Ka të paktën 14 deputetë të shumicës dhe një i pakicës që ndjekin me ankth vendimet e Gjykatës Kushtetuese për fatin e tyre në Kuvend: janë apo jo deputetë? MAPO zbulon se një vendim i hershëm i kushtetueses që në vitin 2000, ju ka mbyllur atyre derën e Parlamentit. Provat vendimtare që deputetë të PD janë paguar në mënyrë të paligjshme për funksionet që kanë pasur, ndërkohë që bënin fushatë ose kishin marrë mandatin e deputetit. Të gjithë kanë shkelur Kushtetutën. A do të përgjigjen, do ta dorëzojnë mandatin? Agonia e tyre dhe paligjshmëria e bëjnë sallën e Kuvendit, vendin më qesharak juridikisht në Tiranë, por shumë përtej fatit individual të Bogdanit, Strazimirit apo Halimit të PD-së
Nga Lorenc Vangjeli, MAPO
Ditë të zeza për të paktën pesëmbëdhjetë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Nga ta, katërmbëdhjetë i përkasin Partisë Demokratike, kurse tjetri është i Partisë Socialiste. Mëkati i tyre është jashtëzakonisht i rëndë, duke pasur parasysh “akuzën” e përbashkët, që fillimisht media dhe pastaj edhe ata për njëri-tjetrin, i kanë formuluar njëri-tjetrit: kanë fituar mandatin e deputetit në kushtet e pazgjedhshmërisë si të tillë, kanë mbajtur mandatin në kushtet e papajtueshmërisë së mandatit me funksione të tjera dhe kanë kryer aktivitet ekonomik, kur mandati nuk jua lejon një gjë të tillë. Me fjalë të tjera, kanë një bast të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe janë nën akuzë publike se e kanë shkelur atë.
Denoncimi
Kjo është një histori e vjetër. Media, konkretisht revista MAPO që një muaj mbas konstituimit të Kuvendit, denoncoi pesë deputetë të PD-së që kanë marrë mandatin e deputetit pa dhënë më parë dorëheqjen nga detyra e tyre si të zgjedhur lokale, kryetarë bashkish apo minibashkish. Më pas, u zbuluan pesë zëvendësministra të kabinetit Berisha 1, të cilët në maxhorancën e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit morrën mandat deputeti dhe njëkohësisht, mbanin zyrtarisht edhe postin e tyre në ekzekutiv. Në të njëjtat ujëra të turbullta juridike notojnë edhe tre këshilltarë të kabinetit të zotit Berisha dhe ish-Avokati e Shtetit, i cili paguhej si i tillë deri në shtator të vitit 2009, ndërkohë që kishte marrë mandatin e deputetit. Nga ana tjetër është vetmitari Ilir Beqja, deputeti socialist, i cili është akuzuar publikisht se është marrë me aktivitet privat ndërkohë që ishte anëtar i Kuvendit të Shqipërisë. Një situatë më e komplikuar juridike se kaq është e pamundur të imagjinohet; kurrë më parë si në këtë legjislacion, një numër kaq i madh ligjvënësish nuk kanë qenë nën akuzë për shkelje të kushtetutës. Dhe ky është fillimi sepse vijimi është edhe më i turpshëm dhe qesharak: çfarë do të ndodhë juridikisht me të gjithë këto pesëmbëdhjetë palë duar që janë ngritur “pro” apo kundër zgjedhjes së kryetares së Kuvendit, formimit të qeverisë apo dhjetra e qindra ligjeve që kanë kaluar që nga shtatori 2009 e këtej në Kuvend?
Ky bast juridik, moralisht i humbur për të gjithë deputetët, ndodhet në dorën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët kanë në dorë tre dosje të tilla: e para, një kërkesë të deputetëve të PD-së për të sqaruar fatin juridik të Ilir Beqes karshi kushtetutës, e dyta, kërkesën e PS-së që kërkon interpretimin përfundimtar të neneve të kushtetutës, (nenet 69, 70, 71), që kërcënojnë të gjithë deputetët e PD-së që janë nën akuzë dhe e treta, kërkesa e PS-së për votimin që çoi Beqen në Kushtetuese, nëse është votuar normalisht në Kuvend apo jo.
