Rafa Benitez, në një intervistë të dhënë për BBC-në, ka deklaruar se ëndërron që të rikthehet sërish nën drejtimin e Liverpulit. “Të jem trajner i Liverpulit është një ëndërr për mua, por tashmë Liverpuli drejtohet nga Dalglish dhe ai është duke bërë një punë të mirë. Por nëse do të më kërkonin që të rikthehesha të drejtoja Liverpulin, nuk ka dyshim që do të pranoja”, ka thënë spanjolli Benitez. Ky i fundit është shprehur edhe për shitjen e Toresit, duke thënë se ai mund të ishte shitur më shtrenjtë një vit më parë. “Tores gjatë këtij sezoni nuk po luan më mirë. Por jam i sigurtë se nëse do të kishte një ofertë sezonin e kaluar, do ta kishim shitur 70 milionë sterlina. Megjithatë, edhe shuma prej 58 milionë euro është goxha e madhe”, është shprehur ish-tekniku i Liverpulit. Benitez u largua nga Liverpuli për të marrë drejtimin e Interit, por eksperienca e spanjollit tek italianët zgjati shumë pak, pas rezultateve të dobëta në kampionat.