Flamuri kishte dje një takim të rëndësishëm me Shoqatën për Mbrojtjen e Konsumatorit. Tema e bisedës ishte se si Shoqata të mbrohej nga sulmet e konsumatorëve pas shpërthimit të skandalit të naftës virgine. Sipas statistikave të prokurorisë rreth 50 mijë ton naftë virgine është përzierë me benzinën e pastër duke shkatërruar cilësinë e saj, gjë që bllokon motorrët e makinave dhe ndot mjedisin. Kjo i ka revoltuar pa masë qytetarët shqiptarë, të cilët kanë besuar se Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve mbron interesat e tyre. Sa herë që kryetari i shoqatës shikon njerëz të mbledhur para zyrës së tij, mendon se do të nisë ndonjë protestë ndaj saj. Për këtë thirri Flamurin të konsultohej se si duhej të vepronin.
– Shiko, ju duhet të bëni një deklaratë, tha Flamuri, ku të thoni që kupola mafioze socialiste që ka drejtuar vendin para vitit 2005 dhe që sot trashëgohet prej Edi Ramës, ka helmuar njerëzit me naftë të ndotur.
– Dakord, e themi, tha kryetari, por puna është se njerëzit janë të revoltuar nga kjo që ndodhi tani.
– Po shiko, duhet sqaruar se kjo që ndodhi tani nuk do të ndodhte kurrë sikur këta demokratët që u arrestuan të mos e kishin mësuar këtë zanat nga socialistët, por jo nga socialistët e ndershëm si Nano dhe Meta, por nga kupola mafioze që sot është me Edi Ramën.
– Dakord, dakord, po s’e kuptojnë aq lehtë këtë. Çfarë duhet të bëjmë?
– Thuaje njëherë këtë se pastaj flas unë me atë Burrin dhe nisim prapë një fushatë reklamash kundër Edi Ramës. Shiko, po t’i mbysim TV me reklama kundër Edi Ramës, e harrojnë benzinën e ndotur. P.sh një reklamë do të jetë kështu: “Një mafioz socialist ka përzier benzinën e pastër ne naftën virgine… dhe tregon si e përzien, kurse një kryemafioz si Edi Rama ka përzier idealet e socialistëve të vërtetë me një kupolë mafioze. Kush është më i rrezikshëm për shëndetin tuaj,…pyet spikeri. Dhe përgjigja është: Edi Rama. Jep një pamje aty me një qytetar që shikon Edi Ramën dhe i bie të fikët dhe shkruan “ky mund të ishte dhe babai juaj”.
Ose një reklamë tjetër mund të jetë, një qytetar që shkon për të votuar dhe rrugës shikon një parullë: Partia Socialiste, e vetmja rrugë… Atëherë ai merr naftë virgine dhe e pi. Dhe thotë…: Më duket mjaltë kjo benzinë e përzier para votës për socialistët.
E kupton apo jo, gjëra të tilla duhet të bëni. Flas unë me atë Burrin, ju jep prapë ai 2 milionë dollarë dhe e bombardojmë me reklama.
– Mirë, mirë, ko është gjë shumë e mirë, po njerëzit janë revoltuar me ne tani që s’kemi protestuar ndaj kësaj naftës virgine…
– Njerëzit e kanë kot. Tri ditë zgjat çudia. Reklamat mund të zgjasin një muaj. Ne mund t’i mbysim me reklama. Unë them të bëjmë reklama.
Për shembull Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit fton qytetarët të zgjedhin të keqen më të vogël, mes opozitës shqiptare dhe benzinës së përzier. Benzina e përzier është më pak e rrezikshme se Edi Rama. Ja, gjëra të tilla duhen. Unë marr vesh se bëj gjithë reklamat e PD-së. Ja, nga këto duhet të bëni dhe ju. Janë shumë interesante.
– Po sikur njerëzit të thonë duam të zgjedhim opozitën dhe të më zbojnë mua nga zyrat?
– Po jo mo burë se s’kanë si të zbojnë se ty të zgjedhim ne prapë. Bëjmë një mbledhje tek PD-ja dhe të zgjedhim. Puna është që njerëzit duhet të kuptojnë se sado t’i ketë dëmtuar trafiku i naftës virgine, nuk është asgjë para rrezikut të ardhjes së opozitës në pushtet. Ju si Shoqatë e Mbrojtjes së Konsumatorëve me këtë duhet të merreni.
– Puna është se në vend që ne të mbrojmë konsumatorët, po mbrohemi nga frikë e konsumatorëve që duan të na rrahin pse nuk i kemi mbrojtur.
– Përjashtojini ata konsumatorë nga lista se duhet të jenë socialistë. Ju duhet të keni anëtarë të tillë shoqate, që era e naftës virgine t’u duket si parfum. Unë mbaj mend që kur isha në fshat, kur vinte makina një herë në muaj shkoja nga pas se kisha qejf erën e benzinës. Dhe ajo benzinë virgine ka qenë. Tani janë mësuar keq e s’e durojnë dot tymin, po s’kemi ç’u bëjmë. Ju si shoqatë u mbrojmë ne nga konsumatorët, ju na mbroni ne nga opozita. Kjo është skema.