E gjithë kjo histori ka vetëm një titull: shumë shtrenjtë qenka kërkuar koka e deputetit socialist, një me katërmbëdhjetë! Një bast, që mund ta verë vetëm dikush që kërkon të humbë. MAPO ka mundur të sigurojë prova ngjethëse për të gjithë këtë ngjarje të paprecendent në historinë e ligjshmërisë në Shqipëri. Ka mundur të sigurojë provat që deputetët e PD-së janë paguar nga shteti shqiptar edhe atëherë kur ose kishin marrë mandatin e deputetit, ose atëherë kur duhet të kishin dhënë automatikisht dorëheqje nga detyrat shtetërore që ata mbanin më parë. Janë paguar jo nga Kuvendi, siç dhe duhej të ndodhte, por kanë marrë para nga të njëjtat bordero që kishin firmosur para se të arrinin këtë majë në karrierën e tyre personale politike.
Deputetët janë “paradënuar”
Deri tani, Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur me vendim për asnjë nga këto tre dosje dhe nuk ka sinjal se kur do të shpallin vendimin e tyre. Por në Shqipëri, leshi juridik nuk ka fund. Çfarë e bën edhe me qesharak Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e helmuara me dyshim të 28 qershorit 2009, është se tashmë ligjërisht dhe kushtetutshmërisht, bileta e zezë për të deputetët e PD-së është prerë përfundimisht. Një biletë e zezë që i jep pranisë së tyre në Kuvend jo shumë diferencë në krahasim me praninë e oficerëve të Gardës së Republikës apo të medias në lozhën e tij. Dhe është prerë që mbi dhjetë vjet më parë. Po me një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
MAPO rikujton një vendim të kësaj gjykate të 6 qershorit 2000, i cili sipas kushtetutës është përfundimtar dhe detyrues. Në atë kohë, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga Fehmi Abdiu, kryetar, Zija Vuci, Hajredin Fuga, Kristofor Peçi,
Sokol Sadushi, Kujtim Puto, anëtarë, shqyrtoi kërkesën e 36 deputetëve të Kuvendit, me objekt: “Interpretimi i neneve 69 pikat, 1/d e 2; 70/2 dhe 179, pika 1 e 4 të Kushtetutës”. 36 deputetët e Kuvendit, atëherë kishin kërkuar interpretimin e Kushtetutës për të drejtën e kryetarëve të bashkive dhe të komunave për të kandiduar e për t’u zgjedhur deputetë, si dhe për të drejtën e deputetëve për të kandiduar e për t’u zgjedhur si kryetarë komune e bashkie. Në kërkesë ishte përfshirë edhe interpretimi Kushtetutës për të drejtën e këtyre të zgjedhurve për të mbajtur njëkohësisht dy mandate, atë të deputetit dhe atë të kryetarit të bashkisë ose komunës. Ky objekt është i përfshirë edhe në kërkesën që PS i ka bërë Gjykatës Kushtetuese në dhjetor të vitit 2010. Që do të thotë se juristët e PS-së, në dijeni të këtij vendimi, kanë bërë një zgjedhje tejet inteligjente: trokasin në një derë që tashmë është e hapur. Eshtë po ajo derë që do t´u mbyllet në fytyrë deputetëve të PD-së, që e kanë marrë mandatin pa dhënë më parë dorëheqjen nga funksionet e të zgjedhurve lokalë apo kanë mbajtur funksione në papajtueshmëri me mandatin e deputetit. PS-ja pret një vendim që e di mirë se nuk mund të jetë ndryshe nga ai i vitit 2000.
