Në fund të çdo sezoni, ekipet bëjnë vlerëzimet e tyre për arritjet dhe dështimet. Eurosport.it ndërkohë ka bërë një renditje me 10 lojtarët që kanë dështuar gjatë këtij sezoni me paraqitjet e tyre në fushën e lojës. Përzgjedhja është bërë në lidhje me atë që pritej të jepnin dhe atë që kanë dhënë këta lojtarë. Ja se cilët janë dhjetë lojtarët të cilët kanë zhgënjyer gjatë këtij sezoni.
10. Tomas Kraft
Që prej tërheqjes nga futbolli i luajtur i Oliver Kan, Bajerni nuk ka mundur dot që të gjejë një pasues të denjë të tij. Luis Van Gal, gjatë këtij sezoni vendosi që të aktivizonte në portë Tomas Kraft, por ky i fundit nuk bindi. Gafat e tij në ndeshjen ndaj Hanoverit, e cila u humb 3-1, rrezikoi seriozisht pjesmarrjen e Bajernit të Mynihut në Ligën e Kampioneve. Duke parë sezonin zhgënjyes të tij, Bajerni ka vendosur që të afrojë në ekip Maneul Nojer, në mënyrë që ta zgjidhë përfundimisht problemin e portës.
9. Laurent Koscielny
Siç ndodh gjithmonë, Arsenali ka ofruar një futboll spektakolar edhe gjatë këtij sezoni, por në fund nuk ka arritur dot që të marrë asnjë titull. Një nga arsyet e kësaj gjëje ka qenë pikërisht mbrojtja. Dihet që arsenali nuk pëlqen të luajë në mbrojtje dhe për këtë arsye nuk e ka pasur një pikë të fortë atë. Por, gjatë këtij sezoni mbrojtja e Arsenalit ka qenë e pasigurtë dhe ka lënë për të dëshiruar. Dhe, përgjegjësi kryesor për këtë ka qenë pikërisht mbrojtësi i ri francez, që është aktivizuar pothuajse në të gjitha ndeshjet me Arsenalin gjatë këtij sezoni.
8. Adriano
Kur Roma vendosi që ta riktheje në futbollin europian, shumë qenë skeptikë për brazilianin dhe vunë bast madje se ai do të dështonte. Dhe, kishin të drejtë. Pavarësisht mundësisë që ju dha, Adriano nuk mundi që ta shfrytëzonte atë, duke u larguar me turp nga Italia, pasi u aktivizua në shumë pak ndeshje. Gjynah, kur mendon se braziliani konsiderohej si një prej sulmuesve më të mëdhenj në botë, ndërkohë që e ka mbyllur futbollin e luajtur në nivele të larta në një moshë jo shumë të madhe.
7. Gurguf
Një karrierë me ulje-ngritje për mesfushorin e kombëtares italiane. Me Milanin, ai kishte shfaqur shenja të një kampioni, por nuk mundi të bindte. Kalimi tek Bordo duket se i bëri mirë dhe ai arriti që tregonte aftësitë e tij më të mira. Por, kalimi gjatë këtij sezoni tek Olimpik Lion duket se ka qenë një dështim, pasi mesfushori nuk ka mundur të tregojë atë të cilën kanë pritur tifozët prej tij. Ndoshta Gurguf nuk e përballon dot presionin që mbizotëron rreth skuadrave të mëdha!
6. Frenk Lampard
Është një nga seknatorët e Çelsit, por, nëse londinezët zhvilluan një sezon jo në lartësinë e duhur, një prej përgjegjësve kryesorë ishte pikërisht Lampard. Mesfushori i kombëtares angleze nuk mundi asnjëherë që të ishte në formë gjatë këtij sezoni, duke mos treguar asnjë prej aftësive të tij. Mund të thuhet pa frikë se ky ka qenë sezoni më i dobët që Frenk Lampard ka zhvilluar gjatë viteve të fundit në Premier Ligë. Forma e tij e mirë ndoshta do të kishte ndikuar që Karlo Ançeloti të mos shkarkohej nga ana e rusit Roman Abramoviç. Megjithatë, duhet thënë se në sezonin e Lampard kanë ndikuar edhe dëmtimet.
