AKR këmbëngul në postin e presidentit

10 Shkurt 2011, 11:46Rajoni TEMA

Aleanca Kosova e Re, e afaristit Behgjet Pacolli, ka deklaruar se nuk do të vazhdojë bisedimet për koalicion qeverisës me Partinë Demokratike, nëse asaj nuk i ofrohet posti i presidentit të Kosovës.

Zëvendëspresidentja e AKR-së, Mimoza Kusari Lila i tha BBC-së se partia e saj nuk është e gatshme që të arrijë pajtueshmëri për koalicion qeverisës nëse presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, nuk përfshihet në marrëveshjen për postin e të parit të vendit.

Ajo tha se AKR ende nuk ka marrë një ftesë zyrtare nga PDK për një marrëveshje të koalicionit qeverisës.

“Nëse nuk ofrohet posti i presidentit me siguri se ne nuk do t’i vazhdojmë bisedimet e mëtutjeshme për një koalicion qeverisës për arsye se ne nuk mund të funksionojmë në kapacitetin tonë të plotë pa këtë post”, tha Kusari Lila.

Ajo tha se AKR, dhe gjithë koalicioni i kësaj partie me Partinë e Drejtësisë dhe PSDK-në e Agim Çekut nuk do të pranojnë as edhe shtimin e dikastereve të ministrive në qeverinë e Kosovës pa e përfshirë marrjen e postit të presidentit për udhëheqësin e saj.

“Kemi thënë se më mirë do të rrimë në opozitë se sa të kemi një numër më të madh të ministrive e mos ta kemi udhëheqësin e përfshirë në qeverisje, dhe në këtë rast në postin e presidentit”, tha Kusari Lila.

Drejtuesit e dy partive politike, Hashim Thaçi e Behgjet Pacolli, u takuan dy ditë më parë për të dakorduar qëndrimet rreth koalicionit të ri qeverisës në vend por hollësitë e një pajtueshmërie mes tyre pritet të bëhen publike javën e ardhshme.

Takimi i tyre pasoi refuzimin e AAK-së së Ramush Haradinajt për të hyrë në koalicion me PDK-në, duke e kushtëzuar atë me përfshirjen edhe të LDK-së në qeverisjen e ardhshme të vendit dhe pa kreun e PDK-së Hashim Thaçi në postin e kryeministrit.

LDK ndërkaq ka deklaruar se do të mbetet në opozitë duke kundërshtuar çdo lloj marrëveshje me PDK-në, me të cilën kjo parti ka patur një bashkëqeverisje në tri vitet e kaluara.

AKR e Pacollit ka marrë 8 nga 120 vende në Kuvendin e Kosovës dhe ishte partia e parë me të cilën PDK ka vendosur kontaktet.

Bëhet me dije se, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje tjetër me partitë e tjera opozitare në vend, PDK mund të bëjë një qeveri vetëm me AKR-në dhe partitë e pakicave, në veçanti ato serbe, të cilat i kanë të rezervuara 20 vende në Kuvendin e Kosovës. /bbc/

Lini një Përgjigje