Sulmuesi spanjoll i Shalke 04, Raul Gonzales, ka paralajmëruar rivalin e tij për kreun e golashënuesve më të mirë në historinë e Ligës së Kampioneve, Filipo Inzagi. Raul është shprehur se do ta kalojë në këtë renditje Inzagin, me të cilin ndan vendin e parë me nga 70 gola të shënuar secili. “Më vjen keq për Pipon, por nëse do ta kaloja në San Siro, do të ishte fantastike”, ka thënë Raul, i cili do të ndeshet me Shalken kundër Interit në Milano. Sulmuesi spanjoll ka thënë se ekipi gjerman ka të gjitha mundësitë që të kualifikohet në Ligën e Kampioneve përballë Interit, pasi sipas tij, në dallim nga kampionati, në kupë ekipi luan shumë më mirë.