Ronaldo, lojtari gati perfekt

14 Shkurt 2011, 18:52Sport TEMA

Tani po që duhet pasur frikë nga errësira. Frikë për atë se kush do të vijë pas tij, pas një karriere ekzaltuese, të jashtëzakonshme. Me lamtumirën e Ronaldos zhduket një kapitull fondamental në historinë e futbollit. Ishte një nga të fundit supernjerëz që janë parë në fushat e futbollit.

Sot mbetet Ibrahimoviç, por është një tjetër lloj lojtari. Suedezi përdor 50% forcë fizike dhe 50% teknikë, ndërsa Ronaldo ishte, deri në momentin që forca ja lejoi, maksimumi sublim i shkencës së futbollit.

Ronaldo lindi për të luajtur futboll, për t’u nisur me 100 kilometra në orë me topin në këmbë drejt portës, për të shënuar gola. Ai lindi për të bërë njerëzit të ëndërrojnë dhe për të qënë një shembull për t’u ndjekur. Ose më saktë, një shembull i pamundur për t’u imituar. Sepse askush si ai nuk ka pasur kapacitetin për të vrapuar më shpejt me topin në këmbë.

Askush- nëse Maradona nuk do të ishte para tij- nuk ishte në gjëndje të driblonte një skuadër të tërë si braziliani dhe më pas të shënonte gol. Është e lehtë të kalosh në retorikë kur flitet për një lojtar të tillë. Në 99 raste, në 100, njerëzit kanë tendencë për të ngritur në piedestal njerëz që ndoshta nuk e meritojnë, të shesin për ar një varëse argjendi. Në rastin e Ronaldos, e kundërta është e vërtetë.

Është e vështirë që të shkosh dhe të gjesh një difekt tek braziliani, që duhet thënë se nga ana teknike nuk ka pasur asnjë. Ju mund të gjeni difekte që shkojnë përtej fushës së futbollit, si p.sh. dëshira për të pasur sa më shumë lidhje dashurie me femra. Mirë, në rregull, kjo mund të qëndrojë. Por si futbollist, Ronaldo ishte fin i vërtetë. Ka dhuruar momente poezie në futboll, është përballur me Pelenë dhe Maradonën për të fituar skeptrin e lojtarit më të mirë gjatë 50 viteve të fundit. Ka mbushur gazetat dhe ka qenë i pranishëm në transmetime televizive, ka shqetësuar krerë shtetesh dhe qeverish me dëmtimet e tij. Është argëtuar shumë me futbollin e tij dhe ka argëtuar të tjerët.

Keqardhja më e madhe është që magjia e tij u pa shumë pak në Itali. Një vit i parë i shkëlqyer më Interin, ku për pak arriti të fitonte titullin kampion dhe ia doli të fitonte Kupën Uefa. Pastaj, praktikisht përfundoi aty, për shkak të një botërori të luajtur me shqetësime dhe stres, por sidomos për dëmtimet e shumta dhe shkatërruese. E megjithatë, mund të kishte dhënë akoma dhe të shëtiste në stadiumet e Serisë A, nëse përballë rrugës së tij nuk do të dilte argjentinasi Hektor Kuper. Në vitin 2002, pas 5 majit famëkeq, Masimo Morati i kishte premtuar se do të largonte Hektor Kuperin, por më pas ndërroi mendim. Marrëdhëniet nuk ishin të mira dhe Kuperi, si në rastin e ndeshjes me Breshian, kërkonte nga braziliani që të bënte edhe veprime defensive, ashtu siç bënte edhe Kallon. Përgjigjia e Ronaldos ishte se, “nëse kërkon këtë nga unë, atëherë shko kërko nga Kallon që të bëjë edhe golat që bëj unë”. Nuk ishte arrogant me këtë, por thjesht ishte i vetëdijshëm për vlerat e tij dhe për atë që mund të bënte në fushën e lojës.

Për atë që Ronaldo ka përfaqësuar nga viti 1997 deri në vitin 2002, duhet të ishte ikona e historisë së klubit zikaltër, por në zemrat e njerëzve mbetet një brengë e madhe për faktin se është një nga njerëzit që ka fituar shumë pak, ose aspak, njësoj se Karl Hainz Rumenige. Faji që nuk i numërohet, është fakti që luajti edhe për Milanin, kur ishte i lumtur për ta bërë këtë gjë.

E ka filluar nga fundi, nga një djalë i varfër, që ëndërronte të vishte fanellën e Flamengos. U rrit dukshëm në Europë, në fillim me PSV-në dhe pastaj me Barcelonën, ku djali me dhëmbë të mëdhenj u bë njeri. Dhe çfarë njeriu! Mbizotëroi futbollin botëror, duke fituar dy herë Topin e Artë dhe një Kampionat Botëror, në të cilin ishte superprotagonist, ku shënoi dy herë në finalen e fituar 2-0 përballë Gjermanisë. U argëtua si në fushë, ashtu edhe jashtë saj, duke fituar çdo gjë që një njeri mund të ëndërrojë. U rikthye në Brazil, ashtu siç kishte premtuar vite më pare, kur u largua. Dhe tani ka thënë mjaft. Nuk do të bëjë trajnerin, sepse gjithmonë ka thënë se nuk është zanati i tij. Do të bëjë diçka tjetër që ka lidhje me futbollin, ndoshta agjent i lojtarëve. Vështirë të mendohet se dikush si ai nuk do ta vërë re një talent të mundshëm. Për këtë arsye, nuk ka arsye për të pasur frikë nga errësira.

1 komente në “Ronaldo, lojtari gati perfekt”

  1. Nabukodonosor says:

    Respekte per te medhenjte e futbollit.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje