Berisha miliona për Tom Ridge, “lobistin” e tij amerikan

2 Mars 2011, 20:16Politika TEMA

Qeveria shqiptare ka dhënë një tjetër kontratë për kompaninë amerikane Lockheed Martin për të modernizuar më tej Sistemin e Menaxhimit të Trafikut Ajror në Aeroportin e Rinasit. Lajmin e kanë bërë të ditur këto dy ditë mediat amerikane, që i referohen një njoftimi zyrtar të kompanisë amerikane. Kompania amerikane pritet të modernizojë edhe më tej sistemet e kontrollit ajror. Është interesant fakti që një lajm i tillë ka dy ditë që qarkullon në mediat e huaja. Ndërkohë që qeveria nuk ka zbardhur detaje të kësaj kontrate, shuma që do paguhet nga pala shqiptare dhe si do lëvrohet. Një njoftim qeveritar për këtë çështje daton më 10 dhjetor të vitit të shkuar. Aty thuhet vetëm se do miratohet një shtesë kontrate. “Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e shtesës nr.3 të kontratës, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit (Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil), dhe “Lockheed Martin Global, Inc”, për modernizimin e shërbimit të trafikut ajror shqiptar, të miratuar me vendimin nr.665, datë 18.12.2002, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e projekt-kontratës, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe “Lockheed Martin Global, Inc”, për modernizimin e shërbimit të trafikut ajror shqiptar”, të ndryshuar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi,” thuhet në vendimin e qeverisë shqiptare. Po ashtu në faqen zyrtare të Lockheed Martin thjesht thuhet se së fundmi kontrata ka pësuar disa shtesa. Kjo kompani amerikane që nga viti 2002 ka punuar në vendin tonë duke marrë disa kontrata, që kanë mbërritur deri në 29 milionë dollarë.

Tom Ridge sërish në pah

Lobisti amerikan, ish- zyrtari i lartë, Tom Ridge, qëndron pas kësaj kompanie. Ai është një njeri i punësuar nga qeveria shqiptare për të lobuar në favor të saj në Uashington. Nga ana tjetër ai ka bërë edhe punën e lobistit për kompani amerikane, pikërisht për gjigantin “Lockheed Martin”. Kompania amerikane ka fituar edhe një konsultim për çështjen e kufirit detar tre vjet më parë, mbi 100 mijë euro, kontratë e dhënë nga qeveria me ndërmjetësimin e anëtarit të kompanisë, këshilltarit Tom Ridge.

Tom Ridge u përfshi në një skandal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak se fshehu kontratën e lobimit me qeverinë shqiptare. Ai kishte marrë 480 mijë dollarë nga qeveria shqiptare, por nuk e kishte deklaruar këtë kontratë në Departamentin e Drejtësisë. Ridge e bëri këtë gjë pas presionit të medieve, në vitin e dytë të vazhdimit të saj.

Dëshpërimi për mbështetje amerikane

Para pak ditësh qeveria miratoi një kontratë me një kompani për pullat fiskale. Pas saj qëndronte sekseri serbo- boshnjak i familjes kryeministrore dhe Uesli Klark, ish- gjenerali i njohur amerikan. Koncesioni për këtë monopol privat u miratua në ditën e heqjes së imunitetit të deputetit Dritan Prifti.

Në prezantimin që i kanë bërë ekspertët e Ministrisë së Financave në Kuvend në Komisionin e Ekonomisë këtij koncesioni zbardhej një fakt i rëndësishëm, se te përqindja modeste e fitimit prej 2 përqind që merr shteti shqiptar nuk janë marrë në referencë aspak kritere të ngjashme me vendet e tjera, por thjesht është negociuar mbi fitimin që kishte propozuar kompania koncesionare “SICPA”. Sikundër “TemA” ka paralajmëruar, ideja për koncesionin ka ardhur e propozuar për shtetin nga zviceranët e Fazlliç. Këtë fakt e pohojnë dhe ekspertët e Ministrisë së Financave, të cilët janë shprehur se shteti shqiptar nuk kishte planifikuar më parë një garë.

Në lidhje me këtë skandal kanë reaguar edhe biznesmenët shqiptarë. Grupimi i industrialistëve shprehu shqetësimin se dhënia me koncesion e pullave fiskale do të rrisë kostot e prodhimit, vecanërisht në industrinë e birrës.

“Kryesore është investimi fillestar në makineri, pastaj kostoja e sistemit që duhet rregulluar me institucionet e fiskut dhe duhet të kemi parasysh faktin që aktualisht industritë e kanë të pamundur investimin në makineri të vecanta, që kanë kosto të madhe”, deklaron Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustria.

Masa e qeverisë rrit taksat e pullave për të gjithë mallrat a akcizës. Për birrën taksa bëhet nga 0 në 3.65 lekë litri, për verën nga 2.5 lekë në 5.32 lekë për litër, ndërkohë që rritje ka edhe për duhanin.

Gjergj Buxhuku thotë se rritja e kostove më shumë se sa qytetarët, në këtë rast do të godasë prodhimin vendas duke avantazhuar importet.

“Ndërkohë që për industritë shqiptare kostot janë të ndjeshme, për industritë e tjera konkurrente në tregun shqiptar kostot nuk janë të ndjeshme”, nënvizon Buxhuku. Sistemi i ri i pullave fiskale sjell ndryshime edhe në pagesën e detyrimeve tatimore, pasi sipas industrialistëve, ai e detyron biznesin ta parapaguajë akcizën pa e shitur produktin. Në këto kushte, industrialistët kërkojnë shtyrjen në kohë të procesit të paktën për birrën.

5 komente në “Berisha miliona për Tom Ridge, “lobistin” e tij amerikan”

  1. dorand says:

    Urime. Lockhead Martin eshte kompania me e fuqishme ne amerike dhe ne bote persa i perket teknologjise ajrore. Te gjitha anijet e NASA qe shkojne ne mars e ne hete e te gjithe satelitet amerikane qe jane ne stratosfere jane prodhuar ne masen 90% nga Lockhead Martin. Edhe nje here URIME.

    1. durrsaku gjerman says:

      Kurse neve, Lockheed Martin, dhe idioti yne kryeminister bashke me “lobistet” e tij me xhepat plot me parate e tua, Dorand, dhe tonat si shqiptare, do na coje prapa diellit, dhe kjo eshte nje super arritje, duke pare qe amerikanet i ka cuar vetem ne hene dhe mars.
      Ti vertet qe duhet te jesh driteshkurter ose i verber, te besh deklarata te tilla, Dorand, duke pare faktet qe bejne muuuuuuuuuuuuuuu

    2. fule says:

      Sa te mefshte dhe driteshkurter jeni ne mbrojtjen e mjere qe nuk dini ti beni Shpellarit.
      Ketu nuk kritikohet kompania amerikane. Ajo mund te kete modernizuar dhe aeroportet e Gadafit ne Libi, pune e saj.
      Problemi eshte qe si ketu apo kudo ku ka Gadaf te tjere, perfitojne realisht qytetaret apo perfiton udheheqesi me sekseret e tij? Kjo mbase ska rendesi per ty, udheheqesin dhe kompanine por per qytetaret e tjere po.

  2. raimondi says:

    Problemi jone eshte se keta tanet nuk dijne te bejne trtegeti pro interesave te Shqiperise –Po ishte amerikan keta behen ure
    Ore hajvanet e dreqit –aty eshte biznes , e ke mik, e ke vella por biznesi eshte biznes–Shume mrie qe e ka ajo firma amerikane , ama ne tratativa me te ti vendso kushtet e tua
    -Jo e le ate te gjeje Ameriken ne Shqiperi——Edhe shajne keta Enverin –WOW !!!
    Enveri edhe Stalinit i tha qe te vijne specialistet tuaj ne bazen tone detare sa te na mesojne dhe pastaj nendeteset te jene tonat ———T

Comments are closed.

Lini një Përgjigje