Koha e standardeve

19 Janar 2011, 20:44Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

I njomi me të thatin

Kur zihen dy palë, të dyja kanë faj! Opozita akuzohet prej mazhorancës për shpërfillje të institucioneve demokratike, injorim të shtegut juridik në pretendimet për transparencën zgjedhore e sfidim të raportit të OSBE-ODHIR, anarki me bllokim bulevardi e rrugësh, bojkot parlamenti e të tjera ‘mëkate’ demokratike duke i vënë ndërkohë vetes kurorën e kampiones së shtetit të së drejtës e monopolin e së vërtetës. Vallë, ishte vërtet opozita e para dhe e vetmja mëkatare sepse ‘kafshoi’ mollën e ‘mëkatit’ demokratik apo gjeneza e ‘mëkatit’ përkon ndoshta me dorën që e mbolli farën më parë?

Pas 20 vjet përqafimi të demokracisë mazhoranca, si dikur në opozitë, përsëri nuk justifikon standarde demokratike teksa zhgënjeu me respektimin e votës së lirë, injorimin e opozitës e autokratizmin model, intimidimin e medias e kompromentimin e raportit meritokraci-mediokraci me implikime për fjalën e lirë. Kundrejt rrënimit të ‘indit’ të demokracisë që na e largon më tej normalitetin e dëshiruar, sfida e opozitës është nëse duhet të vendosë e të ndjekë një standard të të bërit opozitë si rëndom në botën e civilizuar apo të ‘ulet’ në nivelin e sjelljes të palës tjetër për të amortizuar efektin e kaosit qeverisës.

Pas 20 vjetësh, standardi nuk mund të jetë më dilemë. Pavarësisht sjelljes mazhoritare, opozita nuk duhet të tundohet, por me qetësi të angazhohet në evitimin e precedentëve të ‘mykur’ politik, me rrezik riciklimi e imitimi në të ardhmen. Në këtë luftë nervash, ajo duhet të dëshmojë sesi duhet bërë opozita edhe në kushte të shpërfilljes së parimeve demokratike nga ana e një pushteti që dëshmon sesi nuk duhet të sillet një mazhorancë në demokraci.

Protestë dhe qytetari

Protestat janë normale në demokraci si valvola të shkarkimit të stresit politik e burim entuziazmi për shpresën e së nesërmes. Dhuna në to është e pajustifikueshme. Edhe nëse ajo haset në realitetin politik perëndimor, ajo nuk është standard por përjashtim në zvenitje e sipër. Adrenalina në rrugë e shoqëruar me dhunë ka një faturë materiale, morale, politike deri lëndime njerëzore e si e tillë nuk mbjell farën e paqes e harmonisë afatgjatë politike e sociale por hapje llogarish të reja revanshesh e mure ndarjeje mes një shoqërie që ende vuan ‘getoizimin’ artificial prej politikës së shkuar.

Protesta e 21 janarit duhet të zhvillohet në dinjitet e respekt të vlerave të demokracisë, njerëzve që kanë të gjitha arsyet të protestojnë e opozitës që e ka mision t’i përfaqësojë. E thirrur prej opozitës, ajo duhet të menaxhohet prej saj për të respektuar etikën e ligjin demokratik. Masa e pritshme e njerëzve në bulevard është simbolikisht thirrje për vëmendje e vlerësim serioz të nevojës për ndryshim në qëndrimin qeveritar e perëndimor, ‘kova’ me ujë të ftohtë në kokën e nxehtë të mazhorancës që nuk mban peng vetëm normalitetin demokratik me ‘ngurtësinë’ lapidare por vetë shanset e nesërmes politike të saj. Protesta duhet të ketë vetëm dimension verbal, e imunizuar prej provokacioneve sepse çdo incident kompromenton imazhin e fytyrës së re të demokracisë që opozita pretendon. Argumenti e kauza qëndron tek fjala e jo intimidimi. Një protestë ‘gandiste’ do të vinte keqas në ‘cep’ jo vetëm mazhorancën por dhe vetë perëndimin që përballë urtësisë e moralit të kësaj proteste do të testoheshin seriozisht si ‘watchdogs’ apo ‘roje’ të demokracisë.

Sfida e Perëndimit

Perëndimi ka pjesën e tij në zënkën mes nesh. Pas ‘vetëpengmarrjes’ me certifikimin jo bindës për pritshmëritë e një vendi të NATO të zgjedhjeve 2009 e legalizimit të kontekstit që provokoi krizën e transparencës, prej kohësh emeton në publik vetëm formulat bajate, jo rrallë përmes zëdhënësve burokrat të shtypit, për kompromis e gjetje konsensusi ‘imagjinar’ në kushtet kur palët janë pozicionuar fort duke ngritur vetulla rreth ‘realpolitikës’ së tyre e vënë në diskutim autoritetin e objektivitetin e pritshëm kur besohet se të paktën ai është i imunizuar prej çdo intimidimi eventual prej politikës shqiptare të ditës.

Përballë një mazhorance që nuk justifikoi precedentin e duhur të qeverisjes, vetëpërmbajtja e opozitës e shansi i saj për të sanksionuar precedentin e duhur ndërsa në opozitë, duhet të respektohet e të inkurajohet prej perëndimit. Ai duhet të promovojë një precedent opozite që respekton rregullat demokratike ndaj duke lënë pas formulat bajate të ‘mosndërhyrjes’ duhet të ushtrojë me vendosmëri e haptazi presionin e duhur politik deri në ‘ndëshkim’ derisa mazhoranca të sillet si në një vend normal demokratik. Lënia pas e politikës së mefshtë prej perëndimit, përkrahja haptazi e frymës demokratike në respekt të vetvetes dhe parimeve që e identifikojnë, artikulimi i qartë i përgjegjësve të kaosit demokratik, shpallja e pritshmërive dhe trysnia për një zgjidhje politike të shpejtë të krizës që po përjetojmë, janë parakushtet që opozita të vetëpërmbahet dhe motivohet në funksion të krijimit të precedentit të duhur demokratik për një vend kandidat për BE.

‘Topi’ është në fushën e perëndimit, imazhi i të cilit nuk mund të merret peng si në rastin e rezolutës së Parlamentit Europian që ra në vesh të ‘dyllosur’. Ngritja e zërit për vlerat demokratike nuk mund të paragjykohet si ndërhyrje sepse bëhet fjalë për fatin dhe të drejtën e një shoqërie për t’u ndjerë europiane. Nëse perëndimi nuk ushtron presion apo ai mbetet joefektiv për një mazhorancë që ka shkuar tepër larg, i pari ai duhet të inkurajojë opozitën në aksionin e saj civil e demokratik në emër të interesit të një shoqërie që privohet prej realitetit të demokracisë normale. Është koha për perëndimin të ngrejë ‘stekën’ e dëshmojë standardin e ‘ADN’ demokratike me të cilën është mbrujtur duke ia promovuar këtë privilegj edhe shoqërisë shqiptare që do të jetë shpejt guri radhës në mozaikun europian.

Lini një Përgjigje