Flamuri, i kënaqur me mbledhjen e Këshillit Kombëtar

7 Shkurt 2011, 19:37Antena TEMA

Këshilli Kombëtar ishte një shans i mirë për Flamurin të rikonfirmonte detyrën e tij. Ai e kishte përgatitur me kujdes ritualin e votëbesimit të tij. Pasi njerëzit zunë vend në sallë, Flamuri doli në krye të saj, i hodhi një sy hetues sallës për të verifikuar nëse ishte numri në vend, dhe pastaj bëri sikur i ra zilja e telefonit.

–              Çdo gjë në rregull doktor. Mund të vish. Ja po dal të të pres.

Salla po e shikonte e heshtur, kur fare papritur kur Flamuri bënte sikur fliste, i bie vërtet zilja. Kjo shkaktoi të qeshura në sallë, por Flamuri e hapi i trembur dhe filloi të flasë përsëri.

– Po… si urdhëron. Po, po, patjetër… ja, dola… si urdhëron.

– Kështu është kur flet para kohe, i tha duke qeshur Arben Imami, i cili kishte zënë rreshtin e parë të binte në sy të Doktorit.

Flamuri i skuqur doli jashtë. Doktori i zgjati dorën dhe hyri në mbledhje.

Salla u ngrit në këmbë dhe për 5 minuta u duartrokit për hyrjen në sallë. Pastaj ai mori fjalën. Ishte një tablo sinoptike e kohës kur ishte përgatitur grushti i shtetit.

–              Do t’ju shpjegoj çfarë ka ndodhur, e nisi fjalën ende pa zënë vend në karrige. Të dashur miq të mi. Në një natë gushti të vitit 2011, Edi Rama ka qenë mysafir në shtëpi të Bamir Topit. Në vilat luksoze të këtij zotërie, që do t’i verifikojmë një për një, ai dhe zonjusha Ina Rama kanë qëndrue deri në mesnatë dhe kanë përgatitë detajet e planit. Edi Rama ka marrë përsipër eliminimin tim fizik si Plan A, dhe i ka premtu Bamir Topit rizgjedhje nëse plani funksiononte. Pastaj e ka marr fjalën Lavirja dhe ka ofruar planin B, sikur protestuesit të mos më vrisnin dot mua. E dini çfarë plani makabër është Plani B apo jo? Jua them unë të dashur miq. Është plani më makabër që është thurur ndonjë herë në historinë e këtij vendi. Kanë bërë plan të më hetonin, pasi të vrisnin katër vetë. Ky është fundi i botës. Por unë isha i vendosur si gjithmonë mos ta lejoja kurrë këtë gjë. Plani C ishte vet Presidenti, ose siç e kanë thënë në planin e tyre të koduar, “shpresa e fundit”. Ai do thërriste për konsultime opozitën dhe do shpallte zgjedhje për 45 ditë duke qenë unë në burg. As këtë nuk do ta lejoja kurrë…”

– Të të marrin të keqen zoti kryeministër…, u dëgjua një zë nga salla.

– Ulu zoti Halimi, i tha Doktori. Nuk është nevoja, ne do tua nxjerrim të palarat në shesh.

Pra, siç e shihni miq të mi, ky plan ogurzi u bë shkrumb e hi falë vitalitetit të partisë sonë dhe funksionimit të saj si një trup i vetëm. Këtu puçistët kishin dhe një plan rezervë, që ne e kemi quajtur plani miks, ose plani M. Sipas këtij plani të dashur miq, ata kanë dashur të nxisin trazira në parti. Kemi të dhëna se në atë vilë atë natë është shkruar një Memorandum me katër pika, i cili do të paraqitet sot në këtë mbledhje dhe në të cilën ka kërkesa ogurzeza që ne nuk do t’i pranojmë kurrë. Çfarë përmban ky plan? Ua them unë. Një Besëprerë që ka shitur shpirtin tek këta puçistë, kërkon që partia jonë veç meje dhe zotit Patozi…edhe Flamurit, … të ketë dhe nënkryetar partie, Sekretar të Përgjithshëm dhe anëtarë kryesie? Ju do thoni s’ka gjë të keqe… Po si nuk ka gjë të keqe mor vëllezër kur kjo kërkesë vjen para zgjedhjeve lokale për të na përçarë dhe për të futur luftën brenda nesh. Më thoni ju mue, a jemi të bashkuar vetëm me mua kryetar apo dhe me një kryesi të re dhe dy nënkryetarë dhe një Sekretar? Jo, më thoni apo jo… më thoni dhe unë jam dakord.

–              Në asnjë mënyrë, dëgjohet Imami.

–              Nuk duam kryesi të re, u dëgjua Tritani.

–              Po ç’janë këto budallallëqe, na duhet kryesia, tha Ruli me gjysmë zëri dhe sy të picërruar nga Flamuri…

–              E pra, vazhdoi Berisha. Një besëprerë ka tentuar dhe ka propozuar që të shkatërroj PD duke hapur debat për demokratizim të saj dhe mbi të gjitha për një gjë ogurzezë, për të futur sherrin brenda jush se kush do të bëhet anëtar kryesie. Po kështu si jeni çfarë jeni…? Nuk jeni anëtarë kryesie…? Jeni, si nuk jeni… jeni gjithçka, anëtarë kryesie, nënkryetar partie, deputet…sepse jeni në radhë të parë pushtetarë. Dhe pushtetarët nuk kanë kritere të tilla partiake. Partia duhet për të marrë pushtetin, pas kësaj nuk ka ç’u duhet më… Ata pikërisht dhe këtë kanë dashtë të shkatërrojnë, të ngjallin sherret në PD.

Flamuri tundte kokën në mënyrë miratuese dhe hetonte fytyrat e ministrave. Genc Ruli qeshte nën zë me kokë të ulur. Arben Imami po vizatonte një tank në një letër të bardhë që mbante përpara, Genc Pollo po vizatonte një pastruese me fustan pak të ngritur nga pas, ku i dukeshin kofshët e kolme, ndërsa Tritan Shehu një lloj perime në formë preshi.

–              Në rregull, tha Flamuri me vete.

Hodhi sytë nga Jozefina. Ajo ishte e tendosur në fytyrë dhe shikonte me hakërrimë sallën. Dukej sikur donte të zbulonte kujt i paskësh shkuar mendja t’i merrte zyrën. Secili që ndeshte vështrimin e saj, ulte sytë. Ajo nuk ndalej së hetuari.

Flamurin e kënaqte e gjithë kjo skenë. Hodhi sytë dhe nga Besëpreri. Ai rrinte i qetë përfund sallës, pa biseduar me askënd. Herë- herë shikonte Leonard Demin që kthente sytë  gjithë merak nga ai dhe drejtohej prapë.

Mbledhjes po i vinte fundi. Besëpreri sipas planit të puçistëve e paraqiti Memorandumin dhee ende pa u votuar, Flamuri deklaroi vetëm dy vota pro tij. Duartrokitje të fuqishme. Doktori doli nga salla. Flamuri u ngrit pas tij dhe i bëri shenjë sallës të ulej se do kthehej sërish. E përcolli Doktorin deri tek makina dhe u kthye.

1 komente në “Flamuri, i kënaqur me mbledhjen e Këshillit Kombëtar”

  1. Dino USA says:

    Po kryetari Mao?

Comments are closed.

Lini një Përgjigje