PODESTA është një kompani lobingu që ofron shërbime për qeveri e për organizata të ndryshme që duan të ndikojnë politikat në Uashington, ose që duan të rregullojnë e të përmirësojnë komunikimin me njerëz kyç të administratës amerikane.
Kontrata e PODESTA me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë ka një kosto prej 720.000 dollarësh, plus pagesat e shpenzimeve. Në pikën 6 të kësaj kontrate shkruhet se kontratë-lidhës është Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe emri e titulli i zyrtarit përgjegjës për këtë marrëdhënie është… Lulzim Basha, Ministër i Brendshëm.
Qëllimi i lidhjes së kësaj marrëdhënie mes Qeverisë Shqiptare dhe PODESTA, siç sqarohet në kontratë është që “të forcojë lidhjet mes Republikës së Shqipërisë dhe institucioneve të SHBA-ve”. Në parim, kjo kontratë është një kontratë lobingu.
Problemi është se kjo kontratë përmban emrin e Bashës si Ministër i Brendshëm, dhe si person përgjegjës për kontaktin me kompaninë e lobingut. Nga kjo kuptohet se Basha vijonte të ruante postin e tij në ekzekutiv edhe para se të hynte në garë për Bashkinë e Tiranës, po nga ana tjetër lindin dyshime të forta për përdorim të lobbying-ut nga ana e Lulzim Bashës, për të siguruar mbështetje personale apo partiake në fushatë, prej përfaqësuesve të SHBA në Shqipëri.
E gjithë kjo e bën garimin e Lulzim Bashës së paku një garim të pandershëm, e ndoshta, të paligjshëm. Kjo kontratë paguhet nga taksat e qytetarëve të gjithë Shqipërisë. Natyrisht që detajet e marrëdhënies mes Këshillit të Ministrave të përfaqësuar nga Lulzim Basha dhe kompanisë së lobbyingut, PODESTA GROUP, do të jetë e vështirë t’i mësojmë, duke qenë se në kontratë parashikohet ruajtja e informacionit si sekret, sipas kërkesës së Qeverisë Shqiptare.
Por, për hir të transparencës ndaj publikut e ndaj votuesit, presim nga kandidati Basha
së paku të sqarojë pozicionin e tij, a ka vijuar të jetë Ministër i Brendshëm edhe pas 24 marsit, siç vërtetojnë dokumentat që ne po botojmë?
Basha, kandidat apo ministër?
Në 24 mars Lulzim Basha ka paraqitur publikisht dorëheqjen e tij nga posti qeveritar që mbante, ai i Ministrit të Brendshëm, ndërkohë që ka hequr dorë dhe nga mandati i deputetit. Në datën 25 mars, ky lajm është botuar në të gjitha të përditshmet shqiptare, ndër të cilat, ato që janë më pranë qeverisë nuk hezituan të lavdëronin këtë akt të kulturuar e të qytetëruar të Bashës, i cili zbatoi ligjin duke dhënë dorëheqjen nga postet
publike, para se të kandidonte për pushtetin lokal si përfaqësues i Partisë Demokratike në garën për Bashkinë e Tiranës.
Mirëpo nuk është krejt kështu. Ashtu si me shumë detaje të jetës së vet, dokumentat bien në kontradiktë me deklaratat e Lulzim Bashës, i cili ka vazhduar të jetë ministër jo vetëm formalisht, por edhe efektivisht përtej kësaj date.
Kësaj radhe këtë e vërteton një dokument i regjistruar pranë Departamentit të Drejtësisë së SHBA-ve, më saktësisht pranë Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA – Foreign Agents Registration Act). Ky dokument është një kontratë e lidhur mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që siç shkruhet qartë në dokument, përfaqësohet nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, dhe kompanisë PODESTA
GROUP INC., një kompani private që ofron shërbime lobingu në Uashington.
Dokumenti është regjistruar pranë Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) në datën 15 prill 2011 (pra mbi tre javë pas “dorëheqjes së Bashës”), ndërkohë që mes
palëve, pra mes Këshillit të Ministrave, dhe PODESTA GROUP INC., kontrata është lidhur në 4 prill, pra gjithsesi 11 ditë pas dorëheqjes së Bashës.
Edhe kësaj radhe, deklaratat e Bashës rezultojnë të pavërteta, edhe pse kandidati i PD vijon të shfajësohet duke ia hedhur fajin ngatërresave. Kësaj radhe, “Shekulli” vendos t’ia bëjë punën më të lehtë Lulzim Bashës, dhe t’ia sugjerojë vetë shfajësimin. E vetmja mundësi është që të na mbushë mendjen që kësaj radhe ka gabuar kryeministri Berisha, që e ka ngarkuar Lulzimin si përfaqësues të qeverisë edhe pas dorëheqjes së tij.
Ç’është FARA (Foreign Agents Registration Act)?
Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj është një ligj amerikan i vitit 1938, i cili është ende në fuqi, dhe kërkon regjistrimin e të gjitha agjensive me veprimtari politike, që veprojnë në SHBA në emër të një pale të huaj, që mund të jetë qeveri, korporatë apo organizatë me qendër jashtë SHBA.
Qëllimi i këtij regjistrimi është që të informojë publikun amerikan mbi të gjitha proceset e lobbyingut që ndodhin pranë institucioneve amerikane, në mënyrë që të dihet se kush po përpiqet të influencojë opinionin e tyre, dhe për ç’qëllim. Ky proces regjistrimi menaxhohet nga Departamenti i Shtetit për Drejtësi, dhe veprimtaria paraqitet në mënyrë transparente për publikun në www.fara.gov.
Shekulli
Comments are closed.
Kjo kontrate shpjegon fare qarte e pa asnje dyshim qendrimin e ambasadorit privat te SHBA ne vendin tone, ne mbeshtetje te halelleqeve te Sal-iut. Dhe te mendosh se ky pazar i pandershem, ne favor te qeverise se korruptuar e ne dem te popullit, eshte bere me parate e taksapaguesve, te majte e te djathte, pa i pyetur ne se e duan apo jo kete lobing ne interes te aferave korruptive te nje palo diktatori. Nuk ka ndodhur, ne keta 20 vjet, qe te kete nje pakenaqsi e negativitet me te madh se sa keto 3-4 muajt e fundit, ndaj politikes qe ben, ne emer te SHBA, nje ambasador dallaveraxhi i blere me parate e popullit shqiptar per te pastruar halene e Sal-iut e te Lul-it te tij. Nuk ka ndodhur, ne asnje rast, gjate viteve te tranzicionit, qe te kete nje pakenaqsi kaq te larte ne gjirin e shumices se shqiptareve per politikat e SHBA. Dhe duhet thene me ze te larte qe ka shume njerez qe per te gjitha keto bejne fajtor SHBA e jo ambasadorin. Jam 100% i bindur se kete fryme pakenaqsie e ka injektuar pak nga pak, qysh prej 1996 Sal-iu me politiken e tij te mbrapshte e hakmarese.