Në atë vit, Gjykata Kushtetuese nuk kishte asnjë dyshim. Firmos një vendim i cili është përfundimtar: “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ndalon në mënyrë të shprehur qartë jo vetëm kandidimin, por edhe zgjedhjen si deputetë të kryetarëve të Komunave apo të Bashkive, duke e konsideruar si të pavlefshëm çdo mandat deputeti të fituar nga këta të fundit. Ky ndalim është përcaktuar në nenin 69/1 të Kushtetutës”. Dhe më tej, edhe ca më keq sepse Gjykata Kushtetuese “hedh” një sy edhe në nenet e tjera të Kushtetutës: “Kushtetuta nuk jep përgjigje të drejtpërdrejtë, nëse deputeti ka të drejtë të kandidojë e të zgjidhet edhe kryetar bashkie apo komune. Por, ndërkohë, ajo pranon direkt apo indirekt në nenet 69, 70/2 e 71/2 se dy mandatet, pra ai i deputetit dhe ai i kryetarit të bashkisë së komunës, janë të papajtueshëm me njëri-tjetrin, sepse jo vetëm u ndalon kandidimin për deputet kryetarëve të bashkive e komunave, jo vetëm ndalon deputetë të ushtrojnë njëkohësisht detyrë tjetër shtetërore (veç anëtar i Këshillit të Ministrave), por e konsideron të pavlefshëm mandatin e një deputeti, kur është fituar pa hequr dorë nga detyra si kryetar bashkie apo komune”. Në këtë rast, e pësojnë direkt edhe pesë zëvendësministrat e PD-së që në të njëjtën kohë, ishin edhe deputetë, edhe rrogëtarë në Ekzekutiv.
Dhe mbasi ka vërejtur një gjë të tillë, Gjykata Kushtetuese konkludon se: “Deputeti nuk ka të drejtë të kandidojë e të zgjidhet kryetar komune e bashkie, pa hequr dorë nga ajo detyrë dhe asnjë prej këtyre, nuk mund të mbajë njëkohësisht dy mandate e të ushtrojë dy funksione, atë të deputetit dhe atë të organit ekzekutiv në pushtetin vendor”.
Në fund të gjykimit, Gjykata Kushtetuese përgatit shuplakën më të rëndë të mundshme për të gjithë ata që kanë shkelur kushtetutën: “Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe ka fuqi prapavepruese”.
Për gjithkënd që ka nevojë të lexojë shqip-shqip, kjo fjali e fundit është e qartë dhe e përkthyer shqip-shqip do të thotë: kush e ka marrë apo e ka gëzuar mandatin e deputetit në kundërshtim me Kushtetutën, thjesht duhet ta dorëzojë atë.
Vendimet e pritshme të Gjykatës Kushtetuese për tre dosjet e nxehta që kanë në shqyrtim, sot, 11 vjet pas këtij vendimi, janë vetëm një formalitet. Nga të gjithë deputetët nën akuzë, vetëm Ilir Beqja duhet të presë me ankth se çfarë do të thuhet për “mëkatin” që e akuzojnë, gjithë të tjerët, deputetët e PD-së, normalisht thjesht duhet të ikin. Në rastin më të mirë për ta, të gjithë së bashku, do të duhet të këmbejnë dyzinën e kokave të tyre me një tek kokë, kokën e Ilir Beqes së PS-së.
Kanë marrë para
Kësaj rradhe revista MAPO publikon një pjesë të dosjes së saj me dokumenta që kanë të bëjnë me veprime financiare. Kësaj rradhe jo dokumentat që kanë të bëjnë me lëvizje në thesarin e shtetit apo deklarimet zyrtare të pasurisë së zyrtarit të lartë. Dokumentet e publikuara janë një pjesë e borderove të pagës mujore për disa nga deputetët e PD-së.
Një nga ta ka qenë kryetar i një minibashkie në Tiranë, një tjetër ka qenë zëvendësministër dhe i treti ka qenë Avokat i Shtetit. Të tre ata përfshihen në listën e deputetëve të paligjshëm që kanë marrë mandatin në kushtet e pazgjedhshmërisë apo e kanë mbajtur atë në kushtet e papajtueshmërisë së mandatit me funksionin. Përkatësisht ata janë, Gert Bogdani, Gent Strazimiri dhe nuk mund të mungonte as Eduard Halimi.
Zoti Bogdani, ish-nënkryetar i minibashkisë 10, në Tiranë, figuron në listëpagesën e punonjësve të kësaj njësie, në formularin me numër E-SIG 025/A, me NIPT K51803005T. Ai ndodhet në krye të kësaj liste. Lista tregon pagat që kanë marrë punonjësit e kësaj minibashkie në muajin qershor 2009. Kohë në të cilën zoti Bogdani ishte zyrtarisht në fushatë dhe sipas detyrimit ligjor, duhet të ishte dorëhequr. E megjithatë, zoti Bogdani dëshmohet se ka qenë në zyrën e tij plot 22 ditë, sa të gjithë punonjësit e tij. Dhe për kontributin e tij në punë, është paguar 90000 lekë.
Zoti Strazimiri, ish-zëvendësministër i brendshëm, figuron në listëpagesën e punonjësve të kësaj ministrie për muajin shtator 2009. Në të njëjtin formular me numër E-SIG 025/a, me NIPT K01315002U. Në fillim të shtatorit zoti Strazimiri kishte bërë betimin si deputet dhe vazhdonte të ishte ligjërisht edhe zëvendësministër i brendshëm. Urdhëri i kryeministrit për lirimin e tij nga detyra firmoset vetëm në javën e dytë të tetorit. Për kontributin e tij të dyanshëm, por antikushtetues si deputet dhe zëvednësministër, listpagesa përcakton se ai është shpërblyer me 29714 lekë.
Eduard Halimi është deputet i PD-së. Eshtë kryetar i komisionit hetimor parlamentar për hetimin e ngjarjeve të 21 Janarit. Me profesion jurist, domethënë, është edhe avokat, siç e njohin jo vetëm kalimtarët në Bulevardin Zog i Parë, tek qendra VEVE. Ka qenë zëvendësministër i drejtësisë. Ka qenë dhe Avokat i Shtetit. Zoti Halimi, për fatin e tij të keq në marrëdhënie me ligjin, figuron në listëpagesën e Avokaturës së Përgjithshme të muajit shtator 2009. Në këtë kohë, ai kishte marrë mandatin e deputetit. Emri i tij gjendet në formularin E-SIG 025/a, me NIPT K51713030J. Ka munguar vetëm një ditë në vjeshtën e parë të 2009-ës, pra ka qenë në zyrën e tij për 21 ditë kalendarike. Dhe për këtë është shpërblyer me 34299 lekë. Listëpagesa shënon qartë në një nga zërat e saj: Ditë kalendarike të punuara të subjektit gjatë muajit. Si jurist, zoti Halimi e di mirë që mandati i deputetit është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër veç atij të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Dhe këtu puna ndërlikohet. Në rastin më të mirë, zoti Halimi mund të akuzohet se ka marrë padrejtësisht nga arka e shtetit këtë shumë parash. Natyrisht, pasi të pranohet se megjithëse jurist, ka shkelur Kushtetutën.
Nga Gjermania në Tiranë
Në Tiranë është në modë të gjenden krahasime me çfarë ndodh gjetkë në botë. Krenaria kombëtare më shumë, por dhe pak e vërteta dhe njëlloj racizmi i fshehtë, ka refuzuar çdo pikëtakimi të ngjarjeve të Tiranës me ato të jugut të Pellgut të Mesdheut. Për këtë arsye, qoftë për krenari kombëtare, qoftë për hir të së vërtetës dhe për inat të racizmit, krahasimi shkon të bëhet me superfuqinë politike dhe ekonomike në veri të Evropës, me Gjermaninë. Një ministër mbrojtjeje në Gjermani, një nga shpresat e të nesërmes së politikës gjermane dhe një yll në ngjitje deri javën e shkuar, dha pa dilema dorëheqjen sepse u akuzua që puna e tij e Doktoraturës kishte plagjiaturë nga punime të tjera shkencore. Një dorëheqje e tillë u konsiderua normale për standartet evropiane. Pyetja është e thjeshtë: çfarë standartesh ka në Shqipëri që një duzinë e më shumë deputetësh kanë shkelur haptazi kushtetutën e vendit? E vështirë të mos zbritet poshtë në hartë, në jug të Pellgut të Mesdheut, aty ku shkelja e ligjit është standart.
Po të kishte standarte evropiane në këtë histori, historia e legjitimitetit të shumicës qeverisëse do të vihej në pikëpyetje dhe gjithçka ka ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë, që me konstituimin e legjislaturës së re në shtator 2009 e deri në momentin e hyrjes së opozitës në Kuvend, do të ishte thjesht nul. Sepse Kuvendi deri në atë moment nuk ka pasur kuorumin e nevojshëm prej 71 deputetësh. Çka do të thotë se edhe zonja Topalli si kryetare e Kuvendit, edhe zoti Berisha si kryeministër, janë thjesht të paligjshëm. Njëlloj si gjithë veprimtaria e Kuvendit që ka funksionuar si asnjë Kuvend tjetër në botë pa kuorumin e nevojshëm. Siç kushtëzon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Dhe jo siç urdhëron marrëzia e pafundme juridike e politikës në vend.
