, ndoshta se pati disa të dëmtuar.
Ju u takuat me Ramiz Alinë pas kësaj ngjarjeje?
Jo, as të nesërmen. Sepse të nesërmen nuk dolën në mësim dhe pse ishte e diel, ishte ditë mësimi. U lajmërua se janë grumbulluar prapë.
Ju ishit sërish pa kontakte me Ramizin?
Sërish pa kontakte. Kam qenë në zyrë ku thanë edhe kjo është një enigmë e dytë, se ka shumë të tilla, se duhet të jesh tek konviktet se do të bëhet takimi me Ramiz Alinë. Madje ishte telefoni i mbyllur, rrjeti i brendshëm. Unë lashë disa porosi atje dhe u nisa. Kur mbërrita tek Ambasada Franceze, kuptova se ata ishin shpërndarë me dhunë. Dukej, pashë letra, libra në tokë. Më pas shkova tek konviktet, takova studentët.
Cili ishte reagimi i studentëve?
Studentët ishin të revoltuar. Megjithatë, disa nuk ishin atje dhe e lamë të takoheshim. Më thanë hajde një herë tek menca, i thashë më vonë sepse sikur nuk ka kuptim. Kuptohet që shumica filluan të thoshin se kërkesa është politike.
Pra u unifikuan se e kishin me qëllim politik të mirëfilltë?
Po, thanë se ne e kemi këtu, ashtu siç thoni dhe ju, se kjo ishte pika që na bashkonte. Aty më pas erdhi Mejdani bashkë me dy pedagogë, se unë isha vetëm dhe isha në një pozicion të vështirë. Kur unë përfaqësoja qeverinë ata ishin rrahur.
Kur e takuat Ramiz Alinë?
Të hënën në mëngjes. Deri të dielën në mbrëmje kemi vajtur tek Xhelil Gjoni. Më pas pasdite u takuam me Saliun. U tha që do të bëhej një takim, vajtëm atje, ato thoshin, shiko se mos ja zgjasni shumë studentëve. Aty bëra dhe një batutë me Xhelil Gjonin për ti thënë, që shikoni lërini këto përralla, se tashmë duhet zgjidhur ky problem.
Kishte dëshirë për ta zgjidhur problemin, apo donin vetëm ta fashisnin?
Është e vështirë të kuptosh se sa lëshon halli.
A pati ndonjë tentativë të Partisë së Punës për ta shtypur me dhunë lëvizjen e studentëve?
Një të shtunë më parë, ata janë takuar, unë s’kam qenë. Mejdani me dekanin dhe Berisha ka qenë dhe ku kërkohej që të ndikohej për të ulur protestën. Të dielën që kemi qenë ne, u tha shkoni e takojini.
Për dhunë, a kishte vendim për ti shpërndarë?
Aty u fol, se shikoni se pjesa konservatore, kemi presion të madh nga gjithë organizatat. Atëherë unë i them, që kishte ndodhur në një organizatë, që shiko ti shtypim këta që kërkojnë të përmbysin deri me armë, pas dhjetë minutash ishte çuar për të ikur dhe i thonë që ku po shkon të marrësh armën? Jo i tha ai, më erdhi ora e ilaçit. Kështu që jo vetëm që është një aventurë, por nuk ka as këllqe dhe as ka kapjes konservatore që vërtetë mund ta qanin por duhet ta pranonin.
Ju shkuat të dielën në mbrëmje tek studentët?
Ne u nisëm të dielën, në momentin që u nisëm Berishën e ka thirrur Xhelili prapë lart. Aty është ajo pjesa, që me sa duket e tregojnë vetë ata, që kanë folur me Ramizin etj. E pastaj iku me benzin e Xhelilit para. Kur vajtëm ne tek studentët në darkë, ishte qetësi e madhe në tërësi, e pazakontë. Çova një nga njerëzit që na shoqëronte për të parë se ç’u bë doktori. Ai tha se është me studentët dhe po debatojnë. Unë nuk u përzjeva më. U kthyem mbrapsht, na thanë që është lënë një protestë në darkë tek sheshi Skënderbej, u bë një tentativë. Të hënën kam vajtur tek zyra e Ramiz Alisë.
Si shpjegohet që ishte protestë studentësh, ju ishit Ministër i Arsimit dhe për 48 orë nuk u takuat me Presidentin e vendit?
Ka preferuar të lidhet me të tjerë. Së dyti, nuk ishte vendosur një negocim zyrtar dhe se ndoshta dhe nga lëvizja. Unë të dy herët kam vajtur në mënyrë spontane, ndonëse diku edhe me ndonjë hile.
Ditën e hënë kur u takuat me Ramiz Alinë, cili ishte perceptimi që patët?
