Në mesditë Flamuri vendosi të hapte dyert e sallës ku mblidhet Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike. Kishte mbi dy vjet pa u hapur dhe me siguri salla kishte nevojë për ajrosje. Duke qenë se rrotull saj ka dhe godina të larta, salla ka nevojë të rrijë hapur dhe për të ikur aroma e lagështirës apo mykut të mureve.
Kështu Flamuri shkoi dje gjithë qejf në zyrën e tij në PD. Në oborr veç rojes ishin shtuar dhe dy- tri njerëz të tjerë. Flamuri nuk ua hodhi sytë, por eci me vështrimin drejt nga dera me shpresë se dikush prej tyre do thërriste “Zoti Flamur, Zoti Flamur…, kam ardhur nga…, dua një punë për…”. Në fakt askush nuk foli. I çuditur Flamuri ktheu dhe një herë sytë dhe pa kush ishin. Roja i PD-së po bënte sherr me ta t’i largonte.
– Kush janë ata, tha Flamuri.
– Janë ca që shesin fara dhe misra të pjekur, i tha roja. Kanë dëgjuar që do ketë mbledhje nesër dhe duan të zënë vendin këtu para të shesin.
– Hiqi mor ata pisa, i tha Flamuri. Kush u ka thënë atyre që hanë akoma fara luledielli anëtarët e Këshillit Kombëtar.
– Eh, janë nga ata të vjetrit shefo, s’heqin dorë këta, i tha roja. Po mos ki merak se nuk i lejoj unë.
Flamuri nisi të ngjiste shkallët e PD. Era e mykut për shkak të dyerve të pahapura ndjehej gjithandej. U fut në kat të dytë. Hapi banjën e vogël përballë. Një aromë e rëndë doli prej saj, ku përzihej urina e palarë, lagështira dhe ajri i ndenjur. E mbylli menjëherë dhe i ulëriti rojës.
– Shko gjeji ato pastrueset ku të jenë dhe sillu urgjent të pastrojnë banjën, i tha.
– Ku me i gjet ato shefo? Ato kanë marrë pastruese vetë në shtëpi, se janë bo të mëdhaja në detyrë tani. Ja po i them pastrueseve të tyre.
– Bë ça të duash, banjat i du të lara, tha.
Tentoi të hapte derën e sallës së madhe, atje ku do bëhej mbledhja… Ishte kyçur. U mendua një copë herë. Ku i kishte lënë çelësat e kësaj… ku i kishte lënë… prit, kur u hap për herë të fundit, para zgjedhjeve, po para zgjedhjeve… s’i kujtohej tamam.
U ngjit në zyrën e tij. Hapi kalendarin kur ishte mbledhur për herë të fundit Këshilli Kombëtar. S’kishte datë. Diku nga fillimi i 2009-ës mbante mend që ishte mbledhur pas katër vitesh, por prapë s’kishte datë. Filloi të vriste mendjen ku mund t’i kishte futur çelësat…
– Tek zyra e Astrit s’ka pse të jenë, tha, se ai i ka zët mbledhjet…tek zyra e Jozefinës jo se ajo nuk shkel kurrë në PD.
Sekretarët po ashtu e kanë të ndaluar të vijnë se ua ka ndërruar çelësat. Dyshimi i vetëm ishte Ceca. Kur është mbledhur për herë të fundit Këshilli Kombëtar ajo ka qenë zëdhënëse dhe ka bërë një konferencë shtypi.
I bëri telefon Cecës.
– A e mban mend kush e mbylli për herë të fundit sallën e mbledhjeve të Këshillit Kombëtar, e pyeti Flamuri
– Ku di unë mo çun kush është salla një herë, e jo më ta di kush e ka mbyllur. Vari trapin, mua më gjete dhe ti të pyesësh për salla mbledhjesh?
– Po se ti mund të kesh bërë për herë të fundit konferencë shtypi aty..
– Ça thu mor çun, di gjë unë ku i bëj konferencat e shtypit. Le që ajo sallë të shpif, s’ka fare intimitet, ça më duhet mua çelësi i saj. Ndonjë zyrë e vogël e mbledhur hajde de. Vari trapin, kë pyet dhe ti.
– Po kush mund ta ketë tjetër, pyeti Flamuri.
– Pyet një herë Gert Bogdanin se më duket që nga koha e atij nuk është hapur më ajo zyrë. Mua më pëlqente ajo e vogla nga krahu tjetër dhe kur vija mbasdite.
E mori Bogdanin në telefon. Edhe ai u hutua.
– Ku di gjë unë mer lal ku i lëni çelësat ju. Ti e di sa jam mundu atëherë kur bëja konferencë unë me gjetë çelësat. M’i lije ti gjithmonë poshtë tek ajo pllaka e gurit në parking.
– Po kush mund t’i ketë, tha Flamuri.
– S’e di, pyet një herë rojën, tha Gerti, se ai mund të kujtojë ndonjë gjë.
E thirri dhe rojën. Ky i fundit u hutua fare.
– Ça thu mor shef Flamuri, tha. Ku kena ne Kshill Kombëtar? Ne kena zyrë për ty, zyrë për Doktorin, zyrë për mbasdite për Astritin, ene kaq. Ç’a ky Kshill Kombëtar mer jahu se s’e kena digju noiherë? Është i ri ky?
– Zyra- zyra, çelësi, zyra, kupton apo jo. Çelësi i sallës së madhe.
– Aha, e kuptova, tha roja. Po mor jahu, atë e gjej unë tani. I kena hedh krejt çelësat në një vend aty poshtë se na bezdisshin robt, vinin këtu dhe thoshim jo po jemi sekretarë, jo po jemi nënkryetarë, na duhet çelësi i zyrës. Ene unë i hodha krejt tek cepi i lavazhit “Nano Ik” në fund. Një ditë erdhi urdhër me ja ndërru emrin lavazhit ene ja kena bë “Edi Ik”. Pas atij kazanit duhet me kenë.
Flamuri ngriu në vend.
– Më mirë po e shqyej dhe po i bëj çelës të ri.
Mori dy punëtorë, hoqën bravën dhe më në fund e hapi derën. Ç’të shikonte. Salla ishte si disa vite më parë. Kishin ngelur në mure parullat e vjrtra, “Jo rebelimit, Po demokracisë”. Një pirg me gazeta RD ku Ben Imami paraqitej i hipur mbi tank në Ashilengo të Gjirokastrës. Pastaj një stendë për heronjtë e PD-së më 14 Shtator që kishin sulmuar me armë kryeministrinë. Flamuri u përlot.
– Eh, kohë të vjetra, tha. Fshijini këto se hutohen nesër këta të rinjtë në mbledhje.