Cana nuk planifikon të largohet nga Galatasaray

2 Prill 2011, 10:49Sport TEMA

Emri i Lorik Canës së fundi është përmendur në lidhje me transferim të mundshëm në skuadra të Italisë, Gjermanisë e Anglisë. Por mbrojtësi kosovar insiston se deri më tani nuk ka biseduar me asnjë skuadër. Cana, 27-vjeçar, thotë se është i interesuar që të mbetet ende te gjiganti turk Galatasaray. Sipas reprezentuesit të Shqipërisë, edicioni 2010/2011 është plotësisht i dështuar për Galatasarayn.
Skuadra e njohur italiane, Lazio është e fundit që ka shprehur interesim për shërbimet e Canës. Drejtues të këtij klubi gjatë kësaj jave kanë theksuar se tashmë kanë nisur bisedimet për transferimin e Canës. Për shërbimet e Canës interesim kanë shprehur edhe Schalke e Stuttgarti në Gjermani dhe Fulhami e Aston Villa në Angli.
“Nuk jam duke biseduar me askënd për ndonjë transferim të mundshëm, pasi unë kam kontratë edhe tri vjet me Galatasarayn. Është herët të flitet për atë që mund të ndodh gjatë verës, jemi në fillim të prillit. Galatasaray është klub i madh. Planet janë të qëndroj këtu, prandaj nuk kam zhvilluar asnjë bisedë. Dëshira ime është që Galatasarayn ta shohë në pozitën e parë në Turqi dhe duke luajtur në Ligën e Kampionëve. Dua të qëndroj këtu”, ka thënë Cana të premten për gazetën.
Galatasaray aktualisht renditet i 11-ti në Superligën turke me vetëm 33 pikë të mbledhura në 26 ndeshje. Në fillim të edicionit synonte titullin.
“Me rezultatet e këtij stinori nuk jam i kënaqur. Për Galatasarayn është një stinor i dështuar. Unë do të bisedoj në fund të këtij stinori me drejtuesit e skuadrës dhe të shoh se cilat janë planet e tyre në stinorin e ri”, ka shtuar Cana.
Lorik Cana te Galatasaray u transferua në verë të vitit të kaluar nga skuadra angleze Sunderland. Këtë edicion ka regjistruar 21 paraqitje në kampionatin turk, ndërsa ka realizuar një gol.
Lorik Cana të shtunën e kaluar ishte ndër lojtarët më të mirë në fushë në fitoren 1:0 të Shqipërisë kundër Bjellorusisë. Cana thotë se fitorja kundër bjellorusëve ishte e rëndësishme, por sipas tij ajo fitore nuk e bënë Shqipërinë favorite të grupit eliminator apo kombëtare të madhe.
“Mbrëmja e ndeshjes kundër Bjellorusisë në aspektin e futbollit ka qenë shumë e mirë. Ofruam maksimumin. Të gjithë kemi qenë shumë të mirë dhe i kemi kryer detyrat në përpikëri. Ne ishim të vetëdijshëm se duhet të japim maksimumin dhe të fitojmë këtë ndeshje. Kemi pasur rast të shënojmë edhe më shumë, por gjëja më e rëndësishme për ne ishte që arritëm fitoren. Me një ndeshje që e fituam nuk jemi bërë favoritë të grupit dhe nuk jemi bërë Kombëtare e madhe, por puna që e kemi bërë deri më tani ka qenë e efektshme dhe kjo është pozitive për ne”, ka thënë Cana./KD/

Lini një Përgjigje