Flamuri bëhet gati për Ministrinë e Brendshme

5 Mars 2011, 20:27Antena TEMA

Flamuri ka dy ditë që është i stresuar nga ndërhyrjet e deputetëve për vendet e hapura bosh në qeveri. Gjithë gratë duan të zënë vendin e Ferdinand Xhaferrit, dhe gjithë burrat Lulëzim Bashës. Pasi e mendoi gjatë këtë punë, vendosi  t’i bëjë Jozit një propozim konkret. Basha të japë dorëheqje nga Ministria e Brendshme para zgjedhjeve, dhe Flamuri të bëhet Ministër për të pasë kontrollin mbi zgjedhjet.

Skepticizmi i Jozit u trondit kur Flamuri i dha argumentet e tij.

– Pikësëpari ai duhet zëvendësuar, tha Flamuri, s’mund të përdorë policinë për të fituar. Shiko, nuk ka gjë më të rëndësishme se sa t’i heqim policinë nga duart.

– Bukur fort, të paska shku menja, i tha Jozi. Ti e merr Ministrinë e Mrenshme, unë prish Piramidën dhe ti justifikohesh se ke kenë i zanë me Piramidën se kta socialistat do protestojnë për prishjen e saj.

– Këtë kam mendu dhe unë, tha Flamuri. Duhet që ne të merremi me një gjë gjatë fushatës që të mos na akuzojnë pse nuk po merremi me fushatën. Kjo ka shumë rëndësi. Nëse prishim Piramidën, askush nuk na thotë që s’keni bë ndonjë punë, pasi prishja e saj do rrezatojë fitoren tonë në çdo cep të Shqipërisë. Ajo është çerdhe e krimit, çerdhe e drogës, e prostitucionit. Aty u montua kaseta për atë Burrin. A e di ti sa e rëndë është ajo apo jo? Ma ka thënë Bashkimi mua. Është shumë e rëndë. Se pas atij Gimit, Gimit që do t’i jepte 700 mijë Ilirit siç thoshte ai në kasetë, ishte puna e Bashkimit. D.m.th Gimi do t’i jepte 700 mijë euro Ilirit, që mos t’ia merrte hidrocentralin Bashkimi. E kupton sa të ndyrë janë këta të LSI apo jo? Kanë marr pare dhe për t’i prishë punën atij Burrit. Dhe e kanë dit shumë mirë, ndaj i kanë thënë Filipit preji ato sekondat që të dalë dhe kjo puna e hidrocentralit të atij burrit. Ata duhen shkatërruar me themel.

– I’ktë po menoja. Jan turrë krejt këto femrat tona pa shije, dun me u ba ministre. Ka thanë kjo Mesila Doda do me e shemb Piramidën se don me u ba si antikomuniste i tash, ka harru që ka qenë në zyrë të Ilir Metës. I tash e kam mendu mirë ça duhet me ba. Duhet me ja vënë me dorën time minën asaj ndërtese. Dhe ky Lul Basha të dalë ta mbrojë si qen, aty ta shof duke e mbrojtë ça bëj unë. Se boll e kam toleru. Ka vjedhë, e kam falë, ka vra, e kam falë, por me fitu nuk e fal.

– Edhe unë e kam mendu gjatë. Vetëm po të bëhem vet Ministër i Brendshëm kemi siguri që policia është nën kontroll dhe ua shtypim kokën këtyre çerdhes së krimit dhe ja mbyllim gojën këtyre plehrave.

– Krejt në rregull mar Flamur, por duhet me ba kujdes kur t’ia thush atij Burrit se dyshon dhe nuk të ven. Duhet me i thënë që unë po e marr Ministrinë e Mrendshme me qenë si Luli, pra me e ndihmu Lulin në fushatë.

– Po normal që ashtu do t’i them. Nuk ma prish mua ai. Ja them dhe këtë punën e Topit. Fola dhe me Frangajn një ditë që shkova atje, ja tregova planin dhe u kënaq. Mua mos më nxirr hapur, tha, se tani i kam ortakë ata të Topit, por mirë është tua hidhni në erë. Pastaj ngelemi i vetmi televizion me kaq shumë zyra, tha.

– Tani Flamur nisja punës, veç një gjë ka shumë rëndësi. I’kjo Mesila mos me u ba ministre dhe i’ky Lul Basha mos me u ba kryetar bashkie. Duhet me ua ba do gjana fakt të kryer, që ata mos t’i shoh ma nëpër kambë.

– E zgjidh unë këtë punë. Unë thashë mos të angazhohesha vetë në qeveri, por po arriti puna deri këtu, do merrem vetë. Shkoj vetë Ministër i Brendshëm dhe e rrethoj me 500 policë Top Qenin, dhe ta shohë ai Çakalli që monton video për atë burrin. Dhe të kërkoj Lul Basha policë pastaj. I them “s’kam ç’të bëj, i kam zënë me Piramidën”. Jo, e kam gjetë mirë këtë. S’ka ç’më thotë njeri. Unë thashë mos të angazhohesha, por si u bë puna, po bëhem vet Ministër. S’ka kush më pengon më tani. Do mërzitet pak ia burri se s’ka me kë bën ato punët e veta, por unë do t’ia marr përsipër. Do t’i them do t’i bëj gjithë punët që kam bërë, plus këtë. Jo, do t’i jap siguri se nuk e lë vetëm atë në këto momente të vështira.

1 komente në “Flamuri bëhet gati për Ministrinë e Brendshme”

  1. dymi says:

    Levizin krimbat, levizin.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje