Socialisti Berisha

12 Prill 2011, 10:59Politika TEMA

Nga Lorenc Vangjeli, MAPO

Duhet besuar çfarë thonë politikanët në fushatë? Nëse njeriu që flet është Sali Berisha, përgjigja është e prerë dhe pa dilema: Jo! Në 20 vjet, zoti Berisha është identifikuar si gënjeshtari më i madh politik, i denjë për t´u krahasuar me paraardhësit e tij komunistë të Partisë së Punës që sidomos në dekadën e fundit të regjimit të tyre, nuk kishin asnjë lidhje me realitetin dhe të vërtetën. Arkitekt i kësaj të vërtete të ashpër, për ironi të fatit, është vetë zoti Berisha, madje edhe më shumë se kujtesa popullore që i shënon atij pirueta në politikë që do të rrëzonin çdo balerinë politike, thënie dhe kundërthënie, aleanca me armiq dhe armiq që shndërrohen në miq të ngushtë, premtime që nisin me frazën: unë ju garantoj ju!, që shoqërohen nga paragarancia e plotë se premtimi nuk mbahet.

Vlen të kujtohet edhe fraza e paharrueshme e mesjanarit të katër viteve më parë, në 2007, në Pallatin e Brigadave, kur u ngjiz publikisht “martesa” politike e zotit Berisha me njeriun që e burgosi për katër vjet me akuza politike, Fatos Nano: Mos besoni gjithçka thuhet në fushata elektorale! Këtë tha Berisha duke dashur të justifikojë atë lumë balte të gjatë dhe të gjerë si Nili i Afrikës, që kishte derdhur ndaj Nanos në plot 17 vjet pluralizëm. Në fakt, duhet të kihet në dispozicion fyt i gjerë dhe vullnet i madh për të tërhequr pas pështymën që ka fluturuar shumë herë nga goja, për të arritur në një konkluzion të tillë vetjak, të mjerë intelektualisht, të lodhur individualisht dhe të poshtër politikisht. Zoti Berisha, megjithatë, e kreu këtë mision të pamundur që e kishte paralajmëruar me një tjetër frazë brilante të vjeshtës së vitit 2001, kur deklaronte në Kuvend: “I kam kërkuar të mive që ne edhe me djallin bëhemi kundër Ilir Metës”. Djalli në këtë rast ishte Fatos Nano që kishte nisur katarsisin e tij që rezultoi me rrëzimin e ish-kryeministrit Meta në harkun e disa muajve. Sot, për ironi të fatit, edhe Djalli Nano, edhe Ilir Meta, edhe vetë Berisha, pa përjashtuar dhe një krijesë folklorike që vjen direkt nga e shkuara si Hysni Milloshi, janë bashkë kundër Edi Ramës. Parimi i vjetër, sa më shumë armiq, as më i fortë kundërshtari, kësaj rradhe duket se është më i vërtetë se kurrë!

Edhe gjatë kësaj fushate, dukshëm më të tensionuar dhe më të helmuar me dyshime se fushata e 28 qershorit 2009, gënjeshtrat do të zgjasin ca hundë dhe gjuhë druri që do të priten në 8 Maj nga tehu i votës referendare mes kundërshtarëve PD-PS. Njëra prej tyre ishte brilante dhe duket se do të qëndrojë për ca kohë në Hit Paraden e mashtrimit përballë turmave: “(Edi Rama) Në krye të Partisë Socialiste nuk erdhi vetë, e solli Fatos Nano, e solli Sali Berisha”. Njeriu që i flet vetes me emër dhe mbiemër është po Sali Berisha. Se në çfarë mënyre ka ndodhur një gjë e tillë, zoti Berisha nuk e tha, por është e lehtë të besohet se ai ka bindje se gjithçka në Shqipërinë e djeshme dhe të sotme parapolitike ndodh me dijeninë dhe lejen e tij vetjake, përveç, fjala vjen, demontimit kriminal të predhave në Gërdec. Por edhe këtu ka një problem. Dhe shumë serioz madje, shumë më të rëndësishëm për shqiptarët dhe Shqipërinë sesa dilema e vjetër qesharake mes vezes dhe pulës: Kush ka ardhur më parë në dynja, veza apo pula? Në këtë rast, dilema mund të bëhet trilemë: po vetë Sali Berishën kush e “paketoi” në krye të politikës shqiptare në këto 20 vjet në vijim?

