Më 12 shtator para selisë së Partisë Demokratike u vra deputeti dhe themeluesi i kësaj partie, Azem Hajdari. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, akuzoi qeverinë Nano për vrasjen e Azem Hajdarit, duke e konsideruar vrasje politike. Dita kur do përcillej për në banesën e fundit deputeti i vrarë u kthye në revoltë kundër qeverisë. Në 14 shtator protestuesit, të drejtuar nga krerët e PD-së, sulmuan godinën e kryeministrisë, parlamentit dhe hynë me forcë në godinën e Televizionit Publik Shqiptar. Atë ditë kryeministri Fatos Nano u largua nga Shqipëria për çështje sigurie. Qëndroi në Maqedoni. Rendi u rivendos brenda pak orësh, por u ashpërsua skajshëm lufta politike mazhorancë- opozitë. Kryeministri i atëhershëm Fatos Nano e quajti grusht shteti revoltën e 14 Shtatorit. Të nesërmen, me 15 shtator, u mblodh parlamenti, i cili miratoi një deklaratë, e cila e konsideronte grusht shteti revoltën e opozitës për vrasjen e deputetit Hajdari. Deklarata u lexua nga Namik Dokle dhe pas disa diskutimeve dhe përmirësimit të saj u miratua nga parlamenti. Në një situatë politike të tensionuar, Fatos Nano kërkoi mbledhjen e KPD dhe mbështetjen e këtij forumi për të bërë ndryshime në qeveri. Por nuk dukej aq e thjeshtë. KPD nuk ishte kompakte në mbështetje të një tjetër qeverie të drejtuar nga Nano, dhe në 28 shtator 1998 Fatos Nano dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Vendimi erdhi si rezultat i debateve që u zhvilluan ato ditë në forumet e larta drejtuese të PS. Kundërshtarët e Nanos nuk i dhanë më besimin këtij të fundit të drejtojë qeverinë. Në vend të Nanos u emërua kryeministër Sekretari i Përgjithshëm i PS, Pandeli Majko. KPD votoi pa kundërshti Majkon kryeministër, ndërsa ky i fundit zgjodhi Ilir Metën si krahu i djathtë i tij në qeveri duke i dhënë postin e zëvendëskryeministrit në qeverinë e re socialiste. Në kabinetin e ri qeveritar, Edi Rama u emërua ministër I kulturës. Në qeverinë Majko u përfshinë në mënyrë thuajse të ekuilibruar figura politike, që ishin pjesëtarë të dy grupeve kundërshtare brenda PS. Pak muaj më pas, Fatos Nano dha dorëheqje edhe nga posti I kryetarit të PS dhe nisi një beteje brenda partisë për tu kthyer për të rimarrë postet e lëna, kryeministër dhe kryetar partie.
Më poshtë botohen sipas kronologjisë kohore ngjarjet që pasuan vrasjen e deputetit Azem Hajdari dhe më pas dorëheqjet e Nanos si dhe zëvendësimi i tij në krye të qeverisë me Pandeli Majkon.
15 shtator 1998, seancë plenare
Pas protestave te dhunshme të 14 shtatorit, u mblodh parlamenti në një situatë politike të acaruar skajshëm. Fatos Nano ishte rikthyer dhe kërkonte nga parlamenti mbështetjen, duke e cilësuar sulmin e opozitës ndaj institucioneve si grusht shteti. Për këtë arsye, grupi parlamentar socialist hartoi një deklaratë, e cila u miratua nga shumica parlamentare, ku protesta e opozitës cilësohej grusht shteti.
Namik Dokle – Atëherë, të nderuar deputetë, po rilexoj edhe një herë projektin e tekstit të deklaratës.
Deklaratë e Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë.
Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë, i mbledhur në seancë plenare më datë 15 shtator 1998, duke vlerësuar ngjarjet e ditëve të fundit, veçanërisht sulmin kundër institucioneve dhe rendit kushtetues nga grupimet agresive të armatosura të Partisë Demokratike, të drejtuara nga Sali Berisha, duke konstatuar goditjen me armë, grabitjen dhe pushtimin e Parlamentit, të selisë së Këshillit të Ministrave, të Gjykatës Kushtetuese, Televizionit Shtetëror dhe shpalljes, nëpërmjet tij, të së ashtuquajturës fitore të tyre, konkludon:
Grupe të armatosura të Partisë Demokratike kryen një grusht shteti kundër institucioneve kushtetuese, i cili, edhe pse deri tani ka dështuar, mbahet ende në aktivizim. Drejtuesi dhe organizatori i grushtit të shtetit është Sali Berisha, mbi të cilin rëndon vrasja e shqiptarëve vetëm për të mbajtur ose për të rimarrë pushtetin. Parlamenti falënderon popullin e Tiranës dhe forcat e ruajtjes së rendit për gjakftohtësinë dhe veprimin e tyre për rivendosjen e rendit e të qetësisë. Parlamenti vlerëson dhe mbështet iniciativën e Presidentit të Republikës në favor të zgjidhjes politike të situatës.
Parlamenti i kërkon Qeverisë të marrë të gjitha masat adekuate për t’u dhënë fund menjëherë pasojave të grushtit të shtetit dhe për të rivendosur qetësinë, rendin dhe jetën e qetë për shqiptarët. Parlamenti u kërkon institucioneve shtetërore që të rivendosin jetën normale në shërbim të shoqërisë civile dhe të shtetit të së drejtës. Parlamenti u bën thirrje partive politike të distancohen nga aktet e dhunës dhe të zhvillojnë konkurrencën politike me mjete paqësore dhe kushtetuese. Parlamenti u drejton një falënderim të veçantë qeverive të vendeve të Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen që i kanë dhënë popullit shqiptar, Presidentit, Qeverisë dhe Shtetit Shqiptar në këtë moment të vështirë. Parlamenti Shqiptar shpreh besimin e plotë se populli ynë, me mençurinë dhe patriotizmin që e ka karakterizuar, do të tregojë edhe në këto momente të vështira pjekuri, qetësi dhe vendosmëri për të mbrojtur me mjete demokratike sigurinë dhe paqen e vendit.
Tiranë, më 15 shtator 1998.
Fatos Nano – Të nderuar deputetë, deklarata që ju sapo miratuat reflekton të njëjtën analizë me përgjegjësi të legjislativit që edhe Qeveria kreu dhe zhvilloi, tashmë të formatuar në një vendim të saj, për grushtin e shtetit dhe faktorët që do të duhet të vazhdohet të çrrënjosen e të mbahen nën kontroll deri në likuidimin e plotë të rrezikut real që ekziston, në mënyrë që kjo gjendje të marrë fund njëherë e mirë. Dua t’ju bëj të njohur këtë vendim, që konsiston në këto çështje:
E para, edhe ne i konsideruam grusht shteti ngjarjet e datës 14 shtator 1998, nëpërmjet të cilave, me veprime të organizuara, të dhunshme dhe të armatosura, u realizua pushtimi me forcë dhe plaçkitja e ndërtesave të selive të Kuvendit Popullor, të Kryesisë së Kuvendit Popullor, të Këshillit të Ministrave, të Gjykatës Kushtetuese, të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të Ministrisë së Drejtësisë, të Ministrisë së Financave dhe të Radiotelevizionit Shqiptar, si edhe goditja me armë e Ministrisë së Rendit Publik, të nxitura këto, të organizuara e të drejtuara nga Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij.
E dyta, Këshilli i Ministrave, pasi diskutoi me përgjegjësi ngjarjet e ndodhura, me detyrimin për mbrojtjen e rendit kushtetues, në mbështetje të kompetencave që burojnë nga ligji nr. 7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, merr përsipër të eliminojë në mënyrë përfundimtare, nëpërmjet strukturave përkatëse ligjore të shtetit, të gjitha tentativat dhe veprimet që vazhdojnë të synojnë përmbysjen me anë të dhunës e të armëve të rendit kushtetues dhe të institucioneve legjitimisht të zgjedhura të shtetit.
