Vrasësi i Shkodrës është liruar nga burgu me shkresë të kryetarit të Bashkisë

18 Mars 2011, 22:49Politika TEMA

Arrestohet në Tiranë Admir Tafili, i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër. Ai u arrestua nga forcat RENEA. Në mëngjes në fshatin Grudë të Shkodrës është vrarë Gjovalin dhe Tonin Pjetrushi, 31 dhe 25 vjeç. Sapo policia ka dëgjuar emrat e tyre, ka qenë e lehtë për të vendosur të parën pistë hetimi: atë të gjakmarrjes. Ata janë vëllezërit e Prel Pjetrushit, ish- shef i krimeve të rënda në Shkodër. Po si është historia më pak fjalë?

Policia organizon para dhjetë vitesh një aksion në Shkodër për të arrestuar Bahri Tafilin, i cili kërkohej për vrasjen e Skënder Gecit. Në aksionin e policisë mbetet i vrarë ish- drejtori i policisë, Arben Zylyftari dhe vetë i kërkuari Bahri Tafili. Policia arrestoi dy djemtë e Bahriut, fillimisht Gencin dhe më vonë Admirin, duke i akuzuar për vrasjen e ish- drejtuesit të policisë. Por këta të fundit gjithmonë kanë pretenduar se nuk e kanë vrarë ata Zylyftarin, por Prel Pjetrushi. Të dy djemtë akuzojnë Pjetrushin edhe për vrasjen e babait. Madje përpara se të arrestohej, Admiri i organizon një atentat të dështuar Prel Pjetrushit. Ky i fundit shkon në Amerikë për t’i shpëtuar rrezikut, kurse Admiri përfundon në pranga.

Por në vitin 2010 Admiri merr leje nga burgu dhe arratiset. Admiri zhduket, por policia dyshon se ai qëndron pas vrasjes së dy vëllezërve sot. Ai është një nga kontingjentet më të rrezikshëm të krimit në vend. Për më tepër u zbulua se kërkesën për leje për Tafilin e kishte bërë kryetari i Bashkis së Shkodrës, Lorenc Luka. Ky i fundit tha se i ishte falsifikuar firma.

Por të bën përshtypje edhe lirimi me leje nga burgu i këtyre elementëve. Para pak ditësh u vra në Shkodër Astrit Kurmemaj, i cili kishte marrë leje disaditore nga burgu. Edhe ai ishte një personazh i njohur i botës së krimit.

Dokumenti

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, i ka kërkuar  më datë 27.09.2010 burgut të Lezhës që t’u japë leje dy vëllezërve Tafilaj, Gencit dhe Admirit. “Vërtetim, me të cilin vërtetojmë se znj. Kimete Tafili është e sëmurë në gjendje të rëndë shëndetësore, prandaj Bashkia Shkodër i bën kërkesë Qendrës së vuajtjes së dënimit Shënkoll Lezhë, që brenda mundësive t’u jepet leje 5-6 orëshe dy djemve të së lartpërmendurës, pikërisht Admir Tafilit dhe Genc Tafilit.
Duke pritur në pritje të kërkesës sonë, ju urojmë punë të mbarë institucionit tuaj”, shkruhet në letrën e firmosur nga Lorenc Luka. Madje dallohet qartë në shkresë që ka qenë Luka ai që i ka kërkuar sektorit juridik, sektorit të policisë, sektorit për edukim dhe sektorit të shëndetësisë, “për veprim”.

Luka, përveçse mban postin e kreut të Bashkisë së Shkodrës, është njëkohësisht nënkryetar i Partisë Demokratike të këtij qyteti. Shkresa e nënshkruar prej tij si dhe të tjerat, janë depozituar pranë Prokurorisë së rrethit të Lezhës, e cila po heton për ngjarjen që tronditi rëndë sistemin e burgjeve në Shqipëri. I të së njëjtës datë me shkresën e kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, pra më 27.09.2010, është edhe vërtetimi që doktoreshë Koleta Suma ka bërë për sëmundjen e rëndë të Kimete Tafilit. Në shkresë thuhet ndër të tjera, se “sëmundja që ka nëna e dy të burgosurve, ka nevojë për praninë e të gjithë familjarëve”. Doktoreshë Suma në shkresën e saj nuk shprehet se sa urgjente është prania e familjarëve pranë zonjës Kimete Tafili dhe nuk jep asnjë afat se kur duhet të jenë djemtë e saj në spital.

Një shkresë tjetër nga dosja e Prokurorisë së Lezhës është certifikata familjare e dy vëllezërve Tafili, marrë në Gjendjen Civile të Shkodrës. Ajo është marrë një ditë më vonë se dy shkresat e mësipërme, pikërisht më 28.09.2010. Shkresat nga institucionet e pushtetit lokal në Shkodër janë marrë të gjitha në pak ditë, pra 27/28 shtator, ndërsa arratisja e Admir Tafilit, i liruar nga burgu së bashku me të vëllanë për një leje 9-orëshe, ndodhi pasditen e 2 tetorit 2010. Pasi këto shkresa u botuan nga Gazeta Shqiptare Luka deklaroi se dikush kishte firmosur për të, por i arratisuri nuk u kap deri sa kreu krimin.

3 komente në “Vrasësi i Shkodrës është liruar nga burgu me shkresë të kryetarit të Bashkisë”

  1. Frederik says:

    Ne Shqiperi nuk vrasin kriminelet ordinere , por mafia politike ne pushtet , e cila i ka perdorur dhe perdor ata per qellimet e veta. Krimi do te reduktohet ndjeshem me zhdukjen nga pushtetiti te regjimit te Sali Berishes , kesaj njolle te zeze ne historine e Shqiperise.

  2. eddy says:

    ME VJEN KEQ PER KETE DJALE QE PADREJTESIA E DETYROJE TE VETEGJYKOJE KU E GJEN TE DREJTEN KY POLIC TI VRASI BABNE TJETRIT A E DIN KY QE DERI NE MOMENTIN E DHENJES SE DENIMIT NGA GJYKATA CDO NJERI ESHTE PRESUPOZOHET I PAFAJSHEM KUSH ESHTE KY POLIC QE NXJERE AUTOMATIKUN DHE VRET PRINDIN PA E PARAGJYKUAR NESE ISHE APO JO I FAJSHEM DHE CFARE BERI KY PALO SHTET PSE NUK E DENOJE KETE POLISHT PER TI NDERPRE RRUGEN HAKMARJES PER MUA KY DJALE NUK ESHTE KRIMINEL ESHTE SHTETI QE E DETYROJE TE VRASE PER TE VEN NDERIN E FAMILJES NE VENDE NDAJE I UROJE LIRIM SA ME TE SHPEJTE

  3. vinny says:

    Forma Forma, ndryshoni formen se diskreditoni gazeten tuaj dhe nuk ju lexon me njeri!
    Nuk mund te afirmohet se lirimi nga burgu eshte bere me shkrese te kryetarit te bashkise, ne nje kohe qe ky i fundit thote se i eshte fallcifikuar firma!
    Dhe krimineli me ordiner eshte i prezymuar i pafajshem perpara se te merret vendim gjykate pet ate qe akuzohet. Kjo eshte baza per çdo e pretenduar demokraci duhet te respektoj, dhe eshte ne ndrerin e shtypit e medjave qe ta respektojne kete princip, dhe pse shpeshe here, tundimi per te krijuar sensancion eshte i madh.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje