Disa të dhëna flasin për rreth 150 mijë rom në Shqipëri. Të tjerë thonë se janë shumë më pak. Një bashkëjetesë në dukje e qetë që është tronditur nga një incident i rëndë. Por çfarë dimë për romët, jetën e tyre dhe perspektivat për të ardhmen. Kjo dosje e “Free Press” përpiqet të hedhë pak dritë mbi një komunitet të rëndësishëm, por shpesh dhe të diskriminuar
Nga Fatma Myrte, Free Press
Shqiptarët janë një popull mikpritës me histori të lashtë. Bashkëjetesa e tyre me popullatën rome ka qenë e vjetër dhe e qetë. Romët jetojnë në një pjesë të mirë të Ballkanit dhe sigurisht nuk do të kishin qëndruar në Shqipëri sikur të mos e kishin ndierë veten mirë. Por një gjë është e vërtetë. Komuniteti rom është më i varfri në Shqipëri. Ata janë të përqendruar kryesisht në periferi të qyteteve të mëdha dhe jetojnë me lëmoshën e të tjerëve. Romët janë minoritet për Shqipërinë sepse flasin gjuhën e tyre dhe kanë mënyrën e tyre të jetesës. Shumë romë e quajnë veten shqiptarë, dhe nuk shohin ndonjë shenjë diskriminimi. Por jo çdo gjë shkon mirë. Djegia e banesave të romëve tek Stacioni i Trenit ishte një ngjarje e rëndë që solli në vëmendjen e secilit qasjen që kemi ne si shoqëri e si shtet ndaj këtij komuniteti.
Pak histori
Shumë histori janë thënë për origjinën e romëve. Vetë faktet gjuhësore flasin për origjinën e tyre indiane. Megjithëse ata e filluan lëvizjen e tyre në shekullin e XI, nuk dihet pse u detyruan të bëjnë këtë lëvizje nga India. Gojëdhënat flasin për ngjarje të ndryshme: Në fillim romët ishin banorë të Atlantës dhe pas një përmbytje, ata u detyruan të largohen. Në këtë mënyrë u përhapën në të gjithë botën. Një tjetër gojëdhënë tregon se romët jetonin në një mbretëri të madhe dhe mbreti i tyre ishte shumë i egër me popujt fqinj, të cilët u bashkuan dhe i hapën luftë. Me fitimin e luftës ata vendosën të vrisnin mbretin dhe të falnin popullin e tij me kusht që ky i fundit të largohej sa më larg që të ishte e mundur nga vendbanimet e tyre. Por ekziston edhe një tjetër gojëdhënë që tregon se India u sulmua nga një mbret i fesë myslimane. Indianët e atëhershëm u bashkuan dhe krijuan një ushtri të madhe me popuj dhe fise të ndryshme. Kjo ushtri e madhe luftoi për shumë shekuj kundër forcave myslimane duke i shtyrë ato gjithmonë e më shumë drejt perëndimit, por gjithashtu edhe duke u larguar vetë gjithnjë e më shumë nga India. Kjo luftë në shekullin e XI në të vërtetë njihet edhe nga historia.
Simbolet
Në të vërtetë kombi rom ka himnin dhe flamurin e vet. Këto simbole u vendosën në Kongresin e parë Rom. Ky kongres u mbajt në Londër në 8 Prill 1971. Për këtë arsye dhe 8 Prilli është cilësuar si dita e romëve. Aty u vendos flamuri rom gjysëm i gjelbër (simbol i tokës), gjysëm blu (simbol i qiellit) dhe një rrotë e kuqe në mes që simbolizon lëvizjen. Kënga që tregon himnin e tyre është “Gelem, gelem” që do të thotë “shkova, shkova’. Më parë nuk ekzistonte një alfabet i gjuhës rome. Katër Kongreset që janë mbajtur deri tani vendosën për një alfabet të gjuhës rome dhe për vendosjen e një termi të saktë të tyre. Kjo datë festohet në të gjithë botën. Një tjetër datë që festohet nga ky komunitet është dhe 6 maji. Kjo është një ditë e shënuar ku njerëzit zgjohen në tre të mëngjesit dhe lahen në lum. Ky rit tregon se jeta e tyre duhet të rrjedhë si uji i lumit.
Kultura rome…
Origjinën e tyre indiane e tregon dhe kultura orientale. Për disa njerëz romët shihen si njerëz pa një identitet, si endacakë. Por të paktë janë ata njerëz që vlerësojnë shpirtin e tyre. Shpesh të bardhët ose gaxhonj siç i quajnë ata, i shohin si njerëz pa nivel, të veshur ndryshe dhe që flasin një gjuhë të huaj. Ky popull me shpirt të lirë ka luftuar për të drejtat e tyre. Për të ruajtur lirinë nuk i janë nënshtruar asnjë ligji, mbreti apo regjimi për shekuj me radhë, ndonëse shpesh këtë liri e kanë blerë shumë shtrenjtë me varfëri të tejskajshme dhe paragjykime nga të gjitha anët. Ata janë një popull i mahnitshëm, të cilit i është dhënë dhuntia e muzikës dhe kërcimit, jetojnë për momentin dhe nuk i bën përshtypje se çfarë thonë apo mendojnë të tjerët, u pëlqen të zbusin kafshët: arinjtë dhe kuajt; u pëlqen të udhëtojnë dhe të jenë të mistershëm, u pëlqejnë ngjyrat dhe janë tepër romantikë. Por mbi të gjitha janë shumë mikpritës. Me fukarallëkun e tyre dhe me ahengun në gjak, mundohen të presin mikun.
Martesa të hershme dhe shumë fëmijë…
Një martesë në moshë të vogël është një traditë që romët e kanë të trashëguar. Vajzat në qoftë se kalojnë moshën 15 vjeç mund të quhen të lëna. Martesa dhe tradita e dasmave është një ritual që sjell alegri në fisin e tyre. Por mbi të gjitha fëmijët janë gëzim. Tradita e tyre e do që familja të ketë shumë fëmijë. Me gjithë kushtet e vështira të jetesës, çiftet e reja nuk ja mohojnë vetes një familje të madhe. Por është për të ardhur keq kur i sheh këta fëmijë duke lypur rrugëve të qytetit. Të duken jetim dhe pa përkrahje. Ky është një zakon që për shumicën e tyre nuk është e vështirë. Fjala mjek është e vështirë të konceptohet në mendjen e tyre. Pak nga varfëria dhe pak nga mosdija. Romët kanë marrë fenë e vendit në të cilën ata janë vendosur.
“Më vjen keq që nuk kemi një përfaqësues në parlament”
Romët kanë shoqatat e tyre të cilat përpiqen për integrimin e tyre në shoqëri. Kjo është një përpjekje, e cila ka filluar që me shpalljen e demokracisë. Në një bisedë të zhvilluar me kryetarin e shoqatës Bashkimi Demokrati i Romëve në Shqipëri, Guralin Mejdani, arritëm të mësojmë më shumë për këto përpjekje.
“Unë jam presidenti i romëve shqiptarë dhe anëtari i Parlamentit të Unionit Kombëtar të Romëve në botë. Kjo shoqatë është krijuar në 14 maj të vitit 1991 me emërtimin Bashkimi Demokrat i Romëve në Shqipëri. Që në momentin e krijimit, shoqata jonë ka bërë shumë aktivitete të ndryshme kulturore, por që synojnë të përmirësojnë jetën sociale të romëve. Nëpërmjet aktiviteteve tona kulturore kemi bërë jehonë për gjuhën, traditën dhe kulturën tonë. Kjo punë është realizuar nëpërmjet asambleve, këngëve dhe valleve.
Shoqata jonë ka bërë një organizim të romëve të Shqipërisë. Kjo shoqatë ka rreth 6 mijë anëtarë, të cilët janë pajisur me një kartë anëtarësimi. Me gjithë përpjekjet tona në vitin 1995 nxorëm një gazetë, e cila nuk mundi të rezistojë gjatë. Edhe synimi i kësaj gazete ishte të paraqiste problemet sociale dhe kulturore të romëve të Shqipërisë. Pasi u mbyll gazeta, ne krijuam një revistë e cila mundi të mbijetojë deri në vitin 2005. Për shkak të mungesës së fondeve ne nuk kemi pasur mundësi të vazhdojmë. Kjo jo vetëm për gazetën, por edhe për shumë gjëra të tjera. Ne kemi pasur edhe një ekip sportiv që quhet Amarodires. Shoqata jonë synon integrimin e barabartë të romëve në shoqërinë shqiptare. Por mbi të gjitha ne duam që të afrojmë shoqërinë rome me shoqërinë evropiane. Ne duam që edhe romët të bëjnë një jetë si gjithë të tjerët. Shumica e romëve janë në dijeni për të drejtat e tyre dhe luftojnë që t’i plotësojnë këto të drejta. Ata e dinë se ekzistojnë edhe shoqëri që i mbron këto të drejta. Romët sot janë në një nivel që dihet nga e gjithë shoqëria shqiptare.
Ne jemi përpjekur herë pas here që të ngremë zërin në media të ndryshme dhe për ti bërë sa më të dukshme problemet e romëve. Megjithatë unë mund të them se situata po ndërgjegjësohet dalëngadalë. Me punën tonë njëzet vjeçare, dhe duke qenë se e kemi marrë situatën nga zeroja, mund të them se ka arritur deri diku në një nivel të duhur. Mua më vjen keq sepse niveli i arsimimit është ai që ndihmon njerëzit. Për romët ky nivel është pak i ndërlikuar dhe kjo situatë është për shkak të problemeve ekonomike që ata kanë. Por kjo situatë ka ndryshuar me kalimin e viteve. Sot ka shumë familje rome që janë mirë nga gjendja ekonomike dhe fëmijët e tyre janë të arsimuar. Aty ku ekonomia është e dobët, dihet se edhe arsimimi është shumë i dobët. Mentaliteti i romëve ka qenë më i prapambetur, por gradualisht ka ardhur duke ju afruar shoqërisë së sotme.
Shumë veta kanë filluar të kuptojnë rëndësinë e shkollës dhe mësojnë. Edhe fëmijët e vegjël kanë filluar të shkojnë nëpër kopshte. E gjitha kjo falë një pune të madhe që po bëjmë të gjithë ne. Ekzistojnë edhe disa shoqata të tjera që merren direkt me arsimimin e romëve dhe kjo është gjë shumë e mirë. Unë si president i shoqatës kam marr pjesë në tre kongrese dhe jam përpjekur të çoj zërin e shqiptarëve në botë. Për sa i përket nivelit shëndetësor mendoj se është një problem si për të gjithë shqiptarët. Por tek romët ndikon pak më shumë dhe ekonomia shumë e dobët. Kudo që të shkosh po nuk pate lek nuk ke çfarë të bësh. Sot është tregu dhe jeta që i bën gjërat e vështira për të gjithë. Ne jemi një popull vital që vijmë nga toka indiane. Shpërndarja e romëve nëpër Evropë u bë së bashku me pasurinë kolosale që ata kishin. Më parë romët kanë qenë një komb shumë i arsimuar. Për shkak të luftës u vra e gjithë ajka e romëve.
Si të gjitha gjuhët e tjera dhe gjuha jonë shkruhet dhe lexohet. Të rinjtë e sotëm e dinë këtë gjuhë sepse e kanë të trashëguar nga prindërit e tyre, por ne kemi hapur dhe kurse. Këtë e kemi bërë në ato zona të Shqipërisë ku ka më pak romë, pra ku janë me pakicë. Këtë e kemi bërë për të mos asimiluar gjuhën tonë. Ndërsa atje ku romët janë të dendur dhe flasin gjuhën e tyre, kemi ngritur kurse parashkollore për gjuhën shqipe. Ne duam që fëmijët tanë të jenë të barabartë me të tjerët. Gjuha e romëve quhet “romisht”. Romët janë përhapur në të gjitha viset e Shqipërisë. Popullsia rome ka virtuozët më të mëdhenj të muzikës. Instrumentet e tyre të preferuar janë gërneta, daullja. Më parë shumica e romëve merreshin me thurjen e kanistrave, sitave, me tregti, bujqësi. Në përgjithësi në Shqipëri nuk ka diskriminim, por dihet se në mënyrë individuale mund të ketë. Ne kemi bërë një punë të mirë. Sot nuk është më imazhi i atij romit të dikurshëm që lëvizte sa në një vend në një tjetër me çadrat e tyre. Sot romët janë të regjistruar në vendet ku jetojnë. Ata vazhdojnë jetën e tyre normale me punën dhe aktivitetet e përgjithshme që bëjnë për të jetuar. Romët si gjithë qytetarët e tjerë votojnë sipas dëshirave të tyre. Më vjen keq sepse deri më sot nuk kemi një përfaqësues në parlament.