E treta, Ministria e Rendit Publik ngarkohet të vërë në dispozicion forcat e saj dhe t’u përgjigjet me efikasitet kërkesave të organeve të prokurorisë për ndjekjen penale ligjore të të gjithë personave organizatorë, ekzekutorë, shtytës dhe ndihmës, pjesëmarrës në këtë grusht shteti, dhe vendimi hyn në fuqi menjëherë. Këtë e reflekton dhe drafti që identifikuam së bashku me disa ministra dhe anëtarë të tjerë institucionalë të Këshillit të Lartë të Mbrojtjes, të kryesuar nga Komandanti i Përgjithshëm, Presidenti i Republikës, për shqyrtim dhe dekretim, pasi të miratohet nga ky Kuvend.
Dua, gjithashtu, të sjell në vëmendjen tuaj që Qeveria, për zbatimin e këtij vendimi, ka ngritur një grup pune ndërinstitucional, që do të hartojë një raport të detajuar për gjithçka që ndodhi tre ditët e fundit, mbështetur dhe në dokumentet filmike. Ky raport bëhet për t’iu vënë në dispozicion prokurorisë së shtetit, për të formuluar akuzën për organizatorët e grushtit të shtetit që kanë goditur me armë, rrëmbyer, grabitur institucionet dhe pronën private e publike, duke përdorur, madje, dhe median shtetërore për dizinformim të shtetasve shqiptarë në shërbim të grushtit të shtetit. Kjo vlen të bëhet edhe për ata individë që kanë kërcënuar punonjësit dhe stafin e Televizionit Shtetëror me grykën e armëve.
Natyrisht, Qeveria mirëpret të ndajë me ju të njëjtin vlerësim që Radiotelevizioni Shtetëror dhe të gjitha mediat private të ndihmojnë organet kompetente dhe të pavarura të drejtësisë me materialet filmike ose të regjistruara gjatë ngjarjeve të grushtit të shtetit.
Një grup i veçantë pune i ekzekutivit, ndërdikasterial, i mbështetur dhe nga ekspertiza e nevojshme ligjore do të identifikojë faturën financiare të dëmeve që u janë krijuar të gjitha institucioneve dhe bizneseve ose pronës publike. Në Qeveri u tha qartë e prerë; në kuadrin e distancimit të organizatorëve dhe ekzekutorëve të këtij grushti shteti nga politika, partia politike më e madhe e opozitës dhe njerëzit që edhe Qeveria është e bindur, që ekzistojnë në këtë parti të moderuar, që e duan ligjin dhe shtetin ligjor dhe që janë në gjendje të shfaqin përfundimisht aftësi për të zhvilluar një proces politik që i mbron dhe nuk i godet institucionet e shtetit ligjor dhe që nxit iniciativa tashmë të ndërprera, ose që mund të zhvillohen më gjerë, të dialogut e të mirëkuptimit politik, që zhbllokojnë përfundimisht zgjidhjen e problemeve themelore që ka vendi, jo vetëm ato të krizës, por edhe të nivelit e të procesit kushtetues.
Ndërkaq dhe me këtë optikë ne gjykuam dhe vendosëm të ngarkojmë për këtë qëllim, me dispozita të qarta të mbështetura në ligj, Ministrinë e Rendit Publik që të nxisë e të ftojë cilindo që është në posedim armësh në selinë e Partisë Demokratike, t’i dorëzojë ato. Tashmë ju e dini që një pjesë e armatimit të grabitur gjatë ngjarjeve të grushtit të shtetit është dorëzuar, por gjithë procesi ende duhet të kryhet, sepse në duart e njerëzve rebelë, që duhet të distancohen nga politikanët, nga strukturat politike të Partisë Demokratike, ndodhet ende një arsenal i rrezikshëm. Pra, këta njerëz, që deri në agim të ditës së nesërme do të dorëzojnë armët, do të lejohen të largohen pa pasoja, përndryshe, më pas do të goditen me forcën e ligjit nga forcat e rendit.