Comments are closed.
Do shpetojne me “Amnisti Fiskale”
Shoqeria shqiptare eshte ndare ne dy grupime te medha : ne HAJDUTE dhe HAJMUTE. Une bej pjese tek te dytet, se ate po bej “po haj m…”Respekte te gjitheve !
Qe në kete vend nuk respektohet ligji,dhe qe shteti eshte kthy në nje mejhone kjo nuk perben ndonjë lajm(jo per nga rendesia,por ngaqe e dine te gjithë)Lorenc Vangjeli merr si shembull ministrin gjerman qe dha dorheqjen!Ne se do respektohej ky standart ne shqiperi,nuk besoj se do kish mbetur ndonjë minister akoma ne detyre!!!shembull per tu marre ne konsiderate eshte i ish presidentit te Kosoves,packa pak i vonuar.Prandaj duhet ta zhdukim kete fare te keqe nga faqja e historise ne zgjedhjet vendore te 8 majit.Prandaj nuk duhet ti pranojme keta hajdute,dhe matrapaze te tallen,dhe të bejne cte duan mbi kurrizin tone!te venë,dhe të heqin kedo qe nuk i vjen pas,hidhini nje sy listes se gjate te tarafit se bandes ne me pushtet
1 – Vellai i Jozefina Topallit (Konsull Milano) – Gjon Çoba
2 – Dhenderi i Jozefina Topallit (Paris) – Luis Ejlli
3- Daja i dhendrit te Sali Berishes (Konsull i Pergjithshem Bari) – Bashkim Bekteshi
4- Djali i halles i Ilir Metes (Ambasador Athine) – Dashnor Dervishi
5- Kusheriri i Ilir Metes (Konsull i Pergjithshem Selanik) – Riza Poda
6 – Gruaja e Arjan Staroves (Londer) – Teuta Starova
7 – Gruaja e Sherefedin Shehut (Drejtore e auditit ne MPJ) – Dashuri Shehu
8 – Motra e Aleksander Frangajt (Rome, Vatikan) – Majlinda Dodaj
9- Baxhanaku i Fahri Balliut (Ambasador Turqi) – Altin Kodra
10 – Vellai i Gerti Bogdanit (MPJ) – Albjon Bogdani
11- Djali i avokatit te Lulzim Bashes (MPJ)
12- Vajza e Shpresa Brecaj (Austri) – Selvi Becaj
13- Djali i Neritan Cekes (Austri) – Egin Ceka
14- Gruaja e Rahman Selmanllarit (MPJ) – Suela Selmanllari
15 – Vajza e Ali Spahise (Konsulle e pergjithshme Milano) – Nausika Spahia
16- Gruaja e Aldo Bumcit dhe vajza e Safet Zhulalit – Ilda Zhulali
17 – Djali i Fatos Bejes (MPJ) (konflikt interesi) – Sokol Beja
18 – Kunata e Fatmir Mediut (Nju Jork)
19- Kunata e Azem Hajdarit (Neë York) – Albana Hasanaj
20- Gruaja e Bujar Leskajt (MPJ) – Silvana Leskaj
21- Vajza e Agim Shehut (Vjene) – Alma Shehu
22- Vajza e Ilir Banos (MPJ) – Albana Bano
23 -Vajza e Jemin Gjanes (Kosove) – Lorena Gjana
me te humbur ne zgjedhje shume nga PD do largohen jashte vendit,pasi e dine se cfare i pret..me parate vjedhura do jetoin diku si zoteri dhe asgje ske cju ben..
Lorenc te lumte,do te bej nje puetje:c”lloj leshi juridik eshte ky mo shoku, qe gjykata kushtetuse ka nje vit e gjysem qe se tjer dot,?
Une mendoj qe shtullunga e leshit eshte e perzjere me lesh prej dhie,se leshi dhise tiret me veshtiresi.