Leonardo: Nëse Murinjo vendos të rikthehet, do i hap rrugën

22 Prill 2011, 20:10Sport TEMA

Trajneri brazilian i Interit, Leonardo, i ka hapur rrugën një rikthimi të mundshëm të portugezit Hoze Murinjo në krye të Interit, në rast se ky i fundit e dëshiron një gjë të tillë.

“Nuk është momenti që të bëjmë procese, kemi ende objektiva të rëndësishme për të arritur. Është normale që të flitet akoma për Murinjon. Nëse një ditë vendos që të rikthehet tek Interi, do të isha i pari që do i thosha po”, ka deklaruar tekniku aktual i Interit në prag të ndeshjes së rëndësishme me Lacion. Pavarësisht kësaj, Leonardo është i përqëndruar tek e tashmja dhe tek sfida e sotme kundër Lacios.

Por, pavarësisht kësaj, Leonardo ka lëshuar fjalë vlerësuese ndaj portugezit. “Tek Interi flitet akoma për Hererën. Kështu që është normale që të flitet për Murinjon, i cili fitoi me Interin gjithçka vetëm një vit më parë”, ka thënë Leonardo, që ka kërkuar vazhdimësi nga ekipi i vet, pasi sipas tij, Interi duhet të kapë vendin e dytë, duke qenë se ndodhet vetëm dy pikë larg Napolit.

Lamtumira nga lufta për titullin kampion dhe eleminimi i turpshëm i Interit në Ligën e Kampioneve, ka bërë që gjithmonë e më shumë të flitet për rindërtimin e ekipit. Por, Leonardo nuk mendon kështu. “Flitet për përforcime, por ne jemi të përqëndruar në objektivat e tanishme. Ky ekip ka arritur rezultate shumë të mira deri tre javë më parë, kështu që më duket e ekzagjeruar që të flitet për revolucion. Përveç kësaj, të gjitha ato që fliten lartë e poshtë, nuk janë të vërteta”, ka thënë Leonardo, duke iu referuar lajmeve të mediave italiane, që flasin për largime të shumta nga Interi gjatë merkatos së kësaj vere. Braziliani ka thënë se në momentet deçisive të sezonit, në ndeshjet me Milanin dhe Shalken, Interi nuk ka qenë në formën më të mirë të mundshme, sidomos nga ana fizike. Megjithatë, ai ka kërkuar që të justifikohet për dështimet, duke thënë se humbjet nuk mund të ndodhin vetëm për faj të një zëvendësimi apo lëvizje taktike.

Ndërkohë, në lidhje me ndeshjen e sotme, Leonardo ende nuk e ka vendosur formacionin përfundimtar, për shkak të dyshimeve mbi gjëndjen fizike të disa lojtarëve. “Për Samuel Eto ka disa probleme, duke parë dhimbjet që ndjen në kavilje. Megjithatë, të shohim. Më të pakta janë mundësitë ndërkohë për aktivizimin e Motës”, ka deklaruar Leonardo. Ky i fundit ka folur edhe për Xhiampaolo Pacinin, i cili në ndeshjet e fundit ka qenë në formë të dobët dhe nuk ka mundur që të shënojë: “Nuk besoj se ka ndonjë problem në lidhje me rendimentin e tij. Një sulmues ka nevojë për punën e ekipit, në mënyrë që të shënojë”.

Mediat italiane e kanë vënë në dyshim vazhdimin e drejtimit të Interit nga braziliani Leonardo. Masimo Morati duket se është vënë në kërkim të një zëvendësuesi të tij dhe objektivi kryesor i presidentit zikaltër është që të rikthejë në krye të Interit portugezin Hoze Murinjo. Medita italiane thanë pak ditë më parë se portugezi i ka regjistruar fëmijët në një shkollë afër qendrës stërvitore të Interit, por Morati e ka mohuar një rikthim të mundshëm të Murinjos. Gjithsesi, Morati do të presë përfundimin e kampionatit, për të marrë një vendim në lidhje me Leonardon. Në rast se ky i fundit do të arrinte që ta rendiste ekipin në vendin e dytë dhe do të fitonte Kupën e Italisë, ndoshta Morati do ta rikonfirmojë Leonardon edhe për një vit në krye të Interit.

 

Lini një Përgjigje