Qeveria, natyrisht, mirëpret që mediat në tërësi të shmangin në maksimum, duke zhvilluar më tej rolin e tyre konstruktiv, çfardo deklarate antikushtetuese të individëve, sidomos të identifikuar si terroristë. Në këtë frymë, dua t’i falënderoj në emër të ekzekutivit që zgjeruan konsensusin dhe mbështetjen ligjore për të bllokuar të gjithë së bashku çdo faktor që mund të vazhdojë të destabilizojë vendin. Ju faleminderit për vëmendjen!
Dorëheqja e Nanos nga posti i kryeministrit
Pak ditë pas 14 shtatorit, në 29 shtator 1998, Fatos Nano dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, si pasojë e situatës së acaruar politike në vend. “Dorëheqja ime është e parevokueshme. Jemi këtu për të thënë ndërkohë se një qeveri e fortë që sulmoi fort, krijoi edhe një reaksion të fortë përballë një opozitë destruktive, duke krijuar një konflikt të fortë, i cili çoi edhe në rënie të qeverisë. Duhet të krijohet një qeveri faktikisht e matur për të krijuar konsensusin që askush të mos abuzojë. Kam investuar dhjetë vjet në politikë dhe u tërhoqa për të mos krijuar polarizim. Terreni është i minuar, nëse konflikti zbutet, atëherë qeveria ecën përpara”, thuhet në deklaratën e Nanos.
Pas dorëheqjes së Nanos nga posti i kryeministrit, në krye të qeverisë erdhi Pandeli Majko, i cili deri atëherë ishte Sekretar i Përgjithshëm i PS, një prej figurave më aktive të kësaj partie.
Më poshtë botohet pjesë nga fjala e tij në parlament ditën kur votëbesohej qeveria që do të drejtonte, pjesë e së cilës ishte edhe kryetari aktual i PS, Edi Rama. Ai mbante postin e ministrit të Kulturës.
Pandeli Majko – E nderuara Kryesi e Kuvendit Popullor,
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,
Të nderuar klerikë,
Të nderuar të ftuar,
Të nderuar dhe të dashur bashkëkombas kudo që jeni,
Më lejoni t’ju paraqes programin e Qeverisë së re Shqiptare, të cilën kam fatin, nderin dhe përgjegjësinë e madhe ta drejtoj në prag të një shekulli të ri. Kjo Qeveri, e ngritur mbi verdiktin popullor të 29 qershorit 1997, përbëhet nga përfaqësues të Partisë Socialiste, Partisë Socialdemokrate, Partisë së të Drejtave të Njeriut, Partisë Aleanca Demokratike, Partisë Agrare dhe nga përfaqësues të shoqërisë civile.
Programi i kësaj Qeverie i përmbahet marrëveshjes politike të koalicionit progresist, të qendrës së majtë dhe të qendrës, të firmosur në muajin korrik të vitit të shkuar. Ky program synon përmbushjen e vullnetit të zgjedhësve shqiptarë dhe plotësimin e interesave më të lartë të vendit dhe të popullit tonë, duke marrë në konsideratë si arritjet e këtyre 14 muaj qeverisjeje, ashtu edhe korrigjimin e të gjitha mangësive dhe dobësive të konstatuara gjatë kësaj periudhe.
Kur më 29 qershor 1997 votuesit shqiptarë u dhanë votat për një mandat 4-vjeçar për qeverisjen e vendit partive të alternativës progresiste shqiptare, këto forca të shumicës shqiptare morën përsipër një barrë tepër të rëndë, në një situatë të vështirë politike, ekonomike dhe sociale.
Kjo fazë e re e demokracisë shqiptare kërkonte një konceptim, strategji dhe program reformash të tilla që të mundësonin nxjerrjen e vendit nga emergjenca dhe futjen e tij në rrugën e zhvillimit të gjithanshëm dhe të qëndrueshëm. Falë edhe mbështetjes, si dhe solidaritetit ndërkombëtar, Shqipëria vendosi një bazament real demokratik mbi të cilin filluan të ngriheshin muaj pas muaji strukturat e një shteti të së drejtës.
Në dokumentin e Romës, me vendimet e Brukselit, Shqipëria dhe partnerët e saj perëndimorë përcaktuan edhe prioritete për daljen nga kriza, duke projektuar atë çka duhet të jetë demokracia shqiptare në prag të viteve 2000: ecjen në rrugën e demokratizimit dhe të normalizimit politik, vendosjen e rendit dhe strukturimin e shtetit ligjor, reformat institucionale, trajtimin e varfërisë të shkaktuar nga krizat, stabilizimin makroekonomik, reformat në sektorin financiar dhe zgjidhjen e problemeve të skemave piramidale, privatizimin e sektorëve strategjikë etj.
Qeveria për të cilën do të votohet sot në këtë Parlament nuk ka lindur në një boshllëk si ai i vitit të kaluar, por është fryt i një zhvillimi organik, në kuadrin e strategjisë së socialistëve shqiptarë dhe partnerëve të tyre në koalicion, për t’u korrigjuar në proces, për të përmbushur me sukses synimet dhe aspiratat e atyre që na dhanë mandatin 4-vjeçar të 29 qershorit 1997.
Kjo Qeveri do të angazhohet seriozisht në thellimin e reformave, në neutralizimin e menjëhershëm të të gjitha pasojave që solli grushti i dështuar i shtetit i muajit të shkuar, në mbajtjen e angazhimeve të partive të koalicionit në planin kombëtar e ndërkombëtar, në rritjen e ndjeshme të vëmendjes ndaj kritikave ose kërkesave normale të opinionit publik.
Politika e kësaj Qeverie mbështetet në konceptin e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit mbarëshqiptar në të gjitha nivelet dhe në vendosjen e raporteve të veta me opozitën, për të cilën shpresojmë që të përmbushë misionin e saj e të jetë luajale në ndeshjen politike. Ajo bazohet, gjithashtu, edhe në bashkëpunimin e ngushtë me faktorin ndërkombëtar. Kjo Qeveri mbështetet në programin afatgjatë të përcaktuar në platformën e partive në koalicion, në masat që tashmë janë marrë dhe do të merren në vijim.
Situata e rëndë që krijuan elementët ekstremistë të opozitës me provokacione të përsëritura që kulmuan rebelimin, në tentativën për marrjen e pushtetit me dhunë më 14 shtator 1998, evidentoi me qartësi gjendjen reale të demokracisë shqiptare dhe rrugën që ajo duhet të ndjekë, për të mos u tronditur nga tentativa ose aventura ekstremistësh. Nga ana tjetër, këto ngjarje treguan edhe se deri ku ka shkuar reforma e nisur pas zgjedhjeve të 29 qershorit, deri ku është eliminuar kriza shqiptare.
Gjatë një viti qeverisjeje të forcave progresiste shqiptare mund të konstatojmë se u arrit të kalohet situata e emergjencës dhe të stabilizohet situata ekonomike, me një qëndrueshmëri të buxhetit dhe të lekut, të cilat po vijnë drejt normalizimit dhe konkretizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit tonë.
Gjatë kësaj periudhe u konsoliduan vlerat e nëpërkëmbura të demokracisë, u arrit që e drejta e fjalës, e debatit të hapur dhe e shtypit të lirë të çlirohen nga tutela e shtetit dhe e partisë në pushtet. U rifitua e drejta e manifestimit dhe e grumbullimit të lirë deri atëherë të mohuara.