U la takim, kemi qenë vetëm të dy. Në takim tha se është lënë një takim në orën 11 dhe tha shkoni me Lisienin, që është Sekretar Rinie, do të vijë edhe doktor Berisha. Po doktori i thashë unë? Po ashtu tha do të vijë tha. Po ku ta gjejmë i thashë unë? Është këtu tha, pret tek zyra e Xhelilit. Se Xhelili kishte dy zyra, një këtu një në Komitetin Qendror se ishte edhe sekretar dhe sekretar i parë i Tiranës. Ndërkohë e thirrën. Aty pastaj u bëmë tre. Sigurisht që për të shkuar për bisedime duhet të dish çfarë kërkojnë. I them Ramiz Alisë, po çfarë kërkojnë? Më tha, ja kështu, ti e di. Më tha, e thonë edhe atë pluralizmin që më ke thënë edhe ti, se maste edhe pulsin. I thashë çfarë qëndrimi do të mbajmë?
Cila ishte përgjigjja?
Përgjigjja ishte, po takoheni njëherë. Pastaj i tha Berishës, si i the ti në takim Sali? Aty unë e kujtova, takimin e parë, seç pyeti dhe thashë i ka thënë se ndryshimet e kohëve të fundit janë më të avancuara, se sa psikologjia shoqërore. Berisha u përgjigj, se atëherë d.m.th., para tre muajsh, se tani ka ndryshuar situata. Aty e kuptova se prirja ishte për po, pluralizëm.
Ju shkuat pastaj së bashku tek studentët?
Po shkuam pastaj të tre, unë Berisha dhe Lisieni.
Kë takuat?
Azemi ishte kryesori, Shenasiu, e pastaj vinin të ndryshëm, grup studentësh nga shtatë, tetë veta. Azemi kur ka ardhur, tha me të parën se nuk kemi kërkesa ekonomike, por kemi kërkesë politike. Kishte shkruar disa pika, që ishin disi të turbullta. Por unë i thashë kjo përmblidhet në një pikë, pluralizmi. Ne i bëmë të qartë qëndrimin tona. Madje Saliu i tha që këtë që kërkoni ju, ministri juaj e ka kërkuar para jush madje edhe unë jam shprehur. Pra ne jemi dakord.
U kthyet më pas për të diskutuar me Ramiz Alinë?
Unë kontaktet i kam mbajtur vetëm me Xhelil Gjonin.
I thatë për protesta..
Pas kësaj, më shumë debatohej se ku do të bëhej takimi, formati sepse ishte një takim tip çaushesk.
Pati biseda me Xhelil Gjonin që të mbyllej me dhunë protesta, apo ishte e pamundur?
Bisedat janë bërë në formën, shiko se mos i përkëdhelni si shumë. Vendimet nuk merreshin në këto takime. Në darkë kur u tha përfundimisht, që lajmërojini se do ti presë Ramizi, por pasdite se paradite kuptojeni vetë pse është i zënë. Do ti presë në presidencë. Atëherë unë jam kthyer, nuk erdhi më Saliu, isha vetëm me Lisjenin. Nuk doli Azemi por doli Arben Likaj dhe pastaj, u takuam dhe paradite me Azemin e këta të tjerët. Ata kishin shqetësimin për të vajtur.
Ju e dinit se të nesërmen në mëngjes do të zhvillohej Pleniumi i Komitetit Qendror?
Jo. Këtë e kam marrë vesh nga Ismail Ahmeti.
Por nuk ishit në Plenium?
Jo, se nuk kam qenë anëtar. Na ftonin ndonjëherë si rregull, por atë ditë nuk na ftuan.
Ju nuk e dinit se Ramiz Alia do të shpallte pluralizmin politik?
E kam marrë vesh më vonë, se më tha Ismaili.
Kishit dyshime se Pleniumi mund të vendoste edhe për dhunë?
Bindja jonë ishte se po përpëliteshin kot. Dhuna ishte një aventurë nga të tëra anët e pamundur, pavarësisht nga dëshira apo nga shpresa. Siç përmendet që u përdorën thirrje të tilla të marrim armët, kur ra busti, por nuk kishin më vlerë. Kështu që për Pleniumin, nuk isha njoftuar fare. Po e mora vesh që u mblodh. E mendova se do të trajtonte këtë çështje, por nuk isha i bindur që do të kalonte në Plenium, sepse duke qenë se ky ishte i lëkundur, Pleniumi pastaj mund të ishte edhe më konservator. Kështu që nuk e prisja, thashë do të zgjasë.
Kur e more vesh?
E mora vesh para se të vija tek studentët. Ne e lamë me studentët që me kërkesën e tyre, ata donin të vinim dhe ne në takim. Kjo është e vërteta. Ne i thamë që kemi dëshirë të jemi, aq më tepër që është një takim historik, nuk është i lehtë. Alia nuk është i lehtë në bisedime dhe menduam që aty do të bëhej hapi i parë, nuk kuptuam që do të pararendej. Rrjedhimisht kishte shumë rëndësi, ndaj i thamë që nuk ka vlerë ky takimi i madh sepse nuk negociohet pluralizmi në takime të mëdha. Ai po e lejoi, është fitore e madhe. Por po sikur mos e lejojnë thanë studentët? Po nuk e lejoi ju protestoni prapë i thamë, nuk ju ndalon njeri. Atëherë ata kishin merakun si të shkonin, kishin frikë domethënë dhe ishte normale. Ndaj e lamë që do ti shoqëronim.
