Sezoni i ardhshëm i Ligës së Europës pritet që të jetë i mbushur me ekipe të mëdha. Nëse nga Italia “rrezikojnë” që në këtë kompeticion të luajnë Juventusi dhe Roma, edhe në vendet e tjera, ekipe të rëndësishme pritet që t’u bashkohen atyre. Në krye të këtyre ekipeve ndodhet Bajerni i Mynihut, që vetëm një vit më parë luante në finalen e Ligës së Kampioneve, ndërsa këtë vit është duke luftuar me Hanoverin për vendin e tretë në kampionat. Por, në këtë listë bëjnë pjesë edhe Liverpuli, Mançester Siti, Olimpiku i Lionit, Sevilja etj.
Gjërat janë më shumë të hapura pikërisht në Serinë A dhe Bundesligë, kampionatet që po shënojnë më shumë surpriza përsa i përket luftës për kualifikimet në kompeticionet europiane gjatë sezonit të ardhshëm. Tre javë nga fundi i kampionatit, Bajerni nuk mund t’i lejojë vetes hapa të tjerë fals. Bavarezët nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse të luftojnë për vendin e fundit të podit që ka mbetur i lirë, në mënyrë që ky sezon të mos përbënte një nga dështimet më të mëdha të këtyre viteve të fundit. Kjo nuk do të jetë shumë e lehtë, edhe pse Bajerni ka një kalendar më të lehtë se rivalët e Hanoverit.
Nuk mund të bëjë llogari Juventusi në Serinë A, që duket se për të dytin vit me radhë do të kënaqet vetëm me një pjesmarrje në Ligën e Europës. Edhe pse kjo gjë nuk do të jetë e thjeshtë, duke qenë se për momentin Juventusi është jashtë diskutimit edhe për pjesmarrjen në Ligën e Europës. Roma mund të ketë pak më shumë shpresa që të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. Megjithatë, vardhekuqtë do ta kenë të vështirë, duke qenë se përpara kanë Lacion dhe Udinezen, me katër pikë më shumë dhe tashmë kanë mbetur vetëm katër javë për t’u luajtur. Për më tepër që Roma nuk është duke kaluar një formë të mirë.
Në Angli ndërkohë, Mançester Junaited, Çelsi dhe Arsenal, kanë “shpëtuar”. I vetmi ekip që rrezikon është Mançester Siti i Roberto Mançinit, që, ështu si dhe në sezonin e kaluar, duhet t’i bëjë llogaritë më Totenhemi për një pjesmarrje në Ligën e Kampioneve. Siti ka një pikë më shumë se Totenhemi, por edhe një ndeshje më pak dhe shpresat që sezonin e ardhshëm të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve janë të mëdha. Megjithatë, duhet të ketë kujdes, pasi në Angli askush nuk të falë gjë. Për Liverpulin duket se diskutimet janë mbyllur dhe pjesmarrja në Ligën e Kampioneve është pothuajse e pamundur. “Të kuqtë” duhet që të kënaqen edhe këtë sezon me kualifikimin në Ligën e Europës, për shkak të një fillimi kampionati shkatërrues nën drejtimin e Rei Hodgson.
Në Spanjë, duket se llogaritë janë mbyllur dhe, përveç të zakonshmeve Barcelona dhe Real, këtë vit në Ligën e Kampioneve do të marrin pjesë edhe Valencia dhe Vilareal. Nga ekipet e mëdha mbeten jashtë Sevilja dhe Atletiko Mardid, që duhet të kënaqen vetëm me Ligën e Europës. Edhe pse duhet thënë se Sevilja ka një shpresë, por mundësitë janë shumë të pakta.
Pra, një pjesë e mirë e ekipeve të mëdha, jo vetëm në Itali, por edhe në kampionatet e tjera, nuk janë duke kaluar një formë të mirë. Ndoshta kjo do të ndikojë pozitivisht për Ligën e Europës, e cila me pjesmarrjen e tyre mund ta risë prestigjin e vet dhe pse jo, të konkurrojë me Ligën e Kampioneve për nga emrat e ekipeve pjesmarrëse dhe cilësia e tyre.