Ngjarjet e dhunshme të shtatorit treguan qartë se ende ekzistojnë faktorë që ushqejnë krizën shqiptare. Ndonëse u bënë përpjekje, korrupsioni, kontrabanda, krimi i organizuar etj., që koalicioni ynë trashëgoi, nuk u arritën të çrrënjosen gjatë periudhës gusht 1997 – shtator 1998 dhe lufta kundër tyre përbën një nga detyrat parësore të Qeverisë së re.
Programi, që kam nderin t’ju paraqes, synon jo vetëm shërimin e shoqërisë sonë nga dukuritë ekzistuese negative, por edhe krijimin e të gjitha kushteve dhe hapësirave pozitive për zhvillimin e gjithanshëm të institucioneve demokratike të ekonomisë, të vëna në lëvizje nga iniciativa e lirë private dhe e shoqërisë civile.
Kemi bindjen e plotë që zbatimi i këtij programi do të sigurojë një jetë më të mirë për shqiptarët dhe një proces të sigurt integrimi në bashkësinë europiane dhe në strukturat euroatlantike. Duke e vlerësuar më tej opinionin publik, struktura e Qeverisë së re përmban edhe Ministrinë e Informacionit, si një mekanizëm ndihmës në marrëdhëniet e Qeverisë me publikun, për më shumë informim dhe transparencë, për më shumë intensitet në komunikim.
Më lejoni të ndalem në një paraqitje të renditur të programit të Qeverisë: zhvillimi i demokracisë, objektiv themelor për mirëqeverisjen e vendit, politikë e mbështetur në dialogun konstruktiv – ky është momenti i parë që dëshiroj t’ju trajtoj. Stabilizimi i raporteve demokratike në shoqërinë shqiptare është një domosdoshmëri për zgjidhjen përfundimtare të krizës.
Qeveria në këtë program të saj konsideron parësor mirëkuptimin politik në Shqipëri. Në emër të Qeverisë së porsakrijuar dëshiroj të theksoj se do të vazhdojë misioni që ka koalicioni për ringjalljen dhe rindërtimin europian të Shqipërisë, duke u mbështetur në konceptin dhe në vizionin e bashkëpunimit, integrimit, bashkëjetesës politike, paqes dhe mirëkuptimit.
Pas ngjarjeve dramatike të marsit 1997, ishte kuptueshme dhe e shpjegueshme që të flitej dhe të punohej për një pajtim kombëtar, madje, për këtë, me ndërmjetësimin ndërkombëtar, u arrit edhe në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar. Nëse koncepti i pajtimit kombëtar ishte jo vetëm i arsyetuar, por edhe mjaft i vlefshëm në çastin e daljes nga shoqëria e izoluar totalitare e regjimit komunist, që i kishte ndarë me pahir shqiptarët në të mirë e të ligj, duke u përpjekur t’i armiqësonte me njëri-tjetrin në emër të luftës së klasave, sot ky koncept është kapërcyer.
Ajo që realisht i mungon Shqipërisë së tranzicionit demokratik nuk është pajtimi kombëtar midis shqiptarëve, por mirëkuptimi qytetar dhe politik midis aktorëve të klasës politike, të cilët përfundimisht duhet të kuptojnë se ka ardhur koha të marrin përgjegjësitë e tyre në emër të Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe jo në emër të interesave meskinë të klaneve ose të grupimeve politike.
Ngjarjet e shtatorit, nga njëra anë, sollën shqetësimet që dihen por, nga ana tjetër, treguan qartë se shqiptarët me gjithë këmbënguljen e disa qarqeve këtu dhe jashtë nuk u bashkuan as me krimin, as me grabitjen, as me thirrjet për të marrë armët në emër të ndarjes krahinore ose fetare. Ky realitet e bën të mundshëm arritjen e një platforme të mirëkuptimit qytetar dhe politik aq të domosdoshëm për Shqipërinë.
