Trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, në vigjilje të ndeshjes me Breshian, ka thënë se një fitore e mundshme, do të ishte një hap i rëndësishëm i kuqezinjve për fitimin e titullit kampion. “Në Breshia luajmë ndeshjen e kampionatit, atë më të rëndësishmen. Në rast se fitojmë, do të bëjmë një hap të madh përpara për fitimin e titullit”, ka thënë Alegri. Megjithatë, ky i fundit ka kërkuar përqëndrim maksimal nga ekipi i tij, pasi sipas Alegrit, “Breshia është në një formë të mirë fizike dhe për këtë arsye duhet që t’i respektojmë kundërshtarët”. Ndërkohë, Alegri pavarësisht mungesave të Ibrahimoviç dhe Pato, ka shprehur besim tek dyshja sulmuese Kasano-Robinjo, që do të aktivizohet në ndeshjen e sotme që nga minuta e parë. “Kasano dhe Robinjo, së bashku me Boateng, e kompletojnë sulmin tonë. Kasano është duke kaluar një moment të mirë, është normale që nga ai të kërkoj gjithmonë e më shumë. Si të gjithë lojtarët e mëdhenj, shpesh ai vihet në diskutim dhe kërkohet që të luajë në mënyrë madhështore në të gjitha ndeshjet, por kjo është thjesht e pamundur. Jam shumë i kënaqur me të dhe mendoj që ka qenë determinant për Milanin në ndeshjet e fundit”, ka thënë Alegri. Ky i fundit ka dhënë edhe një mendim për klasiken Real-Bercelona: “Ishte një ndeshje shumë e bukur, Milani nuk është shumë larg Realit dhe Barcelonës. Megjithatë, ndeshjet në kampionatet e huaja janë më të bukura se ato në kampionatin italian”.