Këtë e vendosët ju apo Ramiz Alia?
Jo ne e biseduam me ta, unë Lisieni me Azemin dhe të tjerë. I thamë që po ashtu vijmë ne. Vajtje ardhje, po ishim bashkë s’ka ndonjë gjë. Tha Lisieni se po sjell unë autobusin e rinisë dhe ikëm me autobus.
Për se Ramiz Alia vendosi që të shpallte pluralizmin politik përpara takimit me studentët?
Normal ai po e kishte mbledh mendjen, më parë do e bënte. Më pas ti shkon në takim i relaksuar. Realisht, unë para se të shkoja në takim vajta tek Ismaili, që në atë kohë frekuentoheshim dhe shkonim pothuajse përditë tek shtëpia e njëri-tjetrit dhe ai ishte duke hapur një shishe shampanjë a verë, e më tha hajde të festojmë se u shpall pluralizmi politik. Aty e kam marrë vesh unë vendimin.
Në drekë?
Kështu që kur vajta tek studentët unë e dija se ishte lejuar. Ishte hapur, por prapë disa na thoshin na mbështet kërkesat tona. I thashë një kërkesë keni dhe dëgjoni lajmet në ora 6, që të mos ua hiqja surprizën. Sado që edhe me vendimin e Plenumit dhe kuptohej edhe nuk kuptohej, se njerëzit ende nuk e kishin atë kulturën që të kuptonin se çdo të thotë të lejohet pluralizmi me një frazë. Kur shkuam atje, sigurisht hyjnë studentët dhe duhet të iknim. Shoqëruesi i Ramiz Alisë na tha, a doni ta takoni? Vajtëm e takuam, ishte shumë i tensionuar se kisha parë ndonjëherë aq të tensionuar.
Pse ishte i tensionuar?
Nga ndryshimi mendoj. Bënte diçka për të cilën kishte shumë dyshime, sepse ndryshe e kishte bërë edhe më parë. Patjetër pastaj, që kur ndërron një sistem nuk është gjë e vogël dihej që kjo mund të eci butë, mund të eci keq. Pra periudha e tranzicionit është shumë e vështirë. Nuk dihen reagimet, kundër reagimet, të gjitha. Normal që do të kesh një tension të tillë. Ne i thamë erdhën studentët, po u zgjidh i thashë unë. Po, po tha, Pleniumi e miratoi. Do rini dhe ju tha? Po do rimë edhe ne. Shtuan edhe dy karrige.
Si e mbani mend takimin me Ramizin?
Tani, duke qenë në këtë që tashmë u zgjidh problemi, unë kam qenë shumë indiferent. Në kuptimin që, ishte një gjë e cila e kishte bërë efektin e vet. Negocimi tashmë ishte vetëm një si të thuash, më tepër kush të tregohej më superior në replika etj. Emocioni nëse do të zgjidhet apo s’do zgjidhet po të ishim pa vendim Plenumi, atëherë mund të ishte, sepse ai ndoshta mund të mos ishte ende gati. Të thoshte, jo nuk pranoj, e do të vazhdonte pas një jave. Ndërkohë që protestat do të merrnin një ngjyrë tjetër. Një nga arsyet që Pleniumi lëshoi, ishte dhe që çdo pesë minuta kishte një lajmërim, që u ngrit edhe filan ndërmarrje, edhe Uzina Traktori ju bashkua studentëve, etj. Që tregonte që kjo po bëhej masive. Rrjedhimisht edhe ndonjë që mund ta kishte mendjen, se hajde një grup studentësh të përkëdhelur janë e kuptuan që reaksioni po shkonte zinxhir. Siç vajti në lindje po ndodhte edhe në Shqipëri.
Zoti Gjinushi, në mbarim të takimit me studentët, a ishte i nervozuar Ramiz Alia? A e kuptonte që po lindte një parti e re politike?
S’diskutohet. Gjithë meraku ose ajo pjesë që unë vlerësoj, ishte pjesa që ishte për ndryshimin dhe ndryshimin e plotë. Ndërkohë që ishte edhe pjesa që ishte e lëkundur dhe pjesa që duhej bërë, por me detyrim. Patjetër që kjo pjesë dy rezerva ka. Një nga konceptet nga vetë bindjet, qoftë edhe nga përfitimet, sepse lëshon diçka dhe e dyta nga reagimi dhe përgjegjësia, sepse thotë që kam 50-vjet në kurriz, luftë klasash dhe pala tjetër do të kërkojë revanshin.
A e kuptonin drejtuesit komunistë të asaj kohe, se çfarë po ndodhte realisht?
Këtu ndaheshin. Kishte që e kuptonin, kishte që jo. Ka edhe nga ata që nuk e kanë kuptuar edhe sot.
Zoti Gjinushi, në momentin kur u krijua Partia Demokratike dhe u kuptua që pluralizmi nuk ishte më thjesht një fjalë, por një vepër konkrete, a pati një tkurrje të Partisë së Punës dhe a ishit ju që tentuat të braktisnin Partinë e Punës?