Qeveria është vendosur të ecë në rrugën e mirëkuptimit, duke u bazuar në heqjen dorë nga platformat dhe praktikat për arritjen e synimeve politike me dhunë, respektimin real të të drejtave të partive opozitare e parlamentare, duke i ftuar këto t’i ushtrojnë këto të drejta brenda rregullave të lojës demokratike: dialogun e Qeverisë me opozitën, pasi ajo të jetë kthyer në Parlament, bashkëpunimin me OSBE-në, BE-në, Këshillin e Europës dhe institucionet e tjera ndërkombëtare, bashkëpunim me grupin e miqve të Shqipërisë etj.
Bërja e vendit me Kushtetutë, ky është një premtim solemn dhënë elektoratit shqiptar në fushatën e zgjedhjeve të 29 qershorit 1997, për ta bërë vendin me Kushtetutë, së cilës po i vjen koha që të përmbushet. Shtetasit shqiptarë po presin që prej 7 vjetësh të kenë ligjin themeltar të shtetit të tyre…….
Dorëheqja e Nanos nga posti i kryetarit të PS- 21 janar 1999
“Duke mos gjetur solidaritetin e nevojshëm brenda këtij forumi për të çuar më tej luftën time principale për reformimin e partisë dhe emancipimin e politikës shqiptare, kam marrë vendimin e e tërheqjes nga pozitat e kryetarit të Partisë Socialiste, për të kërkuar këtë solidaritet jashtë mureve të zyrave dhe sallave me dyer të mbyllura, në masën e gjerë të socialistëve dhe të dashamirësve të shumtë, të reformave standarde të europianizimit në gjirin e shoqërisë civile shqiptare. Sot unë preferoj të mbyll edhe formalisht ciklin gati 8 vjeçar të reformës që unë kam drejtuar nga lart, të së majtës shqiptare, për të marrë lirinë dhe kohën që më duhet për të iniciuar një lëvizje emancipuese në gjirin e njerëzve, në mënyrë që e gjithë kjo masë e madhe shqiptarësh, të inkorporuar ose jo në qendrën e majtë si mazhorancë elektorale, të dalë nga kriza e justifikuar e besimit ndaj politikës dhe të garantojë demokracinë. Kredoja ime politike do të vazhdojë të mbetet “as komunizëm, as anti-komunizëm”.
Dëshiroj dhe uroj të kuptohet se mbyllja formale e ciklit të reformës nga lart me largimin tim nga drejtimi aktiv i strukturës aktuale të Partisë Socialiste, nuk është mesazh braktisjeje për mbështetësit e shumtë të saj në elektoratin socialist dhe në shoqërinë shqiptare në tërësi. Këta mbështetës dhe të tjerë që dëshirojnë të bashkohen me projektin tim të emancipimit të politikës shqiptare, do të vazhdoj t’i vlerësoj si faktor vendimtar në veprimtarinë time të ardhshme politike, nga e cila do të largohem një herë e mirë vetëm kur të mos kem më frymë. Që të davaritet çdo ekuivok përballë spekulimeve që nuk do të mungojnë edhe kësaj here, dua të jem si gjithnjë i hapur me ju, nuk po largohem për pamundësi apo mungesë autoriteti për të vepruar dhe drejtuar. Unë vlerësoj se detyra dhe parimi që ka karakterizuar dhe rrezikuar qenien time, për të mos heshtur përballë pazarllëqeve dhe aventurave të politikës zyrtare, si dje në opozitë edhe sot në pushtet, më shtynë të marr këtë hap personalisht të dhimbshëm me bindjen se çdo rrugë tjetër, si heshtja ashtu edhe kontestimi nga pozita e kryetarit të mazhorancës legjitime, të qëndrimeve të politikës së ditës, do të kishte një kosto të lartë jo vetëm për PS-në, por edhe për vetë Shqipërinë dhe çështjen tonë kombëtare. Më lejoni t’ju kujtoj të gjithëve se mund të imitoja këdo dhe çdo gjë, por jo ata që kanë vënë në rrezik vendin dhe kombin për interesa të pushtetit apo revanshit personal.
