Flamuri, konsultë për skandalin e naftës “virgine”

15 Mars 2011, 20:26Antena TEMA

Skandali i naftës ‘virgine’ e ka tronditur thellë Flamurin. Dy ditë rresht as që guxonte ta merrte në telefon atë Burrin. E dinte që ishte i mërzitur dhe që e kishte vështirë ta mbronte. Dhe nuk e kish hallin tek njëra kompani që e kish të vetën, por me Fahriun që i kishte bërë peshqesh dhe një kompani socialiste. Por pas dy ditësh ai Burri u bë i gjallë vetë.

– Flamur, sot do hapësh selinë e partisë, i tha.

– Pse Doktor, ç’ka bërë vaki, pyeti Flamuri i trembur.

– Asgjë. Shiko, duhet tu japim një përgjigje këtyre. Po na akuzojnë se jemi të lidhur me kontrabandën e naftës. Jo, duhet t’u përgjigjemi.

– Mirë doktor, fol me atë vajzën që kemi zëdhënëse sa të hap dyert unë dhe të ajrosim pak sallën e shtypit.

– Mirë, dakord. Mirupafshim.

Pas dhjetë minutash zëdhënësja e PD-së mbërriti me një frymë në zyrë të Flamurit.

– Do dal në konferencë shtypi, tha e trembur. Do lexoj një deklaratë. Më tha ca gjëra Doktori po i harrova të gjitha se s’kisha folë me të ndonjëherë në telefon.

– Mos u mërzit se flas unë prapë, i tha Flamuri.

U lidh në telefon.

– Më saktëso ndonjë gjë t’ia shpjegoj kësaj vajzës, i tha Flamuri.

– Patjetër Flamur. Shiko, duhet t’i themi Edvin Kristaq Ramës se qeveria jonë i ka gjetur depot plot me naftë virgine që e kanë pasur baronët e trafikut të naftës në kupolën e Partisë Socialiste.

– Kështu ta thotë, pyeti Flamuri.

– Kështu, po si ta thotë?

– Nejse, dakord, po mos i ngelet qejfi Nanos, se na ka dhënë fjalën që do na ndihmojë në fushatë?

– Ah, po, ke të drejtë. Mirë, dëgjo, hiqe atë fjalën të lidhur me kupolën e qeverisë së fundit socialiste, thuaj të lidhur qysh nga viti 2000 me kupolën e qeverisë socialiste.

– Po kam frikë se i mbetet qejfi Ilir Metës Doktor, se ai ka qenë atëherë?

– Ashtu, po mirë se e harrova fare. Mirë, dakord, shiko. Shkruaj. …Mirë… Një minutë, ok, dakord, shkruaj…shiko..mirë, ja prit një minutë.. dakord, shkruaj… “Qeveria e Partisë Demokratike i dha fund trafikut të naftës virgine me të cilat blihej pushteti dhe votat në kohën e kupolës së socialistëve që janë sot bashkëpunëtorët kryesorë të Edi Ramës.

– Kështu ta shkruaj Doktor?

– Po kështu shkruaje, pse, çfarë ka tani, nuk ka më emra as Nano, as Meta…

– Po kam frikë se do mërzitet ky Taqi, Taqi si i thua ti, se ai e ka pasë ble votën e vjehrrit të vet me naftën virgine atëherë…pastaj e akuzove dhe ti si trafikanti më i madh i naftës në Ballkan. Pastaj i dogji dhe depozitat në Shëngjin kur erdhëm ne në pushtet që të mos i masnim naftën që kishte shitë në të zezë…

– Ashtu ëë…po, ke të drejtë dmth… Shikom thuaj Duraku, jom Duraku duhet të thuash…

– Po nuk është më në PS ai Doktor, Jo se e kam nga Kukësi, po s’është përzier fare.

– Ashtu ë… Mirë, shiko. Ti thuaj Edvion Kristaq Ramës se ne i kemi dhënë fund kontrabandës së naftës virgine pasi privatizuam ARMO-n dhe tani çdo gjë bëhet brenda rafinerisë, nuk përzihet më rrugëve.

– Po mos merret si ters doktor që tani ky trafik vazhdon dhe nuk kapet…?

– Ashtu ë… Mirë, shkruaj, qeveria e zotit Berisha ka të dhëna të plota dhe një plan të qartë veprimi që Rama dhe kupola e mafies në opozitë kanë bërë që të trafikojnë naftën virgine kur të vijnë në pushtet. Ne i kemi të gjitha të dhënat e këtij plani të tmerrshëm korruptiv dhe ta denoncojmë atë duke e çuar para ligjit. Asnjë nga trafikantët e tij të naftës nuk ka për të shpëtuar dhe sidomos ata që bëjnë plane se si të trafikojnë naftën virgine….

Mirë është kështu…?

– Po si mirë duket. Metën s’e kemi prekur, Nanon s’e kemi prekur, nuk besoj se u ngelet qejfi. Edvin Kristaq Ramën e kemi bërë copë. Si mirë duket.

– Shumë mirë. Jepja asaj vajzës tani.

Flamuri mbylli telefonin dhe ngriti kokën. Para saj rrinte e trembur zëdhënësja që do lexonte deklaratën.

– Çfarë të them unë, pyeti ajo e shastisur.

– Kemi zbuluar një plan armiqësor për vjedhje të naftës virgine kur socialistët do të vijnë në pushtet, i tha Flamuri, dhe do dalësh ta denoncosh. Dhe po të pyetën gazetarët, do thuash që diferenca mes nesh dhe socialistëve, është që ne i paradenoncojmë vjedhjet ende pa ndodhur, kurse socialistët i thonë vetëm kur ndodhin.

– Mirë, tha zëdhënësja e lumtur nga kjo diferencë e thellë.

Lini një Përgjigje