Dikur tregohej një anekdotë. Ramiz Alia, presidenti i fundit komunist i vendit, kishte projektuar ndarjen si amebë (një nga njëqelizorët e parë të vitit “zero” të evolucionit) të partisë së tij në dy pjesë kryesore me bërthamën e vjetër, komunistët klasikë dhe bijtë e tyre. Ndarja do të ishte, komunistët e reformuar nga një anë dhe demokratët e orës së fundit, nga ana tjetër. Dy ishin njerëzit që do t´i drejtonin ato, Fatos Nano dhe Sali Berisha. Llogaria e vjetër e zotit Alia ishte e thjeshtë: “të mirin”, liberalin, ekonomistin me syze tek PS-ja dhe të “keqin”, ultrakonservatorin komunist, mjekun e talentuar tek PD-ja. Dhe ashtu ndodhi. Zoti Alia nuk dinte vetëm një detaj që historia e ka vërtetuar në çdo shembull që jepet: Mbretërit nuk i duan dëshmitarët e dobësive të tyre, ata hakmerren ndaj Mentorëve të tyre. Nuk dinte as etjen për të qenë “mbret” i Shqipërisë që kreshniku Berisha kishte ushqyer që nga momenti që kishte lënë Alpet dhe kishte ardhur për herë të parë në kryeqytetin e viteve 60´, atëherë kur nuk njihte askënd, atëherë kur e frustronte dialekti që fliste, atëherë kur mënyra e të ecurit dhe batanija e ashpër e konviktit ku flinte pak se studionte shumë, e ndante nga të tjerët.

Tashmë ka një diferencë të madhe mes dy armiqve të betuar, Berishës dhe Ramës. Një diferencë që nuk nis në fillim të viteve 90´ dhe në vijim, por që është krijuar si e tillë dhe e pandryshueshme nën regjimin komunist: nëse Rama atëherë i bënte veshët katër që të dëgjonte Pink Floyd, The Doors, Deep Purple e kështu me rradhë, Berisha edhe katër veshë të kishe në dispozicion, t´i priste të katërt nëse dëgjoje Pink Floyd, The Doors, Deep Purple e kështu me rradhë. Sot Berisha flet për Lady Gaga. Ironia nuk ka fund në këtë vend të mbushur plot me ironi, kur po Doktori, quan bir të etërve Ramën.

Thënë këtë, të 20 vjetët e pseudopluralizmit shqiptar deri në fushatën për zgjedhjet adminstrative të majit 2011, nuk kanë ndryshuar asgjë, përveç rigarimit mes komunistit të vjetër dhe të ri me kostum antikomunisti, zotit Berisha dhe anarkistit të vjetër dhe revolucionarit të ri me kostum trendy, zotit Rama. Qytetarët e kanë zgjedhjen e lehtë edhe këtë rradhë: duhet të mendojnë si demokratët e dhjetorit 1990 dhe të votojnë rishtaz kundër gënjeshtarëve komunistë. Pa harruar në këtë peshore as Fatos Nanon që mbeti viktimë e një “plumbi” qorr që qëlloi Doktori nga Vlora, kur u kujtoi të gjithëve sërish, se e shkuara e përbashkët komuniste me të, vlen të jetë argument për miqësinë e tyre të sotme e të nesërme.

 

 

6 komente në “Socialisti Berisha”

  1. Nabukodonosor says:

    Bravo Lorenc.E perkryer si analize.

  2. AlboGentiVlora says:

    Shume bukur, por Saliu nuk genjen shqiptaret me tru. Ai genjen ata budallenjte, injorantet, koketrashet, qorrat dhe shurdhet qe i vijne nga prapa. Tere malesine e genjen. Ka 20 vjet qe perdor karten e komunizmit. Bunkerat, bllokmenet e rinj, te kuqte, bijte e eterve e ku ta di une jane frazat qe Berisha i perdor per te vazhduar lavazhon e trurit te truthareve.
    Ata qe i vijne nga prapa jane aq budallenj sa vazhdojne te ngrene dy gishtat lart. A s’ishte kjo simboli qe perkthente liri dhe demokraci?
    A mos do te thote se keta akoma kerkojne liri dhe demokraci? Nese po, atehere prej kujt e kerkojne kete gje?
    Vete Saliu eshte ne pushtet dhe ka 20 vjet. Nuk besoj se dy gishtat e ketyre ngrihen duke u perkthyer ne Victory. Keta jane aq te trashe sa as qe e kuptojne kete fjale.
    Ai shkon ne shkoder dhe u thote qe ju nuk do permbyteni me. Do ta shohim kete dimer nese do permbyten apo jo.
    Premton hapje vendesh per pune, por ka 20 vjet qe e premton nje gje te tille dhe asnjehere nuk e ka mbajtur premtimin.
    Pra ai genjen te tijet dhe jo socialistet apo ata pa parti qe nuk e votojne. Te tijet i pifshin lengun.
    Ta gezoni perjete babain tuaj.

    1. plaku says:

      I dashur AlboGentiVlora,
      Jam plotesisht dakord me ty. Kam vetem verejtjen qe neve ( mendoj opozita ) duhet te sqaroje me fakte “budallenjeve, injoranteve, koketrasheve, qorrave dhe dhurdheve qei vine nga prapa Saliut ” se kush eshte fytyra e vertete e Sali Berishes. Mendoj se nje fakt shume i rendesishem eshte dhe fotografia e mesiperme ku tregon Salen ne barke me Sokol Hoxhen. Populli thote nje proverbe te bukur ” Syte besojne me shume se veshet.”
      Une personalisht mendoj se keta njerez ( te thjeshte qe ne fakt vuajne edhe ata nga qeverisja e Salen )qe i shkojne per momentin pas Sales nuk eshte se linden injorante,………………….., ata per ndonje aresye apo nje tjeter jane per momentin te genjyer nga Sala. Prandaj une mendoj se opozita dhe gjithe shoqeria shqiptare duhet t’ju tregoje me fakte se kush eshte Sala i vertete me qellim qe keta njerez nga nje kontingjent i Sales te kthehen ne nje kontingjent te opozites.
      Nuk e di po ky eshte mendimi im, une jam nje shqiptar i thjeshte dhe jo politikan.

  3. brace1 says:

    komunisti plake i pa vdekshem i te gjitha kohrave,qofte fantazma e fundit ne europen lindore e ne vecanti ne SHqiperine tone,zoti e gjykofte te jete sa me shkurter jeta e komunistve e spiujve vrases,qe qe udhehiqen nga sekretari i byrose,me bijte e bijat e kesaje partie fame keqe,te udhehequr po nga ky komuniste kriminel.

  4. Falcon says:

    foto flet me shume se njemije fjale..shife cfare Uriah Hip duket ky dordolec qe sot e quan veten pishtari demokracise apo skenderbeu..sigurisht i quajtur i tille vetem nga shtresa me injorante e popullsise..sherbetor kokulur i njemije zoterinjve ,sot aktron si njeri i forte dhe antikomunist i terbuar kur diku ne skrivanin e tij rri akoma tesera e PPSH dhe diploma e marre ne Instittin e studimeve marksiste leniniste qe nuk qe gje tjeter vetem nje kurs kualifikimi per spiunet e sigurimit shtetit,firmosur nga Nexhmije Hoxha,plus cardabianka e kandidatit te KQ te PPSH, qe ishte License to Kill

    1. horatius says:

      Hahahaha sa kohe kisha pa e degju Uriah Heep, i ke rene pikes. Sikur ta kishte vlla binjak.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje