Shqipëri-Francë, në stadiumin e Prishtinës?

21 Prill 2011, 20:25Sport TEMA

Nëse mund të rregullohet dhe të plotësojë standardet për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare, në stadiumin e Prishtinës, në shtator të këtij viti, mund të luajë një kombëtare e njohur e futbollit botëror.

Bëhet fjalë për Francën, e cila do të jetë mysafire e kombëtares shqiptare, që është në kërkim të një stadiumi për zhvillimin e ndeshjeve të mbetura kualifikuese për Kampionatin Evropian të futbollit 2012, pasi stadiumi “Qemal Stafa” në Tiranë do të rrënohet së shpejti, për të hapur rrugën e ndërtimit të një stadiumi të ri modern.

Në një situatë të tillë, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) parapëlqen që këto ndeshje t’i zhvillojë në stadiumin e Prishtinës dhe për dëshirën e saj, tashmë e ka lajmëruar FC Prishtinën. Zyrtarisht, FSHF-ja e ka bërë këtë publike nëpërmjet një shkrese zyrtare të dërguar në adresë të ekipit prishtinas.

“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron t’ju bëjë me dije që së shpejti mund të fillojnë punimet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, gjë e cila do ta detyronte FSHF-në të kërkojë një stadium të përshtatshëm pranë Shqipërisë, ku ne mund t’i zhvillojmë ndeshjet ndërkombëtare zyrtare. Duke marrë shkas nga kjo nevojë që i paraqitet FSHF-së dhe duke parë qa ne vlerësojmë stadiumin e KF Prishtinës, si një mundësi për të zhvilluar këto ndeshje, do t’ju kërkonim që të na paraqisni një raport në lidhje me standardet e stadiumit tuaj infrastrukturore dhe logjistike, në mënyrë që të kemi një ide më të qartë. Duke ju falënderuar për asistencën tuaj, mbetemi në pritje të përgjigjes tuaj”, thuhet në faksin drejtuar KF Prishtinës, të firmosur nga sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani.

Duke parë rëndësinë e madhe për një organizim të një ngjarjeje të tillë në Kosovë dhe për futbollin e Kosovës, menjëherë ka reaguar KF Prishtina. Për krerët e ekipit bardhekaltër, ky llogaritet si nder i madh dhe privilegj, që stadiumi i tyre të jetë nikoqir i ndeshjeve zyrtare të Shqipërisë.

“Disa takime të fundit ndërmjet presidentit të FSHF-së, Armando Duka dhe atij të Prishtinës, Remzi Ejupit, kanë bërë që në axhendën e tyre të futet mundësia e zhvillimit të ndeshjeve zyrtare të kombëtares shqiptare në Prishtinë, pasi stadiumi “Qemal Stafa” do të rrënohet dhe ndërtohet një i ri”, tha nënkryetari i FC Prishtina, Afrim Muçiçi.

“Kjo iniciativë ka lindur nga presidenti Duka dhe kjo ofertë nga FSHF-ja është nder i madh për neve dhe ne jemi falënderues për këtë”, u shpreh ai. Për presidentin e bardhekaltërve, mbërritja e një kombëtareje, siç është ajo e Francës, në Prishtinë, do të ishte marketing i fortë për vetë Kosovën dhe futbollin e saj.

“Imagjinojeni se çfarë jehone do të kishte në botë po të zhvillohej ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Francës në Prishtinë. Një marketing i mirë për Kosovën dhe futbollin kosovar”, tha Ejupi.

Sipas Ejupit, stadiumi i Prishtinës nuk është aq larg plotësimit të kritereve për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare, pasi nevojiten disa intervenime që mund të kryhen për një kohë shumë të shkurtër dhe nuk ka ndonjë bazë ligjore që do ta pengonte këtë.

“Lirisht mund të them se stadiumi i Prishtinës nuk qëndron aq larg për të plotësuar kriteret që kërkohen nga UEFA dhe FIFA për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare. Nuk presim as që të ketë ndonjë pengesë ligjore nga UEFA.

Dua të falënderoj shtetin shqiptar dhe Federatën Shqiptare të Futbollit e presidentin e saj Duka, për mundësinë e dhënë. Me një angazhim të përbashkët të institucioneve shtetërore, Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe vetë klubit tonë, mendoj se për një kohë të shkurtër do të kryhen të gjitha punimet e nevojshme në stadium. Besoj se e gjithë puna do të mundë të kryhej brenda 45 ditëve, por, po e përsëris se kjo punë nuk mund të kryhet pa ndihmën e qeverisë. Urgjentisht nevojitet mbulimi i stadiumit, rregullimi i vendeve për gazetarë dhe persona zyrtarë, ndërkohë që në përfundim e sipër është asfaltimi i infrastrukturës së jashtme të stadiumit, që pritet të kryhet shumë shpejt”, tha ai.

Ejupi ka theksuar se nuk është bërë ndonjë parallogari se sa do të kushtonte projekti i rregullimit të stadiumit, por do të ishte në të mirë të të gjithëve.

“Nëse do të kryhej ky projekt, do të përfitonte populli i Kosovës, do të shihte dhe përkrahte kombëtaren e Shqipërisë nga afër, ekipi përfaqësues i Kosovës dhe klubi i Prishtinës, do të kishin një stadium të kompletuar për të ardhmen”, pohoi Ejupi.

Shqipëria do të zhvillojë ndeshjen me Francën më 2 shtator, ndërsa deri në fund të fushatës kualifikuese për Euro 2012, si vendas, do të takohet edhe me Rumaninë, më 11 tetor./zëri/

 

 

2 komente në “Shqipëri-Francë, në stadiumin e Prishtinës?”

  1. vinny says:

    Ideja eshte per tu lavderuar dhe ashtu si thuhet ne artikull do te ishte diçka shume pozitive per sportin e futbollit ne Kosove.
    Mos harrojme se nje pjese e lojtareve te kombetares jane me origjine nga kjo krahine e Shqiperise si dhe nje pjese e madhe e tifozeve vijne per çdo ndeshje te kombetares po nga Kosova.
    Per sinjale te tilla bashkepunimi do te kishte nevoje dhe politika e sidomos ajo e mardhenieve ekonomike qe duhet te konsideroje Kosoven si partenerin me te privilegjuar te Shqiperise.

  2. eddy says:

    per her te pare qe po degjoje nje ide te shkelqyer bravooooooooooo

Comments are closed.

Lini një Përgjigje