5. Diego Forlan
Pas botërorit të shkëlqyer të zhvilluar me Uruguajin, Forlan, ashtu siç ndodh ne fakt me shumë futbollistë, pësoi një rënie të ndejeshme fizike dhe psikologjike. Aq e madhe ishte kjo rënie, sa Forlan përfundoi në stol tek Atletiko Madrid, edhe pse kishte qenë sulmuesi kryesor i këtij ekipi. Tashmë e ardhmja e tij është e paqartë, teksa vetëm një vit më parë, pas përfundimit të botërorit të Afrikës, për të u interesuan një sërë klubesh të rëndësishme europiane. Ndoshta Atletiko tashmë do të jetë penduar për faktin që nuk e shiti sulmuesin uruguajan, nga i cili mund të merrte një shumë të konsiderueshme parash.
4. Edin Dzeko
Ishte një nga lojtarët më të kërkuar gjatë dy viteve të fundit. Milani bëri çmos për ta marrë dy vjet më parë, ashtu si dhe Juventusi sezonin e kaluar, por nuk ja arritën, për shkak të çmimit të lartë të Volfsburg. Një shumë që vetëm një ekip si Mançester Siti mund ta paguante. Dzeko kishte shënuar plot 65 gola në dy sezonet e fundit me Volfsburgun, por me Mançester Sitin shënoi vetëm 6 gola në 20 ndeshje që zhvilloi. Drejtuesit e Sitit janë të zhgënjyer me rendimentin e tij dhe tashmë janë duke vlerësuar seriozisht mundësinë që ta largojnë nga ekipi gjatë merkatos.
3. Rikardo Kaka
Ishte një largimet më të dhimbshme për tifozët e Milanit. Por, që nga largimi për tek Real Madrid, Kaka nuk ka treguar për asnjë moment aftësitë e tij, të cilat e kishin bërë lojtarin më të mirë në botë. Dëmtimet dhe vendimet teknike kanë bërë që tifozët e Realit të mos shohin Kakanë e vjetër. Gjatë këtyre dy sezoneve, sidomos gjatë këtij të fundit, Kaka ka zhvilluar shumë pak ndeshje dhe tashmë e ardhmja e tij tek Reali tashmë është vënë në dyshim serioz. Kaka ka zhvilluar vetëm 53 ndeshje në këto dy sezone, duke shënuar 16 gola.
2. Diego
Teknikisht është një lojtar që nuk vihet në diskutim. Vizioni i tij për lojën është i shkëlqyer. Por, prej dy vjetësh është duke kaluar një makth të vërtetë. Ky makth filloi kur u transferua nga Verder Bremen tek Juventusi. Pritshmëritë e tij tek bardhezinjtë ishin të mëdha, por, sezoni i dështuar i Juventusit bëri që ai të cilësohej si përgjegjësi kryesor dhe të shitej tek Volfsburgu. Gjërat shkuan akoma edhe më keq tek Volfsburgu, ekip në të cilin bëri paraqitje të dobëta, pavarësisht fillimit të mirë. Veprimet e tij i acaruan së tepërmi drejtuesit e Volfsburg. Në një rast, Diego i rrëmbeu Helmes topin nga dora, për të gjuajtur një penallti. Volfsburg ishte duke humbur 1-0 me Hanoverin dhe Diego e humbi penalltinë. Pas këtij veprimi, drejtuesit e ekipit e dënuan me 100 mijë euro. Por, më i rëndë ishte veprimi në ndeshjen e fundit, e cila ishte thelbësore për mbijetesën. Diego nuk pranoi që të ulej në stol, pas vendimit të Magat për të mos ta përfshirë atë në formacion. Për këtë arsye, tashmë ai do të largohet nga Volfsburg.
1. Fernando Tores
Dështimi më i madh i këtij sezoni. Është e vështirë që të gjesh një dështim të tillë në historinë e futbollit. Bëhet fjalë për një sulmues kampion bote, i cili në 142 ndeshje me Liverpulin kishte shënuar 82 gola. Duke u konsideruar si një prej sulmuesve më të mëdhenj, ishte kërkuar nga shume ekipe, të cilat kërkonin që ta kishin në radhët e tyre. Këtë gjë e arriti Çelsi, që shpenëzoi 50 milionë euro për sulmuesin spanjoll. Por, në 10 ndeshje të zhvilluara, Tores arriti që të shënonte vetëm një herë. Frika më e madhe e tifozëve të Çelsit është fakti se mos Tores zhgënjen edhe gjatë sezonit të ardhshëm, pasi kjo do të ishte fatale për londinezët.
ok