Tifozët kuqezi: E duam kombëtaren me çdo kusht në Prishtinë

23 Prill 2011, 12:01Sport TEMA

Duhet lëvizur çdo gur, duhet bërë gjithçka, që kombëtaren kuqezi ta shohim në Prishtinë. Me një fjalë, këtë punë duhet çuar deri në fund dhe duhet t’i dalim zot, pasi që shqiptarët e kanë një kombëtare, ka thënë Burim Hana, njëri prej prijësve të “Tifozëve kuqezi”, grup ky i tifozëve që në dekadën e fundit e përcjell dhe mbështet kombëtaren e Shqipërisë, kudo që ajo është paraqitur.

Mundësia e zhvillimit të ndeshjes me Francën në stadiumin e qytetit në Prishtinë i ka ngacmuar keq shpirtrat në mesin e kosovarëve. “Kjo do të ishte një dhuratë e jashtëzakonshme dhe një nder i madh për gjithë popullin e Kosovës”, tha Hana.

“Një komb, një kombëtare… O sa mirë me qenë shqiptar… janë thëniet që do të tregonin gjithçka se a jemi për të parë kombëtaren tonë në Prishtinë”.

“Shqiptarët e kanë një kombëtare dhe nëse jo në Tiranë, ajo normalisht që duhet të luajë në Prishtinë, nëse ofrohet një mundësi e tillë. Dhe jam i bindur se nuk ka njeri që mendon ndryshe”.

Një ditë më parë krerët e FC Prishtinës kishin deklaruar se kanë marrë një shkresë nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) se ajo është e interesuar që Shqipëria t’i luajë ndeshjet e ardhshme në Prishtinë, nëse stadiumi i plotëson kriteret e kërkuara.

Sinjale të forta kishin ardhur edhe nga vetë kreu i FSHF-së, Armand Duka. Mirëpo, menjëherë kanë pasuar edhe deklarimet e zyrtarëve të FFK-së dhe Ministrisë së Sportit se ka pak gjasa që të realizohet ky projekt.

Sekretari i FFK-së Eroll Salihu ka thënë se kjo është qesharake, e ministri i Sportit Memli Krasniqi është ankuar se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për renovimin e stadiumit.

“Më ka befasuar deklarata e tillë e zyrtarëve të Federatës së Futbollit të Kosovës, se një ide e tillë është e parealizueshme dhe qesharake. Nëse dikush është qesharak këtu, atëherë vetë ata janë qesharakë, kur mendojnë kështu”, tha Hana.

“Nëse Federata thotë me plot gojën se janë për pranim në UEFA e FIFA, atëherë duhet të përkrahin këtë ide, pasi që është edhe në të mirë të tyre, sepse nesër edhe vetë Kosova është e detyruar t’i zhvillojë ndeshjet në një stadium që i plotëson kushtet ndërkombëtare”.

“Jo veç FFK-ja, por edhe të gjitha institucionet e Kosovës dhe tërë populli i Kosovës duhet të qohet në këmbë që ta bëjnë gati stadiumin dhe që me dinjitet ta përkrahim kombëtaren tonë. Paratë duhet të gjinden gjithsesi, se është rendi me ardhë Shqipëria me luajt në Prishtinë, edhe pse për ‘Tifozat kuqezi’ është njësoj se ku luan ajo. Ku është kombëtarja jonë, edhe ne do të jemi aty”.

Gazmend Dalipi është shtangur kur ka dëgjuar për mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve të Shqipërisë në Kosovë. “Kishte me qenë fenomenale. Unë ma së pari s’po mundem të besoj se mund të ndodhë kjo”, tha Dalipi, i cili viteve të fundit ka përcjellë me dhjetëra ndeshje të kombëtares shqiptare.

“Kjo ide më ka ‘smu’. Ku e kemi fatin me na ardhur ata e me na nderu. Kishte me qenë një atmosferë e trentë”. “Kjo kishte me qenë qershia mbi torte, kulmi i kënaqësisë për të gjithë ne”.

Dalipi i kujton ditët e para kur tifozët nga Kosova kishin filluar të mbështesin kombëtaren kuqezi dhe dëshirën e tyre që një ditë ta bëjnë këtë në Prishtinë.

Anglia, Irlanda, Rusia, Rumania, Ukraina, Suedia, Greqia në Tiranë dhe tashti Franca në Prishtinë. “Para dhjetë viteve me iniciativën e disa shokëve dhe përfaqësuesve të grupeve të tifozëve ishim mbledhur dhe kishim marrë vendim që të shkojmë të përkrahim Shqipërinë. Kishim shkuar një herë, dy herë dhe deri në ditët e sotme nuk jemi ndalur. Bile as që do të ndalemi”, tha Dalipi.

“Sa shpenzime i kemi bërë, lodhje dhe kemi harxhuar gjithë atë energji të udhëtuar në Tiranë. Paramendojeni që lojtarët e kombëtares t’i kemi në Prishtinë. Këtu ata do të kishin dhjetë fish përkrahje më të madhe”.

“Këtu duhet shteti me u kyç fort, me të tona mjetet. Po i shohim ndeshjet e ligave të huaja, po i shohim njerëzit e politikës, pra është mirë që t’i shohim edhe përfaqësuesit e sportit, për një qëllim, për të qenë të bashkuar”, tha Dalipi./zëri/

4 komente në “Tifozët kuqezi: E duam kombëtaren me çdo kusht në Prishtinë”

  1. gerti79 says:

    do ishte zgjidhja me me mire e mundshme per te shperblyer ata tifoza qe vijne nga Kosova e Maqedonia per te ndjekur kombetaren.

  2. lira says:

    Megjise femer po me ka bere pershtypje qe ne ndeshje te kombetares tifozet e ardhur nga Kosova japin mbeshtetje lojtareve me shume shpirt qofte dhe kur ata nuk jane ne forme te mire. E meritojne te behet ndeshja ne Prishtine.

  3. hajriu says:

    ESHTE MINIMUMI QE MUND TI BEHET TIFOZEVE KOSOVAR.
    NDESHJA PATJETER TE BEHET NE PRISHTINE . T U N G

  4. Sofi says:

    Shpresoj te behet ne Prishtine (!) e te mos i fus kush shkopinj nen rrota nga keta te federatave…

Comments are closed.

Lini një Përgjigje