Hipokrizia e Armand Dukës për kampionatin shqiptar

20 Prill 2011, 13:14Politika TEMA

Edhe pse situata në futbollin shqiptar është dramatike, kur në vitet e fundit shitjet dhe lëniet e ndeshjeve janë bërë fare hapur, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka shprehet se kjo nuk është e vërtetë. Ndoshta vetëm ky i fundit nuk e sheh atë se çfarë po ndodh në të vërtetë në futbollin shqiptar, ose nuk do që ta shohë realitetin ku është zhytur sporti më i dashur, për faktin se ai është fajtori kryesor i asaj që po ndodh. Në një prononcim për gazetën greke “Sport Day”, Duka ka thënë se në 99%, kampionati shqiptar është i vërtetë. Ai ka thënë se në kampionatin shqiptar ka tolerime, por jo trukime. “Unë them që më shumë kë fjalë dhe paragjykime, se sa të vërteta. Ndodh ndonjëherë që edhe në kampionatin shqiptar të ketë tolerime, por dhe këto ndoshta për arsye sportive. Megjithatë, kampionati shqiptar është më shumë se 99% i vërtetë”, ka thënë Duka.

Vetëm nëse do të analizohet ky citim, do të kuptohet se sa e rëndë është situata, por edhe përgjegjësia direkte që Duka ka për këtë situatë. Ky i fundit e pranon hapur se ka tolerime, duke e konsideruar si një gjë normale dhe na thotë se nuk ka ndodhur ndonjë gjë e rëndë, pasi nuk ka trukime. Por, Duka duhet të dijë se si trukimet, ashtu edhe tolerimet, janë shkelje e ligjeve dhe etikës sportive dhe ato dënohen, nëse vërtetohen. Në asnjë kampionat të huaj, presidenti i Federatës nuk del dhe thotë se ka tolerime dhe për këtë nuk merr asnjë masë.

Por, më e rënda në këtë deklaratë është fakti se ai shprehet që këto tolerime ndodhin për arsye sportive. Cilat janë në fakt këto arsye që i shtyjnë ekipet shqiptare që të tolerojnë ndaj Skënderbeut të Korçës, i cili kërkon me çdo kusht që të dalë kampion? Vetëm arsye sportive nuk ka në këtë rast, por dhe në asnjë rast tjetër, pasi asnjëherë nuk mund të ketë tolerime në sport për arsye sportive. Ajo që po ndodh në kampionatin shqiptar nuk ka të bëjë me arsye sportive, por me arsye të pastra politike dhe korruptive. Dihet që Skënderbeu financohet nga Zamir Mane, njeri i afërt me qeverinë dhe ministri i Financave, Ridvan Bode. Për më tepër, vetë Armand Duka është ortak biznesi me presidentin e Korçës. Pra, lind sërish pyetja, çfarë arsyesh sportive ka që të tolerohet ndaj Skënderbeut, siç ka ndodhur gjatë këtyre dy kampionateve të fundit, kur normalisht, korçarët duhej që të luanin një kategori më poshtë gjatë këtij sezoni, në rast se nuk do të ishte toleruar gjatë sezonit të kaluar nga pothuajse të gjitha ekipet e Superligës? Përgjigjia është se në këtë rast nuk ka asnjë arsye sportive. Të gjithë i dinë arsyet e vërteta dhe Armand Duka ndoshta do të bënte mirë që të na i thoshte.

4 komente në “Hipokrizia e Armand Dukës për kampionatin shqiptar”

  1. eribcn says:

    KY ESHTE KULMI !!!!!!!!!!!!! si ka mundesi qe ky njeri eshte presidenti i federates se futbollit akoma,si ka mundesi te bej deklarata te tilla dhe te vazhdoje ne postin e vet sikur asgje ska ndodhur? tanime asgje me nuk na cudit ne atdheu yne i dashur, cdo gje vjen ere dhe i ka kaluar afati i skadimit , per mendimin tim fajin e kan dhe presidentet e ekipeve se derisa nuk e ngren zerin te gjith se bashku i bie qe her pas here kan ndonje perfitim personal dhe vetem kur ka ndonje prekje interesi ngrejn nga pak zerin, futbolli shqiptar eshte katandisur per te ardhur keq me te vertet, jo mo kot puthuajse te gjith interesohen me shum per ekipet e huaja se sa per ekipet e qyteteve te tyre. kam then ne shum komente neper gazeta , qe ne fillim te kampionatit dihet kush do fitoj dhe kush do dali nga kategoria , ateher ka ndonje arsye per ta ndjekur , ah po , ka nje , ndonjeher ka dhe boks ne ndeshje futbolli kshu qe me nje bilet shikon dy sporte ..

    1. labi says:

      ai eshte atje pasi e ka lyer qerren e UEFA e FIFA,e mbani mend kur donin ta hiqenin,u be presion nga UEFA e FIFA

  2. nebra says:

    Ky eshte nje nga absurditetet e rradhes te realitetit shqiptar ne pergjithesi.Une do tu sugjeroja ekipeve shqiptare ta bojkotonin fare kete kampionat deledash, *99% te paster* te Dukes derisa te ikin nga drejtimi i FSHF ky dhe tarafi i tij.

  3. albaniac says:

    bojkotimi i kampionatit tani dmth dhe dje eshte vone dhe njekohesisht mospjesmarja e kombetares ne kupat mund ti qerroje te pakten perkohesisht keta b… qe dhe harta nuk e ka akoma vendin se ku kane lindur.
    Sa te afte do jene ekipet tona te bejne nje gje te tille…..priceless

Comments are closed.

Lini një Përgjigje