Lionel Messi ka fituar “Topin e Artë” të FIFA-s për vitin 2010, duke triumfuar ndaj dy shokëve të skuadrës te Barcelona Andres Iniesta dhe Xavi Hernandez.
Votimi i bërë nga gazetarët sportivë të akredituar nga “France Football” si edhe nga trajnerët dhe kapitenët e ekipeve kombëtare ka nxjerrë sërish argjentinasin si lojtarin më të mirë të botës, një vendim paksa i çuditshëm, duke qenë se Andres Iniesta shihej nga të gjithë si ai që do të merrte këtë çmim.
Mesfushori i Spanjës dhe i Barcelonës shënoi golin në finalen e Botërorit kundër Holandës, ndërsa Messi dhe Argjentina e tij u eliminuan që në çerekfinale nga ky turne. Emrin e fituesit të Topit të Artë, që për herë të parë jepet nga FIFA së bashku me revistën franceze “France Footbal”l, e lexoi trajneri i Barcelonës Pep Guardiola.
“Nuk e prisja këtë çmim, dua ta ndaj me shokët e mi të skuadrës”, deklaroi Mesi në momentin e dorëzimit të trofeut, që ishte i dyti radhazi për të. Andres Iniesta u rendit i dyti në këtë klasifikim, ndërsa Xavi Hernandez i treti. Por, mbrëmja gala nuk kishte vetëm këtë çmim. Futbollistja më e mirë femër u shpall sërish braziliania Marta, e cila mposhti konkurrencën e kosovares Fatmire Bajramaj dhe të gjermanes Birgit Princ.
Trajneri më i mirë u shpall portugezi Joze Mourinho, që arriti të triumfonte ndaj kampionit të botës Vicente Del Boske. Ndërkohë, FIFA ka zgjedhur edhe skuadrën e vitit, që përbëhet nga Iker Kasillas në portë; Maicon, Pike, Lucio dhe Pujol në mbrojtje; Snajder, Iniesta dhe Xavi në mesfushë, ndërsa treshja e sulmit përbëhet nga Lionel Messi, David Vija dhe Kristiano Ronaldo. Goli më i bukur ndërkaq, u vlerësua ai i turkut Hamit Altintop në ndeshjen Kazakistan-Turqi. Ky ishte edicioni i parë i Topit të Artë të FIFA-s, trofeu më i rëndësishëm në karrierën personale të një futbollisti.
“KD”
Comments are closed.
Nje nga gabimet e shumta ne fushen e futbollit dhe kjo “fitore”e Mesit.
Mesi deshtoi ne kompeticionin me te rendesishem,Boterorin 2010.
Megjithate eshte lojtar shume i mire.