Duke u larguar nga karrige e kryetarit të Partisë Socialiste, unë po largohem nga një qerthull, vicioz për të krijuar kushte sa më transparente komunikimi me partinë, elektoratin dhe opinionin publik, lidhur me përgjegjësitë e mija dhe gjynahet e të tjerëve, në mënyrë që drejtuesit aktual të partisë, të qeverisë së koalicionit dhe të tryezës së partive që përbëjnë Aleancën për Shtetin, disa prej të cilëve e kanë adoptuar me fjalë e me vepra një kurs të papajtueshëm me filozofinë time të votuar e të legjitimuar në zgjedhjet e fundit, të marrin përgjegjësi të plota mbi vete dhe të mos luajnë më me alibitë pro apo anti-Nano. Duke fituar të gjithë liritë e nevojshme për të komunikuar me socialistët dhe gjithë shqiptarët, pa filtra interesash të klaneve brenda partive shqiptare që kanë hyrë në rrugën e uzurpimit të pushtetit, nënvizoj se tërhiqem pa asnjë mllef personal apo ndjenjë revanshi ndaj atyre që mbijetojnë duke u vetëquajtur kundërshtar politik brenda apo jashtë koalicionit aktual, për të cilin më lejoni të pohoj se vazhdoj të mos ndjej asgjë”, thuhet në deklaratën e Nanos.
Pak ditë më pas, kreu i dorëhequr socialist nisi një tur takimesh në bazën e partisë. Në takime me elektoratin, ai nuk ndaloi sulmet ndaj kundërshtarëve të tij në parti. Në këtë kohë, një grup deputetësh dhe anëtarësh të KPD, kërkuan tërheqjen e Nanos nga dorëheqja dhe kthimin në krye të PS, për shkak të situatës së re, pas nisjes së luftës në Kosovë, si dhe në pamundësi për të zhvilluar kongresin, ku do zgjidhej kryetari. Propozuesit ishin pjesë e mbështetësve të Nanos në PS-së. Kryesia e partisë e hodhi poshtë kërkesën e këtij grupimi, duke e quajtur anti-statuore. Lufta e brendshme në PS sa vinte e përshkallëzohej dhe në këtë situatë të acaruar brenda partisë, në mesin e shtatorit ‘99, Pandeli Majko bëri publik vendimin për të kandiduar për kryetar të PS. Ilir Meta deklaroi pulikisht mbështetjen për kandidaturën e Majkos. Nano e Majko zhvilluan betejën elektorale në bazën e partisë deri në 9 tetor kur mblidhej kongresi i tretë zgjedhor i kësaj partie. Me slloganin “ne t’birtë e shekullit të ri”, nisi në 9 tetor kongresi i tretë i PS, ku përplaseshin dy grupe kundërshtare, grupi Nano dhe grupi Majko-Meta. Majko, Nano, Meta e krerë të tjerë të PS folën me gjuhën e ashpër në raportet e tyre duke pasqyruar kështu klimën tejet të acaruar që ekzistonte asokohe brenda PS. Në seancën e zgjedhjeve të kongresit, Fatos Nano u zgjodh kryetar i kësaj partie me 297 vota përkundrejt kandidaturës së Majkos 261 vota. Për të mbërritur në këtë pikë, u desh mbështetja e Metës për Nanon.
Brenda pak ditësh Pandeli Majko dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit në 26 tetor.
Në të njëjtën ditë, kryesia e PS propozoi Ilir Metën kandidat për postin e kryeministër. KPD e miratoi kandidaturën e Metës në mbledhjen e parë të saj.
Ilir Meta fitoi me 68 vota përkundrejt rivales Makbule Çeço me 45 vota. Pas një dite Meta u dekretua nga Meidani si kryeministër i Shqipërisë.