“Çmendet” Juventusi, ofron 54 milionë euro për Fernando Tores

8 Janar 2011, 16:42Sport TEMA
“Çmendet” Juventusi, ofron 54 milionë euro për

Juventusi mund të bëjë blerjen më të madhe të merkatos. Sipas mediave britanike, bardhezinjtë janë gati që të ofrojnë 45 milionë stërlina, ose 54 milionë euro, për të marrë nga Liverpuli sulmuesin spanjoll, Fernando Tores. Kjo do të ishte një goditje e madhe për “Zonjën e Vjetër” dhe do të rriste shanset e saj për të luftuar për titullin kampion. Tores është i lodhur me situatan që është krijuar tek Liverpuli dhe sipas mediave britanike, ka kërkuar që të largohet. Ai këtë dëshirë e ka shprehur që në verë, pas largimit të njeriut që e solli në Angli, Rafa Benitez. Forma e dobët e Liverpulit ka ndikuar edhe tek ai, pasi deri më tani ka shënuar vetëm 6 gola në Premier Ligë, një shifër shumë e ulët për një sulmues të klasit botëror si puna e tij. Mediat britanike shprehen se synimi i bardhezinjve për të marrë Toresin është serioz, ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim. Një gjë është e sigurtë, Liverpuli vështirë se do të heqë dorë nga sulmuesi i vet më i mirë.

Lini një Përgjigje