Tani, ky term në rastin tonë nuk shkon fare. Ne, kur them ne, do të thotë pjesa që ishte për ndryshimin, madje ka bërë edhe presionin dhe prononcimin e duhur. Patjetër që nuk qante hallin tkurret apo nuk tkurret partia, sepse kur nga monizmi shkon në pluralizëm nuk mendon se sa e madhe apo e vogël do të jetë Partia e Punës. Madje koncepti ynë, ka qenë që Partia e Punës mund të shkonte në rishpërndarje dhe realisht për një pluralizëm të shëndetshëm do të ishte më e mirë. Sepse edhe pala tjetër, nuk qe e organizuar. Tek ne nuk ka pasur traditë partish ndaj dhe s’ka pasur disidencë të organizuar. Atëherë rrjedhimisht shpërndahet dhe riorganizohet nga e para mbi bindjet e reja.
Ndërkohë që Shqipëria u nda në dy fronte, një që mbështeste komunizmin, një jo?
Kjo ishte e keqja që u mbajt prapë gjallë lufta, madje mbahet edhe sot ky është zhgënjimi më i madh. Ne edhe besonim më parë, kemi qenë edhe më idealistë për ndryshimet.
Pra ju mendoni se zgjidhja më e mirë do të ishte rishpërndarja e partisë dhe krijimi i një pluralizmi, jo mbi bazat e të shkuarës?
Në këtë linjë kam qenë konseguent. Veçanërisht jo se Partia e Punës duhet të shpërndahet por për riorganizim të plotë. Por nuk mund të luante rolin drejtues apo udhëheqës në ndryshimet e mëdha.
Për se nuk e pranoi Ramiz Alia këtë formulë?
Nuk e pranoi. Ai nuk thoshte jo. Patjetër që ai mendonte, sa më e fortë të ishte ajo pjesë, ishte më i mbrojtur. Ata nuk e mirëpritën ndarjen tonë dhe këtë term për presion na e bënë. Kur ne ikëm dhe dhamë dorëheqjen nga qeveria, e cila u bë në janar me shkrim dhe në shkurt kur ra qeveria ne u larguam përfundimisht. Në janar bëmë dorëheqje për shtyrjen e zgjedhjeve dhe u bë për këto motive dhe për ato që dukej sikur qeveria ishte vetëm për privilegje, që sigurisht nuk kishte ndonjë privilegj të madh. Por veçanërisht për përgjegjësinë dhe për ndryshimin. Për të ndihmuar ndryshimet. Meqenëse u shtynë zgjedhjet po atë ditë në negocim me opozitën. Ne sigurisht nuk mund të bëheshim shkak i një krize dhe pranuam që të rimë deri në zgjedhje, sepse nuk donim të bënim edhe shfaqje. Ne kishim bindjet tona, qëndrimet tona dhe kur erdhi puna e heqjes së emrit, aty u përplasa sërish me qeverinë dhe aty kërkova menjëherë dorëheqjen personale. Thashë përfundimisht iki dhe ne nuk kemi pranuar të rikthehemi. Dhe kur do të krijohej PSD-ja, ose kur grupi ynë kishte mbështetjen e të gjithë intelektualëve pothuajse absolutisht u tentua për ta prishur këtë grup. Ka dhe fjalim që krijimi i një partie të re, çan të majtën dhe kjo linjë ka ngelur deri sot. Kundër një PSD-je që rritet dhe janë marrë konkretisht dhe atëherë, na është bërë presion dhe për të na prekur në sedër është përdorur dhe ky termi që, epo mirë meqë po mbytet anija. Atëherë i jam përgjigjur atij, Ismail Lleshi ka qenë, që sigurisht ai kishte dëshirën e tij që bëhemi bashkë aty, ne i thoshin, bëhemi bashkë këtej jashtë Partisë së Punës. Hajde mblidhemi thamë, që të vendosim kush është për të renë, sepse Shqipërisë i duhet një forcë e re e majtë veçanërisht dhe Partia e Punës mund të bëjë pastaj operacionet e veta. Kur ai përmendi këtë termin dhe unë i thashë që e kam kaq përvojë veçanërisht nga Franca, që Partia e Punës po qëndroi, nuk bie nën 600-700 mijë vota. Pra dhe të kesh një parti opozitare me 30-40% që në nisje, nuk ka komoditet më të madh. Kurse të krijosh një të re, mund të punosh edhe tërë jetën edhe nuk arrin, se është shumë e vështirë. Pra nuk ishte për frikë, se disa menduan se vdiq tani Partia e Punës. Absolutisht, Partia e Punës po do qëndrojë siç qëndroi, do rikuperonte dhe tani e ke forcë të parë.
Ju ishit ende Ministër i Arsimit dhe raportet midis studentëve dhe drejtuesit politikë të kohës vazhdonin të tensionoheshin herë pas herë. Pjesa më e madhe e studentëve mbështesnin PD-në dhe studentët u kthyen në militantët e parë të saj. Në shkurt të vitit 1991 filluan protestat e para, që kërkuan heqjen e emrit të universitetit. Ju keni hyrë në negociata në atë kohë. Për se Ramiz Alia, nuk pranonte kërkesën e studentëve për ti hequr emrin Enver Hoxha Universitetit të Tiranës?
Për hir të së vërtetës 90-tën e kemi marrë më “lehtë”, në kuptimin që nuk prisja ekstremizëm. Mund të prisja ndonjë përplasje, deri tek shkopi, sepse mendonim që edhe më konservatorët do të dorëzohen përpara kësaj nevoje për ndryshim. Por heqja e emrit, ka qenë më e polarizuar. Ka më shumë fansa, më shumë ekstremistë dhe çon edhe në përplasje civile. Se çfarë dimensioni, është tjetër gjë siç dhe rrezikohej të bëhej Tirana për shembull me shkollën e bashkuar, të cilët po të lejoheshin dhe po të arrinin të dilnin, patjetër do të krijonte përplasje me popullsinë ose me grupe të tjera në mbarë Shqipërinë. Pra ndahej edhe me zona, sepse kishte zona super konservatore dhe zona super demokratike. Siç kishte urrejtje të madhe, kishte edhe dashuri të madhe ose fanatizëm të madh. Ne kemi qenë më të shqetësuar për këtë. Por, po aq e shqetësuar ka qenë edhe Partia Demokratike. Unë hyra në negociata me kërkesën e PD-së. Pra atëherë jam takuar mbi katër herë me Saliun dhe me Azemin. Ata kanë ardhur me urgjencë, sepse protesta filloi nga Bujqësori. Këtë radhë ishte universiteti që u bashkësolidarizua me Bujqësorin, më pas filluan me emrin e Enver Hoxhës. Më pas më ftuan edhe mua në një takim, madje unë shkova në një ditë të keqe në atë takim, sepse ishte dita që gjoja qeveria kishte shpallur se ishte kundër heqjes së emrit, unë nuk dija gjë. E kishin dhënë në lajme. Ju e mbani mend se çfarë kam thënë, por që në esencë ishte kjo: që në pluralizëm ke të drejtë të bësh çdo lloj kërkese, pa diskutim. Studentët merren edhe me politikë. Po të ishin kërkesa të karakterit ekonomiko arsimor do të kishin punë me mua, sa isha ministër, politike pastaj me të tjerët. Madje studentët janë forca kryesore që rrëzojnë qeverinë, por kërkesat bëhen realitet, kur ke shumicë.
Për se refuzonte Ramiz Alia ta ndryshonte duke e radikalizuar situatën?
Sigurisht sepse edhe rezistencën brenda e kishte më të madhe. Mos harro se kjo tashmë ishte edhe lojë e zgjedhjeve, se këtu luheshin zgjedhjet. Tashmë ishte në pluralizëm, pavarësisht se ai ishte i papjekur si pluralizëm ende. Pra kishte dy fronte dhe tashmë është gara. Kur ti gjuan figurën numër një, ose mitin në një krah, atëherë patjetër që e shkatërron. Dhe vetë pastaj reagimet që ka pasur nga poshtë, kush e di se çfarë kanë thënë, se po fshitë edhe Enverin..me siguri që e bënë që të ishte me hezitues. Por ngjarjen kanë rrjedhur kështu, pastaj se nga ngjarjet kuptohet. Se ai në fund të fundit e kuptoi se nuk e mbante dot më, nuk e mbante dot as Enverin.
A e dinte Ramiz Alia se mund ta radikalizonte më shumë situatën duke mbajtur emrin e Enver Hoxhës?
Po. Ndaj dhe ai hyri në negociata. Ndaj përmenda se kërkesa e parë mua mu bë nga Sali dhe Azemi me urgjencë. Që më thanë se duhet të negociojmë me urgjencë me studentët që të evitojmë grevën e urisë. Jemi ulur në rektorat dhe kemi folur mbi një orë. Madje thanë, se ja Azemi po përpiqet që të gjejë edhe firmat dopio, por po ashtu do të hyj dhe vetë, sepse nuk mund ta evitoj, por ne nuk duam që të shtrihet. Kemi marrë masa që të mos shtrihet, që të mos shkojë zinxhir. Unë i thashë, ju kujtoheni me vonesë mua tani po më thoni, megjithatë do të bëj një përpjekje. Aty kam bërë një përpjekje në qeveri, që i thashë me rastin e ndryshimit, meqë do të riorganizojmë edhe universitetet, të themi që hiqet emri.
Nuk u pranua kjo ide?
Aty pastaj pati një reagim të keq.
Kush reagoi?
Që nga kryeministri dhe nja dy të tjerë. Aty kam shprehur pastaj dorëheqjen përfundimtare. I thashë përfundimisht ndahemi dhe ndahemi në shumë gjëra me sa duket. Ju keni të tjera qëllime, unë kam të tjera. Pasi kam ikur, më kërkoi Ramizi të nesërmen që të shqyrtonte kërkesën e dorëheqjes, nuk u takuam. Nuk e di, por nuk u realizua takimi, se ku u vonua. Por në për shkallë i thashë, këtë radhë nuk është më formale, e evituam të parën, por tani jo.
Keni pasur më pas një takim me Ramiz Alinë?
Po. Jemi takuar, se u takuam me gjithë selinë e PD-së.
Ky ka qenë takimi në presidencë, që ju hytë me vonesë?? Historia e famshme..
Jo historia e famshme, se prandaj janë psikopatë ata. Se njeriu në atë kohë, ishte Saliu që kërkoi të hynte në negociata dhe unë kam vajtur me kryesinë e tyre tek studentët. Tek të gjitha takimet, unë isha negociator i kërkuar prej tyre. Madje me Blendi Gonxhen, këta më prezantuan me kryesinë e grevës. Këta i kanë sjellë tek zyra ime, se thanë se studentët duan të bisedojnë vetë. Meqë këta bënë shumë presion dhe i pashë shumë të shqetësuar, i kam thënë ish nënkryetarit të PR-së, se më dërguan edhe atë dhe i thashë, unë kam dhënë dorëheqjen sa për dijeni. Kam bërë një tentativë të tillë, formula është shumë e mirë, por nuk shoh drita. Të nesërmen e thirra në zyrë Saliun më pas dhe i thashë kështu, që unë do të bëj një tentativë, dhe ai më tha nuk dua ta di, kam besim tek ty.
Ndërkohë që studentët hynë në grevë urie?
Jo, madje e shtynë edhe grevën e urisë disa orë, i dhanë edhe më shumë kohë me kërkesën time. Atëherë e bëra tentativën dhe u refuzua.
Ku e bëtë tentativën?
Kapa Enver Halilin, që thirri Hekuran Isain që vajti tek Adili dhe përfunduam tek Ramiz Alia në orën 5 të pasdites.
Të gjithë?
Unë, Ismaili Ahmeti dhe një grup tjetër.
Dhe cili ishte reagimi i Ramizit?
Ai në vend që të merrej me faktin hiqet po nuk hiqet emri, tha jo po ta kërkojnë studentët, jo po të themi që një nga universitetet e reja do të marrë prapë emrin e Enverit. Atëherë unë i thashë kjo nuk është zgjidhje. Nuk ramë dakord dhe u prish, u la.
E mendonte Ramiz Alia se ç’mund të ndodhte?
Patjetër që e mendonte. Të nesërmen ishte Pleniumi. Në Plenium, na sulmuan.
Ndërkohë që studentët hynë në grevë urie?
Po, kishin hyrë. Vajta ti takoja me Ismailin atë natë, pa mandat. Shkova thjesht për njerëzillëk. Te nesërmen ishte Pleniumi, në 19 shkurt. Aty sulmuan Ismailin, i thanë mirë Ministri i Arsimit, po ti çfarë deshe tek studentët? Aty Ismaili ua ktheu rëndë nja dy vetave. U bë një Plenium sikur nuk ishim në Shqipëri, Ramizi nuk e trajtoi fare. Vazhdoi rendi që kishin pasur, fare për studentët që kishin hyrë në grevë urie. Në fund tha, shiko se është edhe ajo greva që u hap sherri në fillim dhe ka një mendim Ministri i Arsimit, na i ngarkoi ne të dyve. Aty më thirri më pas e më tha cili është propozimi, unë i thashë formulën që e kisha negociuar edhe me Saliun.
Cila ishte përgjigjja e Ramiz Alisë?
Mirë tha, sot në darkë kam takim me opozitën dhe po kam hapësirë tha, do të thërras. Ky është ai takimi i famshëm. Unë isha para takimit tek zyra e Ismail Ahmetit, isha njeriu që i kisha bashkuar në atë radhë dhe diku nga ora 10 e ca ra zilja e telefonit dhe më tha hajde, dhe vajta unë. Ka qenë Eduard Selami, Preç Zogaj, Azem Hajdari, dhe nja pesë a gjashtë veta dhe një revistë me kopertinë. Aty tha, ja ministri thuaju propozimin. Seç bëri një ndërhyrje Azemi dhe tha Ramizi: ri Azem se nuk merr vesh ti. Pastaj mirë dakord tha. Pesë minuta zgjati. Azemi me humor tha, ky nesër bie dhe ikëm ne më pas.
Për foton e monumentit?
Ishte Enveri në foton e monumentit, ai që ra më pas.
Azem Hajdari kishte informacion apo bëri thjesht shaka?
Shaka që doli e vërtetë. Por që dihej që do të binte, ose më saktë kuptohej. Çdo njeri e kuptonte.
Sepse ishin thirrur sindikatat?
Ishin thirrur sindikatat, miting të gjithë qendrat e punës. Dimensioni i mitingjeve dihej tashmë, mbi 100.000, jo monument po më shumë… Atëherë ikëm, sigurisht që shkuam tek selia e PD-së se këta donin të merrnin vendim kryesie. Që të kishin edhe miratimin e kryesisë për propozimin. E miratuan dhe ikëm te studentët. Pra kryesia e PD-së bashkë me mua shkuam tek studentët. Ndaj janë shumë qesharakë këta që thonë kështu budallëqesh.
Studentët nuk e pranuan?
Studentët pas nja dy orësh e përzunë PD-në. Thanë nuk duam PD-në, do të negociojmë vetëm me ministrin. Atëherë unë qëndrova me ta deri në pesë të mëngjesit, që si kryesi që ishin, ishin dakord. Kundërshtonte vetëm njëri që është drejtor tani. Thanë do e konsultojmë me shokët. Të nesërmen erdhën sindikatat dhe nuk kuptohej më se çfarë bëhej.
Propozimi ishte i vjetruar ndërkohë?
I vjetruar?? Ai u miratua, heqja e emrit. Në orën gjashtë i kemi nxjerrë ne nga greva, se studentët prapë u harruan. Ikëm bashkë me Ismail Ahmetin.
Kur e morët vetë se busti po binte?
U thirr një si Plenium atje dhe aty u thirra, urgjent, urgjent, urgjent. Dihej që protestat kishin zbritur andej, se i ndiqnin. Unë rija tek zyra e Ismailit dhe i ndiqnim atje.
Ju e dinit se sa njerëz po zbrisnin në shesh?
Po dihej ajo. Tashmë diheshin pjesëmarrësit.
Ku po zhvillohej plenumi?
Aty ku është Kuvendi tani, ku zhvillohej më parë, por ishte gjysëm për gjysëm sepse kuptohej se morën pjesë vetëm ata që ishin në Tiranë. Atje në një moment, erdhi një copë letër dhe tha Ramizi, ra monumenti tha. Pati ndonjë atje që tha, të shkojmë ta mbrojmë.
U prish plenumi?
Ramizi bëri nja dy xheste, ja tha e rrëzuan. Ne ikëm në këmbë pastaj bashkë me Ismailin.
Ndërkohë kush e mori vendimin për heqjen e emrit?
Përfundimisht në orën 7 më thirrën tek zyra e Ramiz Alisë dhe ai bëri dekretin me atë formulim që hiqej emri i Enver Hoxhës. Dhe ne e morëm dhe e çuam tek studentët, madje shkuam dhe erdhëm në këmbë.
Si e gjetët Qytetin Studenti, të ndryshëm nga një natë më parë?
Ishte rrëmujë, më shumë ishte mbushur me prindër. Protestues që vinin e iknin. Ishte koha që ishte shpërndarë sigurisht pjesa më e madhe dhe kishin ngelur disa studentë, pjesa më e madhe ishin brenda.
Pra kuptohej se heqja e emrit ishte vetëm formalitet?
Po, ishte vetëm formalitet. Se ra monumenti, simbolika.
A patët ju ndonjë propozim për tu zgjedhur në kryesinë e Partisë së Punës, apo në Partinë e re Socialiste dhe për të marrë drejtimin e kësaj partie?
Kjo ka dalë dhe në publik tani sepse e tregon Xhelil Gjoni në kujtimet e tij, që pas kësaj Partia e Punës nuk e mirëpriti krijimin e PSD-së dhe idenë që ne u grupuam. Pra e gjithë ajo pjesë e qeverisë që iku nga qeveria, veçanërisht shumë dekanë e përfaqësues të universiteteve. Kishin edhe një avantazh, që unë si Ministër Arsimi kisha ndikimin tim tek qarqet akademike dhe universitare. Ismail Ahmeti dhe Faraudini kishin tek inteligjenca e prodhimit dhe aplikimit, tek institutet. Kështu që mbështetja ishte shumë e madhe dhe atëherë është bërë një tentativë, një Plenium që të ktheheshim prapë.
Nuk ka pasur ndonjë propozim që të drejtonit Partinë e Punës, apo Partinë Socialiste?
Aludime po. Nuk mund ta them nëse ishte e vërtetë që do të bëhej kështu. Por janë bërë deri që kthehuni se…
Kush e mori vendimin për krijimin e një partie të re socialiste?
Pjesa që mbeti në Partinë e Punës dhe që pranoi që të jetë në ato grupet e rinovimit të Partisë së Punës.
Ju pse zgjodhët të krijoni një parti të re?
Fare e thjeshtë. Ne mendonim që e majta duhet të kishte një forcë të re. Nuk kishte pse të mbante pjesa e re, pjesa e intelektualëve, përgjegjësitë e 50-viteve, as përgjegjësitë dhe as peshën, gravitetin, konservatorizmin etj. Madje dhe me humor kur kemi bërë këto debate apo replika, jo PS-PP-ja jo PSD-ja, thoshim, ja njësoj se një program. Po një program, po dhe njerëzit si i riu si i vjetri një inventar kanë, por ndryshojnë në cilësi. Pikërisht për hir të moshës. Është shumë e vështirë të rinovosh një prodhim tashmë të bërë, që ti përpiqesh ta transformosh, se sa të marrësh një arkë të re dhe të marrësh vetëm prodhime të kontrolluara. Pra në formën figurative dhe forcat e reja duhet të drejtonin procesin. Nuk mund të drejtonte Partia e Punës, veçanërisht hapat e para të procesit.
A e zhvleftësoi krijimin e PSD-së, transformimi i Partisë së Punës në Parti Socialiste?
Sigurisht që ajo u bë për konkurrencë. Ashtu siç quajtën ata, zënie hapësire.
Nëse nuk do të kishte dalë Partia Socialdemokrate, a do të ishte transformuar Partia e Punës?
Rrezik ata do të merrnin emrin socialdemokrate. E dyta, ka mundësi që të mbanin emrin e vjetër. Pra ne kemi ndikuar në rinovimin e Partisë së Punës, pa diskutim. E kemi përshpejtuar procesin, sepse kjo konkurrencë me një parti të re ata absolutisht që i nxiste dhe i bënte që për mbijetesë të tregoheshin sa më rinovues.
Zoti Gjinushi, nëse unë ju pyes sot pas 20-vjetësh, se sa ka ndikuar negativisht në Shqipëri zgjatja rreth një vit e transformimeve shqiptare nga ato të pjesë tjetër të Evropës Lindore, që u mbyllën me vrasjen e Çausheskut në 1989, ndërkohë që zhvillimet transformuese në Shqipëri, ndodhën në dhjetor. Cili do të ishte mendimi juaj?
Mendoj që veçanërisht pas prishjes me Kinën, që Shqipëria nuk ndoqi as minimumin e modelit kinez të paktën në ekonomi në vitin 1976 që të hapej, që aty fillon tamam kriza ekonomike. Që mbyllja të sjellë pasojat e rënda ekonomike. Se Shqipëria nga viti 1944 deri në 1976, mund të kenë pasur progres, se vinte nga një prapambetje të madhe. Progres me vetveten, jo me ritmet e vendeve të tjera. Por po të shohësh nuk kishte disnivele të mëdha. Më pas në 1976, kur vendet kishin hop të madh, Shqipëria filloi të mbyllej. Dhe mbyllja më drastike ishte kur u vendos, që të mos kishte asnjë lloj aleati, asnjë lloj hapje dhe asnjë lloj mbështetjeje. Sepse sikur vetëm atë model të ndiqje, ti do të dëgjoje një ekonomi të paktën, një ekonomi me pronë private të vogël të sanksionuar, me ekonomi me investime të bëra.
Përkundrazi kufizimi i pronës, erdhi më i fortë në vitet 80…
Kaloi në ekstrem, deri tek lopa, deri tek oborri. Këtu Ramizi zgjodhi gjithnjë mesin. Për shembull, ekonomi tregu apo ekonomi komuniste apo socialiste, zgjodhi mekanizëm i ri ekonomik. Që nuk ishte as mish as peshk. Pluralizëm politik apo monizëm, zgjodhi pluralizëm mendimi. Masat në ekonomi duhet të ishin shumë më të shpejta. Ajo do të zbuste.
Por do të çonte padyshim në ndryshime politike?
Po, por do të ishin më të buta.
Në një nga Pleniumet, Ramiz Alia, shprehet që marrja e kredive, hapja ndaj tregut të lirë, në një farë mënyrë është “Kali i Trojës” për ta çuar Shqipërinë në kapitalizëm?
Është thënë edhe se kemi gabuar në arsim se e zhvilluam më shumë seç duhet. Po ishte një nga tezat e lindjes sepse realisht në arsim lindja ka pasur shumë përparim.
Cila do të kishte qenë formula e artë sipas jush?
Formula e artë do të ishte absolutisht hapja që duhet të fillonte me ekonominë. Se ke modelin kinez. Kur mbahet Kina, që nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, po ndërton kapitalizmin. Sepse një vend shumë i varfër duhet kuptuar që dhe demokracia pa një nivel të caktuar ekonomik, është me shumë defekt. Pra, do një demokraci në mentalitet, me kultura pluraliste vetë, një e kundërshtarit, që nuk e kemi as sot. Ne luftën e klasave e zhvillojmë sot me terma më të këqija, ose aty, aty me ato të komunizmit nga një palë. Dhe në ekonomi sepse po nuk ke një mirëqenie, patjetër që votat kur blihen e shiten, njerëzit ndërrojnë ngjyrë vend e pa vend, sepse luhet edhe për bukë goje, pra për interesa jetike. Pra këto janë të lidhura. Shqipëria e bëri në kushtet e një ekonomie tepër të varfër, tepër të centralizuar, ndërkohë që sot konfliktet i ke tek pronat, i ke më pas të reflektuara edhe në politikë.
Comments are closed.
Gjinushi=Berisha=Nano=Rama=Ceka=Ruci=Delijorgji=Fazlli=Janullatos…
Gjinushi ka qene nje person pozitiv ne proceset dem.
Kasta e pregatur nga Ramiz Alia eshte pergjegjese per kopshtin e lulezuar te Sali Thiut
Petrit!+te gjithe politikanet e vitit 1990=klyshet e ramizit
Akoma ky me mendte e 90’s , demokracia pa njefare nveli ekonomik nuk ka kutpim thoete.
megjithate, kam pershtypjen se sa i perket kujtiemve eshte me i sakte,.
Skender Gjinushi shkencetari shqiptar. Kjo duhet te pranohet nga shqiptaret.