Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë dhe Dinamos së Bukureshtit, Elis Bakaj, thotë se do të ishte fantastike që ndeshja eliminatore për “Euro 2012” në mes Shqipërisë e Rumanisë të luhet në Prishtinë. Kështu shkruan të shtunën gazeta rumune “Prosport”. Bakaj ka thënë se tifozët kosovarë janë fantastik dhe dinë të krijojnë atmosferë të zjarrtë.
“Tifozët në Kosovë janë fantastikë, të jashtëzakonshëm. Jam i bindur se do të krijonin një atmosferë të zjarrtë, por me sa di unë, fusha atje nuk është në gjendjen më të mirë”, është shprehur Bakaj.
Në të vërtetë së fundi është folur për mundësinë që kombëtarja e Shqipërisë të luajë në Prishtinë ndeshjen me Rumaninë. Ky takim do të zhvillohet më 11 tetor. Para kësaj date pritet të fillojë rrënimi i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, ku Shqipëria luan ndeshjet si vendas. Drejtues të klubit Prishtina ditë më parë kanë thënë se në stadiumin e kësaj skuadre, Shqipëria mund të luajë takimet eliminatore me Francën dhe Rumaninë. Por drejtues të FSHF-së kanë bërë të ditur se me Francën më dy shtator do të luajnë në “Qemal Stafa” të Tiranës.
Kusht që Shqipëria të luajë me Rumaninë në Prishtinë është që stadiumi i qytetit të përgatitet për të plotësuar kriteret që i kërkon FIFA e UEFA. Drejtues të FSHF-së dhe të FFK-së janë skeptikë se kjo mund të bëhet, ndërsa zyrtarët e Prishtinës thonë se nëse gjejnë përkrahje financiare kriteret do t’i plotësojnë brenda 45 ditëve.
Mediumeve rumune nuk iu ka pëlqyer ideja që përfaqësuesja e këtij vendi të luajë në Prishtinë. Sipas tyre, rumunët janë të padëshiruar në Kosovë.
Gazeta “Prosaport” ka shkruar të shtunën për besnikërinë e tifozëve nga Kosova ndaj Kombëtares shqiptare. Sipas gazetës rumune, në ndeshjet e kombëtares shqiptare në tribuna ka më shumë tifozë nga Kosova sesa nga Shqipëria.
“Rumania do të luajë ndeshjen si mysafir me Shqipërinë në Kosovë, në stadiumin e qytetit të Prishtinës. Edhe pse stadiumi nuk i plotëson kriteret e FIFA-s, Shqipëria shpreson të zhvillojë ndeshjen në Kosovë, ku tifozët janë të njohur për atmosferë të zjarrtë”, shkruan “Prosport”. “Ndeshja paraqet rrezik të madh në kuptimin e sigurisë, pasi Kosova është ende një zonë konflikti. Tifozët nga Kosova janë shumë të lidhur me ekipin e Shqipërisë. Ata shkojnë në numër shumë të madh për ta përcjellë Shqipërinë në Tiranë”.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka thënë se kanë mbetur vetëm edhe disa detaje për të konfirmuar se ndeshja mes Shqipërisë dhe Rumanisë do të luhet në Prishtinë.
“Kanë mbetur të zgjidhen edhe disa probleme atje për të luajtur në stadiumin e Prishtinës”, ka thënë shkurt Duka, përcjell gazeta rumune.
Comments are closed.
TE CVLERSOJE DHE RUMUNI KATASTROFE FARE QE RUMANIA ESHTE VENI ME LLUMBE NE EUROPE DO ME PELQENTE TE LUHESH NE PRISHTINE DHE BESOJE SE DO LUHET