Flamuri, mirënjohje për gratë që kanë ruajtur racën e pastër

8 Mars 2011, 19:29Antena TEMA

Dy deklarata i ngelën në mendje dje Flamurit. E para ishte deklarata e atij Burrit që në fillim të fjalës së tij në Pallat të Kongreseve falënderoji nënat dhe grat shqiptare që kanë mbajtur të pastër racën shqiptare dhe identitetin kombëtar. E dyta ishte deklarata e Lul Bashës që tha se në Ministri kanë qenë 117 burra dhe 116 gra, dhe pas ikjes së tij për kandidimin në Bashki kishte shanse që raporti të përmbysej dhe të vendosej një grua në krye të Ministrisë.

Jozi, e cila kishte organizuar tubimin në Pallat të Kongreseve, nuk e kishte dëgjuar me vëmendje fjalimin dhe Flamurit ju desh t’ia përsëriste.

– Shumë i bukur ishte fjalimi i atij burrit, tha. E pe çfarë vlerësimi që bëri për gruan shqiptare. Na ka mbajtur të pastër racën shqiptare, tha.

– Aa, përnjëmend? S’e paskam ndigju. Keka e fortë shumë. Keka vlerësim i madh. Por në fakt gratë shqiptare nji meritë e kanë, nuk martohen me të huaj në Shqipëri. Jashtë po. Kur dalin jashtë martohen.

– E kishte kapë mirë ai burri. E pe si shpërtheu salla në duartrokitje. Dhe të mendosh që gratë shqiptare edhe pas liberalizimit të vizave prapë nuk shkojnë me të huajt, është gjë e madhe. Kjo tregon se kanë epërsi.

– Po mor Flamur, po, veç ishalla s’e kanë nigju këta të opozitës se kanë me na ba horr.

– Pse, ç’do thonë ata?

– Po mirë gratë shqiptare mar Flamur që e kanë rujt kombin të pastër, po burrat shqiptarë ç’kanë ba? Me ja kujtu kush atij që e ke grun serbe dhe na ke trazu gjakun shqiptar na bajnë horr pash Zotin.

– Nuk ka asnjë rëndësi, tha Flamuri. Puna është tek burri. Burri duhet të jetë shqiptar, nga ai trashëgohet raca. Ne nuk jemi çifutë që të trashëgojmë racën nga nëna. Pastaj jo të gjithë serbët janë të këqij.

– Jo mar Flamur se nuk thashë që janë krejt të këqij, po thashë mos kujtohet opozita e na ban copash. S’kena ç’ka me u thanë në atë pikë.

– E ke gabim. Edhe këta mund ta përdorim. Ja tani që kanë fillu bisedimet shqiptaro- serbe, Familja mund të jetë negociatore. Është shembulli më i mirë që ne nuk kena paragjykime për serbët. Kur Serbia të ketë një kryeministër, gruaja e të cilit t’i ketë dajat në Tiranë, atëherë ka me u vendos paqja në Ballkan.

– Ku ku mar Flamur sa patetik po bahesh me këtë çështje… Hajt mar se ai nuk e ka mendu kaq thellë. Ti e ke pa që sa herë hutohet me nisë një fjalim e nis me kombin e pasandej del tek ajo “shoqja e bulevardit”.

Flamuri u vu në siklet nga gjithë biseda dhe deshi me ndërru temë.

– Po Lul Bashën e dëgjove, tha. A e pe çfarë kish thënë për gratë e Ministrisë së Brendshme?

– Jo mar, s’kam kohë me nigju atë plehën.

– Kish thënë që deri tani jemi 117 burra dhe 116 gra. Unë pas pak do të ik dhe shpresoj të më zëvendësojë një grua që të kalojë numri i grave mbi burrat.

– Ku ku mar Flamur. Pse mar e llogarit veten për burrë ai plehën? 117 gra kanë kenë. Tani nuk e di sa shkojnë me ikë ai.

Flamuri u kënaq duke qeshë me batutën e Jozit dhe gjeti rastin të hetonte mos dinte gjë kush grua do shkonte në vend të Lulit.

– Se janë hapë shumë fjalë për pasardhësin e  Lulit, tha Flamuri, dhe unë i kam thënë atij Burrit, po mbete keq, e marr dhe unë atë punë.

– Po jo mar Flamur çfarë asht ajo punë. Si me vendos aty nji grua. Po ku kena na gra mar Flamur. Mos shiko ato që vijnë në sallë se i heqim nga puna, por ne s’kena gra me vënë ministre. Kë me vënë, hë më thuj ti?

– Jo pra jo, e di që s’kemi, ndaj thashë që jam gati të shkoj dhe unë.

– Hajt mar se punë që rregullohet. E rëndësishme është mos me vënë grua pa një burrë të urtë s’ka problem.

– Flamuri u çlirua nga ankthi që Jozi nuk dinte gjë. D.m.th nuk paska akoma një plan, tha me vete. Filloi të përfytyronte skenën kur t’ia kërkonte këtë nder atij Burrit… Ndërkohë Jozi kishte hapë TV dhe po shifte kronikën nga Pallati i Kongreseve. Ai burri po e përsëriste fjalimin e tij që këtë komb e kanë mbajtur të pastër gratë, ato i kanë ruajtur racën… dhe s’di pse ju kujtua fshati i tij Novosejë, ku ka mijëra vjet që jeton me goranë dhe gratë e fisit të tij s’e kanë përzier gjakun. Kjo e bëri ta shijonte edhe më shumë fjalimin e atij burrit.

1 komente në “Flamuri, mirënjohje për gratë që kanë ruajtur racën e pastër”

  1. Angjelin Shtjefni says:

    spaskemi gje per sot ka shteru muhabeti, tek grate dhe llafet e grave…….. pune katunaresh

Comments are closed.

Lini një Përgjigje