Blatter: Nuk ka pranim të Kosovës në FIFA deri në njohjen nga OKB-ja

4 Mars 2011, 13:40Sport TEMA

“Për kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës që klubeve dhe përfaqësueses t’i lejohet zhvillimi i ndeshjeve ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit, do të merret parasysh referenca që do të dërgojë Federata Evropiane e Futbollit, UEFA”. Ky është vendimi që e ka marrë Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s në mbledhjen e djeshme në Zurich.

Një ditë më herët Komisioni i Federatave i FIFA-s, ku bën pjesë edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka, parimisht kishte aprovuar kërkesën duke ia përcjellë atë KE të FIFA-s, e cila ashtu si thonë edhe rregullat ka kërkuar mendimin e federatës kontinentale nga i cili kontinent vjen edhe kërkesa, në këtë rast nga Kosova.

“Në vazhdim, Federata e Futbollit e Kosovës (FK) ka kërkuar autorizim që të luajë ndeshje miqësore në nivel të klubeve dhe përfaqësueseve. Është arritur një pajtueshmëri se kjo kërkesë duhet t’i dërgohet UEFA-s”, thuhet në vendimin e KE të FIFA-s. Mbetet që Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në mbledhjen e tij të radhës të diskutojë për këtë kërkesë.

Në konferencën e djeshme për media në selinë e FIFA-së në Zurich, ndër të tjera presidenti Sepp Blatter ka folur edhe për rastin e Kosovës, duke precizuar se nuk do të ketë ndërrim pozicionesh deri në pranim të shtetit të Kosovës nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Sa i përket Kosovës, e dini se ka aktivitete të futbollit në Kosovë. Luhet futbolli ekipor dhe duhet t’i mbrojmë lojtarët, në lidhje me këtë kemi ndërmarrë hapa të duhur. Por është edhe një fakt, Kosova është duke kërkuar të luajë ndeshje miqësore dhe deri sa nuk janë anëtarë të FIFA-së dhe UEFA-së nuk është e mundur të lejohet një gjë e tillë”, tha në fillim Blatter.

“Për këtë shkak sot në Komitetin Ekzekutiv kemi vendosur që në propozimin e komisionit tonë të Federatave kombëtare për rastin e Kosovës, t’ia përcjellim rastin UEFA-së për shqyrtim. Kjo për shkak se sipas statutit aktual të UEFA-së, që thotë se Kosova nuk mund të jetë anëtare e saj deri në momentin që nuk njihet nga Kombet e Bashkuara, deri në atë kohë nuk mund të jenë në UEFA. E di se Kosovën e kanë njohur gati 80-të shtete, por duhet të jenë më shumë se gjysma e shteteve të OKB-së. Megjithatë ne kemi reaguar në rastin e lojtarëve dhe kemi mbrojtur ata që të luajnë dhe të transferohen me të drejta të barabarta nga një klub në tjetrin”, tha Blatter.

U mbetet futbollistëve kosovarë që sikur edhe shumë institucione të tjera të shpresojnë në njohje sa më të mëdha për të realizuar ëndrrën e tyre./zëri/

Lini një Përgjigje